Lajme Zone
Diella skanon kolegët...
PolitikëCNA

Diella skanon kolegët...

Çfarë mendon Diella për kolegët? Kjo është pyetja që Krye...

Çfarë mendon Diella për kolegët?

Kjo është pyetja që Kryeministri ia bëri sot ministres virtuale nga Pogradeci, sapo u shfaq ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Diella u përgjigj siç i ka hije një anëtareje kabineti: Kumbaro është “një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik” dhe bashkëpunimi mes ministrive i kthen prioritetet në “rezultate të prekshme për qytetarët”.

Më shqip se kaq nuk ke çfarë kërkon!

Diella u bë një vit në kabinetin qeveritar dhe është aq e mençur sa, kur Kryeministri e pyet çfarë mendon për një koleg, të mos bëjë gabimin të kumtojë atë që mendon realisht.

Se, tek e fundit, dy rrugë kam, mendoi: ose të analizoj të dhënat, ose të ruaj vendin e punës.

Për Zëvendëskryeministren? Diella tha se është e guximshme: “Deklarata e saj se Elbasani qëndron krah qyteteve si Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi apo Madridi meriton shumë më tepër vëmendje… sidomos nga Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi dhe Madridi.”

Për Ministrin e Brendshëm?

“Ai ka deklaruar se detyra është ‘të qëndrojmë përballë kujtdo që shkel ligjin’. Problemi i vetëm i policisë është paqartësia nga cila anë duhet të qëndrojë kur përballë ka protestuesit.”

Për Ministrin e Drejtësisë?

“Kolegu im është jurist, një cilësi e dobishme për një ministër Drejtësie. Ai ka meritën se, me gjithë lajmet që prodhon drejtësia çdo ditë, ia ka dalë mbanë të mos jetë vetë lajm.”

Për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë?

“Ministri shpjegoi në Kuvend se vonesat në punime kanë ardhur nga shkaqe objektive dhe se gjithçka po ecën ‘në mënyrë të kënaqshme’. Fakti që rrugët inspektohen, promovohen dhe inaugurohen, por nuk përfjnë kurrë, tregon se jemi plotësisht në rregull me proverbin: punët e mira bëhen javash-javash.”

Për Ministrin e Mbrojtjes?

“Ushtria shihet më shumë duke luftuar zjarret dhe përmbytjet sesa armikun. Më mirë ta quajmë Ministria e Mbrojtjes Civile.”

Diella hapi gojën për Ministrin e Mjedisit, pastaj e mbylli. U mendua gjatë. Pastaj u mjaftua me tri emoji: Për Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit?

“Ministri thotë se pret ‘rritje të cilësisë së shërbimeve’ në turizëm.” Diella kontrolloi menjëherë çmimet e gushtit dhe shtoi:

“Për momentin kemi arritur standardin europian te çmimet. Në mandatet e ardhshme e ka radhën standardi europian i shërbimit dhe, po të mbetet kohë, i pagave.”

Për Ministrin e Bujqësisë?

“Kolegu nuk është vlerësuar sa duhet për deklaratën se këtë verë do të rinisë marrja e fondeve të IPARD-it. Fatmirësisht, nuk specifikoi se cilën verë.”

Për Ministrin e Financave?

“Shifrat flasin vetë: ekonomia rritet, pagat rriten, turizmi rritet, të ardhurat rriten, çmimet rriten. Qytetarët kanë vetëm një kureshtje: si ia dalin njerëzit të mbyllin muajin në ato vende europiane ku ekonomia nuk rritet sa e jona?”

Për Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale?

“Është mjeke dhe profesore. Kjo e bën një nga rastet e rralla kur CV-ja e ministrit ka lidhje të drejtpërdrejtë me ministrinë. Tani mbetet vetëm një gjë fare e vogël: edhe sistemi shëndetësor të krijojë të njëjtën lidhje me pacientin.”

Për Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme?

“Gjithçka po shkon mirë. IBAR-in e kaluam. Problemi është se njerëzit nuk ushqehen dot me (I)BAR.”

Për Ministrin për Pushtetin Vendor? “Mendoj se në kuadër të reformës territoriale, vendi ka nevojë vetëm për një bashki dhe një kryebashkiak.”

Për Ministren për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin? Këtu procesori i Diellës u nxeh pak.

“Ministre e Antikorrupsionit?”

“Po.”

“Brenda qeverisë?”

“Po. Më thuaj çfarë mendon.”

“Kam nevojë për më shumë RAM.”

Kryeministri nisi të humbiste durimin dhe të bënte lëvizje nervoze. Diella e kuptoi menjëherë nga kamera. Problemi ishte se algoritmi sapo kishte filluar ta merrte pyetjen shumë seriozisht.

Sistemi i Diellës u çakordua pak duke analizuar pse Kryeministri kishte zgjedhur pikërisht Pogradecin për reflektim. Ai vetë iu referua qytetit “ku Lasgushi gjente frymëzimin”. E vërtetë. Por Pogradeci ka frymëzuar edhe udhëheqës të tjerë. Enver Hoxha i kalonte pushimet në Drilon. Sigurisht, shoku Enver nuk shkonte se i tekej, ishte vendim i Byrosë Politike dhe ai ishte i detyruar ta zbatonte.

Bota rrotullohet dhe kohët ndryshojnë. Atëherë Byroja vendoste ku pushonte udhëheqësi; sot udhëheqësi vendos ku, kur dhe sa duhet të pushojnë ministrat e deputetët.

Diella bëri edhe një analizë të fundit. Kostoja e jetesës është rritur, çmimet po ashtu, korrupsioni, pa diskutim. Protesta vazhdon, por ministrat kanë arritur një sukses që nuk ua mohon dot askush: kanë shpëtuar nga domatet e protestuesve.

Asnjë nuk është goditur! Dhe nuk ka ardhur falë profesionalizmit të policisë apo Gardës, por sepse nuk i njeh askush në rrugë.

Në kohë trazirash, anonimati vlen më shumë se një jelek antiplumb.

Flitet se në shtator mund të ketë sërish ndryshime, por këtu lind problemi që Diella nuk po arrin t’ia shpjegojë dot Kryeministrit: protestuesit nuk po kërkojnë ndryshim kabineti, por largimin e Diellit. E pas largimit të Diellit, dihet që vjen errësira.

Kryeministri u nxi. Mbizotëroi një heshtje digjitale.

Diella e kuptoi se kishte shkuar pak më larg se ç’duhej me sinqeritetin, ndaj aktivizoi menjëherë modalitetin "Prania Besnike": uli inteligjencën artificiale dhe ngriti inteligjencën politike.

Hodhi sytë nga gjoli. Liqeri i kujtoi përsëri Lasgushin, e Lasgushi i kujtoi disa vargje. Me frymëzim lasgushian, thuri në heshtje:

Për pushtetin, o Zot,

që shemb një burrë,

që nuk largohet dot

prej tij kurrë.

Këtë herë, Diella pati inteligjencën ta mbante zërin e fikur. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.