Dhuna e pretenduar policore gjatë protestës së 107-të kundër qeverisë së Edi Ramës ka sjellë reagimin e protestuesve, të cilët e kanë cilësuar ndërhyrjen e efektivëve si tejkalim të kompetencave. Protestuesit deklarojnë se pavarësisht presionit dhe forcës së përdorur nga policia, protesta do të vijojë dhe se do të vazhdojnë edhe bllokimin e institucioneve dhe të Kuvendit. Aktivistja Luçiana Kokaj tha se protesta është shndërruar në një qëndresë të vazhdueshme qytetare dhe politike, duke theksuar se qytetarët vijojnë të dalin në shesh pavarësisht përpjekjeve për ta shuar atë. “106 ditë përballë pushtetit që mendojnë se do të shuajnë protestën, por ne jemi ende këtu. Është qëndresë e pastër qytetare dhe politike, jo protestë e çastit. Sot protestuesit u përballën me dhunë e represion policor, si në Zvërnec. Kjo dhunë nuk mund të injorohet, duhet dënuar me forcë të lartë, jo vetëm për tejkalim kompetencash, por po përdoret për të frikësuar qytetarët”, u shpreh Kokaj. Ajo theksoi se qëndrimi i protestuesve mbetet i pandryshuar dhe se forca e tyre, sipas saj, qëndron te bashkimi qytetar. “Qëndrimi ynë është i qartë, forca jonë është bashkimi i qytetarëve. Jemi sërish në shesh sepse mendojmë se kjo protestë paqësore tregon si shqiptarët shohin veten”, deklaroi aktivistja.
Kokaj tha gjithashtu se ndryshimi, sipas saj, nuk mund të vijë përmes dhunës apo përshkallëzimit, por përmes refuzimit të asaj që qytetarët e konsiderojnë të papranueshme.
“Ndryshimi nuk vjen as nga hedhja, as nëpërmjet dhunës, as në përshkallëzim zemërak, por vjen nga njerëz që vendosin të mos pranojnë të papranueshmen”, tha ajo.
Në fund, aktivistja paralajmëroi se protestuesit do të vijojnë aksionet e tyre dhe bllokimin e institucioneve.
“Do të vijojmë bllokimin e institucioneve dhe Kuvendit. Nuk na përfaqësojnë. Zhvendosja e vëmendjes nga protesta do të ishte lirim për Ramën”, u shpreh Lucciana Kokaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
