Greta Gjoci, nënë e një foshnjeje tremuajshe, u dërgua më 5 tetor në burgun e Pojskës në Pogradec, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin e saj për përfshirje në një skemë mashtrimi me call center, ku akuzoheshin edhe 15 persona të tjerë.
Gjoci duhet të vuajë edhe rreth tre vjet e gjysmë burg nga dënimi i dhënë ndaj saj, por ligji parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit për gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë nën moshën një vjeç.
Pasi qëndroi rreth 24 orë në burg së bashku me foshnjën, mbrojtësit e saj iu drejtuan Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Por shqyrtimi i kërkesës u përball me një pengesë të paparashikuar në ligj – bojkotin e seancave gjyqësore të shpallur nga Dhoma e Avokatisë, në kundërshtim të një rregulloreje të re të Gjykatës së Posaçme që ndalon hyrjen e avokatëve me telefona celularë.
Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë kishte paralajmëruar se çdo avokat që thyente bojkotin do të përballej me procedim disiplinor, duke i vendosur mbrojtësit e Gjocit përballë një zgjedhjeje të vështirë mes respektimit të vendimit të organizatës profesionale dhe mbrojtjes së interesit të një foshnjeje tremuajshe.
Paraditen e së enjtes, njëri prej dy avokatëve mbrojtës, Jurgen Gjoci, vendosi të merrte pjesë në seancë, pavarësisht rrezikut të një mase disiplinore që mund të cenonte të drejtën e tij për të ushtruar profesionin.
Gjatë seancës, avokati shpjegoi se kishte vendosur të thyente bojkotin për arsye humanitare, duke theksuar se në këtë rast ishte në diskutim interesi i një foshnjeje tremuajshe. Ai shtoi se e dënuara ishte gjithashtu e afërme e tij dhe se nuk mund të hiqte dorë nga përfaqësimi i saj.
Komiteti Disiplinor i Dhomës vendosi të marrë në konsideratë arsyet humanitare të pjesëmarrjes së avokatit Gjoci në seancë, duke i dhënë vetëm një masë vërejtje dhe këshillim.
Ndryshe nga rasti i Gjocit, Dhoma e Avokatisë u tregua e rreptë me kolegun e tij Lefter Xhengo, pasi ky i fundit mori pjesë në një seancë mase sigurie në GJKKO. Këshilli Disiplinor vendosi ta ndëshkojë me me pezullimin e licencës për dy vite, për thyerjen e bojkotit.
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë për ndalimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit ka paralizuar prej më shumë se një muaji proceset gjyqësore, duke rrezikuar respektimin e afateve procedurale dhe të drejtën e të pandehurve për një gjykim brenda një kohe të arsyeshme.
Ndërsa gjykata ka nisur të gjobisë avokatët që nuk paraqiten në seanca, Dhoma e Avokatisë po ndëshkon me pezullim licence ata që thyejnë bojkotin. Pavarësisht pasojave për administrimin e drejtësisë, të dyja palët i qëndrojnë pozicioneve të tyre, pa një zgjidhje në horizont.
Rregullorja e kontestuar
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi më 1 shtator, kur hyri në fuqi një rregullore e re për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit.
Po atë ditë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërkoi gjykatës rishikimin e disa dispozitave të rregullores, veçanërisht atyre që kufizonin përdorimin e celularëve, me argumentin se ndalimi cenonte ushtrimin e profesionit të avokatit.
Në mungesë të një zgjidhjeje, më 8 shtator, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të proceseve gjyqësore në GJKKO, duke përjashtuar fillimisht seancat për caktimin, zëvendësimin ose shuarjen e masave të sigurimit, si dhe çështjet e lidhura me amnistinë.
Dy javë pas kërkesës fillestare, Gjykata e Posaçme refuzoi ndryshimin e rregullores, duke argumentuar se ndalimi i celularëve zbatohej njësoj për gjyqtarët, prokurorët, gazetarët dhe të gjithë personat e pranishëm në sallë.
Sipas gjykatës, avokatët mund të përdornin kompjuterët portativë për konsultimin e dosjeve dhe kishin në dispozicion mjetet ligjore për ta kundërshtuar rregulloren.
Refuzimi i gjykatës u pasua nga përshkallëzimi i bojkotit. Me një vendim të dytë, Dhoma e Avokatisë e shtriu atë edhe te seancat për masat e sigurimit personal dhe çështjet që lidhen me hetimet paraprake, duke paralajmëruar procedime disiplinore për avokatët që nuk respektonin vendimin.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme nisi vendosjen e gjobave ndaj avokatëve që nuk paraqiteshin në seanca. Në një vendim për gjobitjen e 15 avokatëve, gjykata argumentoi se bojkoti nuk përbënte grevë në kuptimin kushtetues, pasi Dhoma e Avokatisë nuk është sindikatë dhe detyrimi i mbrojtësve për t’u paraqitur në gjykim buron nga ligji procedural dhe autorizimi i klientëve.
Sipas gjykatës, bojkoti bie ndesh edhe me funksionin publik të Dhomës së Avokatisë, që është garantimi i një mbrojtjeje ligjore efektive.
Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, në një përgjigje me shkrim tha se rregullorja tashmë ishte një akt i miratuar, i cili mund të zhbëhej vetëm nëpërmjet ankimit.
“Çdo pretendim mbi përmbajtjen e saj i nënshtrohet procedurave të ankimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shprehet KLGJ-së.
Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, e kundërshtoi këtë qëndrim, duke e cilësuar rregulloren në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e profesionit të avokatit.
Ai pretendoi se ndalimi i celularëve nuk ishte mbështetur në probleme konkrete të shkaktuara nga avokatët gjatë seancave dhe se rregullorja ishte miratuar pa konsultim.
Haxhia tha se Dhoma kishte kërkuar edhe ndërmjetësimin e KLGJ-së për organizimin e një tryeze të përbashkët, por pa rezultat. Ai kritikoi gjobat e vendosura nga gjykata dhe paralajmëroi se avokatët që thyenin bojkotin rrezikonin deri në heqjen e licencës.
“Ne jemi të hapur për dialog dhe për zgjidhje të problemit, por jo për imponim dhe nënshtrim”, deklaroi Haxhia për BIRN, duke këmbëngulur se vendimi për bojkotin do të zbatohej pa kompromis.
Më 6 tetor, BIRN i kërkoi Gjykatës së Posaçme informacion mbi pasojat e bojkotit për zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe respektimin e afateve procedurale, por gjykata kërkoi më shumë kohë për t’u përgjigjur.
Pas më shumë se një muaji konflikti, palët mbeten në pozicionet fillestare.
Gjykata e Posaçme nuk pranon ndryshimin e rregullores, ndërsa Dhoma e Avokatisë nuk tërhiqet nga bojkoti, duke lënë të bllokuara proceset gjyqësore dhe duke ia kaluar koston e mosmarrëveshjes të pandehurve dhe qytetarëve që presin drejtësi.
Bojkoti rrezikon afatet e paraburgimit
Pasojat e bojkotit u reflektuan edhe në procesin penal ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë dhe ish-Presidentit, Ilir Meta. Gjatë seancës së 24 shtatorit, avokati i tij, Bujar Musta, ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por qëndroi në vendet e rezervuara për publikun, duke refuzuar të merrte përsipër mbrojtjen për shkak të bojkotit.
I pyetur nga gjykata për arsyet e mospërfaqësimit të klientit, Musta shpjegoi se rrezikonte humbjen e licencës nëse shkelte vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Nga ana tjetër, kryesuesi i trupit gjykues dhe njëkohësisht kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, i tërhoqi vëmendjen se situata mund të përbënte vepër penale sipas nenit 264 të Kodit Penal, që sanksionon detyrimin për të marrë pjesë ose jo në grevë.
Më 7 tetor, Meta reagoi përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar përshkallëzimin e konfliktit mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës së Avokatisë si të panevojshëm dhe të shmangshëm.
Sipas tij, shtyrja e dhjetëra seancave gjyqësore po cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, ndërsa krijon kosto financiare për avokatët, të pandehurit dhe familjarët e tyre, si dhe për shtetin, i cili duhet të përballojë shpenzimet e transportimit të të paraburgosurve nga institucionet e vuajtjes së dënimit drejt Tiranës.
Por pasojat e bojkotit shkojnë përtej shtyrjes së proceseve gjyqësore, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e afateve procedurale dhe ligjshmërinë e mbajtjes së personave në paraburgim.
Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 42 i Kushtetutës garantojnë të drejtën e çdo personi për një gjykim të drejtë dhe publik, brenda një afati të arsyeshëm. Ndërkohë, neni 342 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se shqyrtimi gjyqësor mund të ndërpritet vetëm për arsye të veçanta dhe për një periudhë deri në 15 ditë.
Situata bëhet veçanërisht problematike në rastin e personave të arrestuar gjatë hetimeve paraprake, për të cilët ligji përcakton afate të rrepta për kontrollin gjyqësor të masës së sigurimit.
Sipas nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, marrja në pyetje e personit të arrestuar duhet të kryhet jo më vonë se tri ditë nga ekzekutimi i masës. Neni 261 parashikon se masa e paraburgimit humbet fuqinë nëse gjykata nuk e realizon këtë procedurë brenda afatit ligjor.
Për shkak të bojkotit dhe pamundësisë për të siguruar mbrojtjen ligjore, përfshirë caktimin e avokatëve kryesisht, zhvillimi i këtyre seancave rrezikon të bëhet i pamundur. Kjo mund të sjellë humbjen e fuqisë së masave të sigurimit edhe për persona të arrestuar me kërkesë të SPAK-ut në kuadër të hetimeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Gjatë dy javëve të fundit nuk rezulton të jenë zhvilluar seanca të tilla në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Ndërkohë, avokatët deklarojnë se janë gjendur mes dy masave ndëshkuese. Nga njëra anë Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërcënon me procedim disiplinor dhe heqje licence nëse marrin pjesë në seanca, ndërsa nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka nisur t’i gjobisë për mosparaqitjen dhe mospërfaqësimin e klientëve të tyre.
Në këtë përplasje institucionale, kostoja e bojkotit po rëndon mbi zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe të drejtat e personave që presin të gjykohen./ Reporter.al Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

