Lajme Zone
Diplomacia amerikane si një biznes pronash!
PolitikëPamfleti

Diplomacia amerikane si një biznes pronash!

Për ata që kanë pushtet, ky proces është një mekanizëm i rëndësishëm për të ruajtur kontrollin në një botë gjithnjë e më të çrregullt dhe vetëshkatërruese. Në rastet më të dukshme, kjo është e pamundur të mos vihet re.

Steve Witkoff dhe Jared Kushner / Jemi futur në një epokë ku absurditeti, paaftësia dhe arroganca politike pranohen gradualisht si pjesë normale e realitetit. Jared Kushner dhe Steve Witkoff, janë shembulli më i qartë. Me përvojë si biznesmenë të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, ata po e trajtojnë diplomacinë me të njëjtën logjikë si një marrëveshje biznesi, duke shpërfillur historinë, interesat dhe këndvështrimin e palës tjetër... Jetojmë në një epokë ku gjithçka po “normalizohet”. Gjëra që deri dje do të konsideroheshin të papranueshme, absurde, madje edhe kriminale, sot pranohen pak nga pak si pjesë e zakonshme e realitetit.

Për ata që kanë pushtet, ky proces është një mekanizëm i rëndësishëm për të ruajtur kontrollin në një botë gjithnjë e më të çrregullt dhe vetëshkatërruese. Në rastet më të dukshme, kjo është e pamundur të mos vihet re.

Mediave dhe institucioneve që i shërbejnë pushtetit, iu desh rreth një vit për ta kthyer gjenocidin në Gaza në një realitet të zakonshëm. Terrori i ushtruar nga Izraeli është normalizuar. Po kështu edhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me këtë terror të përditshëm, ndërsa regjimi në Tel Aviv trajtohet tashmë si një realitet normal politik.

Edhe Donald Trump, një president dukshëm i paqëndrueshëm dhe i paaftë, është bërë pjesë e “normalitetit”. Ai tashmë paraqitet si një president amerikan mes presidentëve të tjerë historikë që kanë jetuar në të njëjtën Shtëpi të Bardhë: Jeffersonit, Linkolnit, Franklin D. Rooseveltit dhe Kennedy-t.

Në një shkrim të fundit në Substack, Simplicius e shpjegonte këtë dukuri me atë që quhet “paragjykimi i normales”, pra prirjen për ta pranuar një gjendje thjesht sepse ajo ekziston. Në histori, kjo është një dukuri e zakonshme në fazat e fundit të perandorive.

Në një shkrim me titullin “Encore at the Cirque de Hormuz - Shfaqja më e madhe në botë”, ai e përshkruante shoqërinë amerikane si të zhytur në këtë gjendje, ndërsa politikanët me nxirje artificiale flasin për një “Epokë të Artë”, në një kohë kur pothuajse gjithçka që lidhet me perandorinë amerikane po shkon drejt rrënimit.

Do ta quaja këtë një gjendje “P.D.G.” (po digjet gjithçka). Ndoshta edhe “P.F.G.” (po fsemi gjithnjë e më shumë). Por ka edhe raste të tjera të normalizimit për të cilat flitet shumë më pak. Dhe këtu vijmë tek mënyra se si administrata Trump po e ushtron diplomacinë dhe politikën e jashtme.

Në mediat kryesore amerikane, nuk lexon pothuajse asgjë për faktin se sa larg normave diplomatike të pranuara veprojnë të dërguarit e Trumpit. Nuk flitet për dëmin që shkaktojnë bindjet e tyre ideologjike, për konfliktet e interesit apo për paaftësinë e tyre për të përmbushur detyrat.

Akoma më pak flitet për paditurinë e tyre të thellë mbi botën ku janë dërguar të negociojnë.

E gjithë kjo është bërë tashmë pjesë e normales. Merrni rastin e Charles Kushner, ambasadorit të Trumpit në Paris.

Ai është një person i dënuar për vepra penale, mes tyre evazion fiskal, manipulim dëshmitarësh dhe financime të paligjshme politike, dhe ka vuajtur dënim me burg. Kushneri është gjithashtu një sionist i vendosur.

Në fillim të këtij viti, ai refuzoi t’i përgjigjej një thirrjeje të Ministrisë së Jashtme franceze për të dhënë shpjegime lidhur me deklaratat e tij provokuese mbi antisemitizmin. Ministria franceze e akuzoi për “moskuptim” të çështjes dhe për një periudhë të shkurtër, i kufizoi kontaktet me zyrtarët francezë.

Francë, Belgjikë, Poloni, Itali etj: të emëruarit e Trumpit kanë hapur probleme në të gjithë Evropën, zakonisht duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të vendeve ku janë akredituar. Kjo është diçka që edhe një student i vitit të parë të marrëdhënieve ndërkombëtare e di se një diplomat nuk duhet ta bëjë.

Ata kanë edhe disa tipare të përbashkëta. Janë të gjithë sionistë, nuk duket se kanë ndonjë ide të qartë se si duhet të ushtrojnë detyrën e ambasadorit dhe në vend që të veprojnë si diplomatë, sillen më shumë si përfaqësues të një fuqie perandorake.

Nga sjellja e tyre nuk duket ndonjë interes serioz për ndërtimin e një politike të jashtme amerikane funksionale dhe konstruktive. Dhe kjo na sjell te Jared Kushner dhe Steve Witkoff, dy të dërguarit kryesorë të Trumpit.

Rasti i tyre është edhe më serioz, sepse bëhet fjalë për njerëz që janë përfshirë drejtpërdrejt në çështje me pasoja të mëdha ndërkombëtare. Edhe ata janë sionistë dhe vazhdimisht i japin përparësi interesave të Izraelit.

Por njëkohësisht, nuk japin asnjë shenjë se e kuptojnë realisht terrenin ku po veprojnë apo se kanë një ide të qartë për atë që duhet të jetë politika amerikane. Për mediat kryesore, kjo nuk është problem. Edhe kjo është normalizuar.

Normalizimi i paaftësisë

Kushner dhe Witkoff kanë marrë përsipër një pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve diplomatike të Trumpit me Rusinë dhe Iranin. Problemi është se ata nuk duket se dinë pothuajse asgjë mbi këto vende.

Nuk kanë njohuri serioze për Iranin apo për Azinë Perëndimore, përtej asaj që u dikton ideologjia sioniste. Nuk kanë një kuptim të thellë të Rusisë, Ukrainës apo Evropës. Dhe mbi të gjitha, u mungon njohja e historisë së këtyre vendeve dhe rajoneve.

Por këtu qëndron problemi kryesor: ata dhe presidenti që i ka emëruar duket se besojnë se të gjitha këto njohuri nuk janë të nevojshme. Jared Kushner, Steve Witkoff dhe Charles Kushner, babai i Jared, kanë një të përbashkët të rëndësishëm: vijnë nga bota e pasurive të paluajtshme në Nju Jork.

Mediat e përmendin herë pas here këtë fakt, por zakonisht si një detaj interesant biografik, pa e lidhur me mënyrën se si këta njerëz e konceptojnë diplomacinë. Në fakt, lidhja është shumë më e rëndësishme nga sa duket.

Shumëkush nga ju mund të mos dini shumë për mënyrën se si funksionon biznesi i pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Por nëse keni ndjekur mënyrën se si veprojnë Witkoff dhe Kushneri i ri - nëse mund ta quajmë “përparim” atë që kanë bërë - atëherë e kuptoni se nga vjen një pjesë e kësaj sjelljeje.

Në botën e marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme, nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendon pala tjetër, çfarë dëshiron apo cilat janë interesat e saj. Gjithçka reduktohet në një pyetje të thjeshtë: si mund të siguroj unë marrëveshjen më të mirë për veten?

Tani po na thuhet se mënyra se si Kushner dhe Witkoff negociojnë me Moskën dhe Teheranin është thjesht një “stil” i veçantë diplomatik. Në fakt, nuk është e tillë. Kjo është thjesht marrëzia dhe arroganca e një mentaliteti biznesi të importuar në diplomaci.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, të kuptosh interesat dhe këndvështrimin e palës tjetër, është një nga parimet më elementare të diplomacisë. Por ky parim duket se nuk u ka shkuar kurrë në mendje njerëzve për të cilët po flasim. “Budallallëk” mund të tingëllojë si një fjalë e fortë, por në këtë rast nuk është aspak e tepruar. Në rastin e Rusisë, mund të kujtoni planin me 28 pika që Kushner dhe Witkoff negociuan me rusët në nëntor të vitit të kaluar, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës në Ukrainë.

Në atë kohë, më bëri përshtypje fakti se dokumenti pranonte një pjesë të konsiderueshme të interesave legjitime të Moskës në fushën e sigurisë dhe diplomacisë. Por më vonë u bë e qartë se kjo nuk ishte rezultat i ndonjë kuptimi të thellë të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Witkoff dhe Kushner thjesht nuk e kuptonin fare çështjen e sigurisë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Pasi evropianët e ndryshuan rrënjësisht planin, ai humbi çdo rëndësi praktike dhe mbeti në letër. Tani po dëgjojmë se Vladimir Putin dhe Sergei Lavrov nuk duan më as të flasin me këta dy njerëz.

Presidenti rus dhe Ministri i tij i Jashtëm, nuk shohin më ndonjë arsye për të vazhduar kontakte të tilla. Përveç ndonjë komunikimi që mund të zhvillohet në kanale të fshehta, aktualisht nuk ka praktikisht marrëdhënie diplomatike mes Moskës dhe Uashingtonit.

Një rezultat vërtet mbresëlënës për dy të dërguarit e posaçëm të presidentit amerikan.

Me Iranin situata është po aq problematike. Witkoff dhe Kushner e humbën besimin e Teheranit vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, pasi u bë gjithnjë e më e qartë se po vepronin po aq shumë, në mos më shumë, në interes të Izraelit se sa në interes të Shteteve të Bashkuara.

Në disa raste, negociatat rezultuan të ishin vetëm një fasadë përpara sulmeve që pasuan.

Në tregun e pasurive të paluajtshme në Nju Jork, një taktikë e tillë mund të jetë efektive nëse synon të mashtrosh një konkurrent dhe ta nxjerrësh nga tregu.

Por diplomacia nuk funksionon kështu. Dhe pikërisht për këtë arsye, diplomatët iranianë, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, thuhet se nuk duan më të ulen as në të njëjtën dhomë me këta dy njerëz. Kjo nuk është diplomaci dhe aq më pak është një “stil diplomatik”.

Këtu nuk ka ndonjë aftësi të veçantë për të negociuar. Ka thjesht moskuptim të plotë të palës tjetër. Dhe pikërisht kjo është një nga arsyet pse diplomacia amerikane ka arritur në këtë pikë. Dështimi i saj nën drejtimin e këtyre dy njerëzve, është po aq i rrezikshëm sa shumë prej dështimeve të tjera të politikës amerikane që po e çojnë botën drejt një situate gjithnjë e më të pasigurt.

Kështu duhen parë Kushner dhe Witkoff. Ata do të vazhdojnë të veprojnë njësoj. Padituria paaftësia, konfliktet e interesit, besnikëritë e dyfishta dhe dështimet e përsëritura të tyre, tashmë janë bërë pjesë e “normales”.

Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë thelbin: kur paaftësia në diplomaci normalizohet, pasojat nuk i paguajnë vetëm ata që janë në pushtet. I paguajmë të gjithë ne./Pamfleti nga “Consortium News”diplomacia amerikane biznes pronash Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Guximi i paskrupullt për propagandë 22 Gusht 2026, 13:4613:46Forum Si mund të ringrihet Shqipëria nëse rrëzohet Edi Rama? 22 Gusht 2026, 12:4512:45Forum Një vështrim përmes sondazheve për zgjedhjet amerikane të nëntorit! 21 Gusht 2026, 22:0422:04Forum Kush po bën pazar me Bankers? Si po "harrohen" 240 milionë dollarët që Shqipëria fitoi në arbitrazh 21 Gusht 2026, 20:4020:40Forum Nga 'Gërdeci' te 'Bankers', si po mbyllen dosjet e mëdha në SPAK! 21 Gusht 2026, 15:2515:25Forum Pse vjen flotilja palestineze për t’ju bashkuar flamingove në Shqipëri? 20 Gusht 2026, 22:1122:11Forum