Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Shkodër, ku një punonjës është goditur fizikisht nga dy persona gjatë orarit zyrtar të punës.
Bëhet fjalë për Revi Gokajn, punonjës në këtë institucion prej rreth një viti dhe djali i prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj. Sipas të dhënave të raportuara, dy persona kanë hyrë në ambientet e drejtorisë dhe kanë goditur Gokajn, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në prani të punonjësve të tjerë dhe qytetarëve që ndodheshin në institucion.
Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se ngjarja raportohet të ketë ndodhur brenda një institucioni publik, në mes të ditës dhe gjatë orarit të punës. Ndërkohë, deri tani nuk rezulton të ketë një kallëzim zyrtar në Policinë e Shkodrës lidhur me rastin.
Sipas informacioneve paraprake, Revi Gokaj nuk ka bërë kallëzim pas incidentit, ndërsa pretendohet se pas dhunës ka marrë edhe kërcënime. Edhe këto të dhëna mbeten për t'u verifikuar.
Nuk dihet ende motivi i konfliktit dhe nëse ngjarja ka lidhje me detyrën e Gokajt, aktivitetin profesional të babait të tij apo me një çështje personale.
Një tjetër element i rëndësishëm është se ngjarja mësohet të jetë regjistruar nga kamerat e sigurisë së institucionit. Pamjet mund të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së plotë të incidentit dhe identifikimin e dy personave që dyshohet se kanë ushtruar dhunë.
Deri në një reagim zyrtar të Policisë së Shkodrës apo institucioneve përkatëse, rrethanat dhe motivi i ngjarjes mbeten të paqarta. Pritet që autoritetet të verifikojnë pamjet e kamerave dhe të sqarojnë nëse do të ketë procedim lidhur me incidentin.

