Foto Pamfleti / Brazili, Izraeli, Serbia dhe SHBA-ja zhvillojnë zgjedhje brenda dhjetë ditësh. A do ta konsolidojë e djathta autoritare fuqinë e saj globale, apo do të arrijnë forcat pro-demokratike të ndalin këtë prirje? Katër palë zgjedhje në katër kontinente, brenda vetëm 10 ditësh, mund të ndryshojnë politikën globale. Rezultatet mund ta shtyjnë botën më tej drejt autoritarizmit ose të shënojnë një rikthim, qoftë edhe të kufizuar, të normave demokratike.
Në të katër vendet janë në rrezik parimet themelore të demokracisë, ndërsa autokracia po përhapet me ritme alarmante. Sipas Institutit V-Dem me seli në Suedi, liritë demokratike që gëzon qytetari mesatar në botë kanë rënë në nivele të ngjashme me ato të vitit 1978, shumë kohë përpara rënies së Murit të Berlinit dhe shembjes së komunizmit në Evropë.
Këto zgjedhje mund ta frenojnë këtë prirje ose ta përforcojnë atë. Në secilën prej tyre,forcat pro-demokratike përballen me autokratë në pushtet ose me kandidatë që synojnë të përqendrojnë pushtetin. Por rezultatet do të kenë pasoja përtej kufijve të vendeve përkatëse.
Sot, Brazili zhvillon balotazhin presidencial, ku kandidati i ekstremit të djathtë Flávio Bolsonaro përballet me presidentin Luiz Inácio Lula da Silva. Bolsonaro ka kërcënuar se do të ndryshojë Kushtetutën, do të falë të atin, Jair Bolsonaro, të dënuar për përpjekje për grusht shteti, si dhe do të lehtësojë kufizimet mjedisore që mbrojnë Amazonën.
Po sot, në Serbi, lëvizja studentore sfidon sundimin 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit. Kandidatët e saj, kryesisht akademikë dhe ekspertë pak të njohur për publikun, garojnë nën sloganin “Serbia apo mafia?”. Ndërkohë të martën në Izrael, Benjamin Netanyahu do të përballet me kundërshtarët e tij në zgjedhjet parlamentare.
Gjatë sundimit të tij, ai ka shkaktuar dobësimin e institucioneve demokratike dhe përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Humbja mund t’ia vështirësojë edhe më shumë pozitën përballë procesit gjyqësor për korrupsion në Izrael.
Më 3 nëntor, zgjedhjet e mesmandatit në SHBA do të vënë në provë presidencën e Donald Trumpit. Demokratët kanë shanse të fitojnë shumicën në të paktën njërën dhomë të Kongresit, ndoshta edhe në të dyja. Megjithatë, frenimi i prirjeve autoritare të presidentit do të mbetet një sfidë e vështirë.
Këto zgjedhje nuk janë thjesht të afërta në kohë. Ato janë të ndërthurura politikisht. Lëvizja MAGA e Trump ka mbështetur hapur Netanyahun, Vuçiçin dhe Bolsonaron. Në telefonat e studentëve dhe aktivistëve pro-demokratikë në Serbi është zbuluar programi spiun Pegasus, i prodhuar në Izrael.
Bolsonaro mbështet fuqishëm Izraelin dhe ka premtuar të zhvendosë ambasadën braziliane në Jerusalem, duke ndjekur shembullin amerikan. Ndërkohë, SHBA-ja ka furnizuar një pjesë të madhe të armatimeve të përdorura nga Netanyahu në luftërat e tij, ndërsa Serbia ka angazhuar 2 miliardë dollarë për sisteme mbrojtëse izraelite.
Një fitore e së djathtës autoritare në njërin vend, do t’u jepte zemër aleatëve të saj në vendet e tjera. Në të kundërt, suksesi i forcave pro-demokratike, do të frymëzonte kundërshtarët e autoritarizmit në mbarë botën.
Brazili, një demokraci në provë
Brazili ka përjetuar një ringritje demokratike që kur Lula mori detyrën më 1 janar 2023, pasi mposhti përpjekjen e paraardhësit të tij, Jair Bolsonaro, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Sipas Institutit V-Dem, treguesit demokratikë të Brazilit janë tashmë më të mirë se ata të Britanisë dhe dukshëm më të mirë se të SHBA-së.
Jair Bolsonaro, ish-ushtarak që shërbeu gjatë diktaturës 21-vjeçare dhe vazhdon ta admirojë atë, u dënua me 27 vjet burg për përpjekjen për të organizuar një grusht shteti. Tani, djali i tij Flávio kërkon të vijë në pushtet, duke hyrë në balotazh me një epërsi të vogël, por domethënëse, ndaj Lulës.
Ai ka premtuar të falë të atin dhe të ndëshkojë gjyqtarët e përfshirë në ndjekjen e tij penale. Nëse fiton, do të mbështetet te shumica e djathtë në Kongres për të ndryshuar Kushtetutën dhe për ta “ridemokratizuar vendin”. Për të majtën braziliane, kjo shprehje ka një jehonë oruelliane: një admirues i diktaturës e paraqet dobësimin e demokracisë si përpjekje për ta shpëtuar atë.
Gjatë fushatës, Bolsonaro ka premtuar masa të ashpra kundër kriminalitetit, uljen nën 18 vjeç të moshës së përgjegjësisë penale dhe dërgimin e më shumë adoleshentëve në burg. Ai kërkon gjithashtu reformimin e gjyqësorit, për të cilin kritikët druajnë se mund të shërbejë si mjet për të cenuar pavarësinë e gjykatave.
Serbia, sfida e lëvizjes studentore
Gjatë 12 viteve në pushtet, Vuçiç i ka dobësuar gradualisht themelet e demokracisë serbe. Ai dhe aleatët e tij kanë marrë nën kontroll pothuajse të gjitha kanalet televizive, duke dominuar mbulimin mediatik gjatë fushatës.
Edhe dy kanalet e fundit të pavarura informative janë vënë në pikëpyetje pas blerjes së tyre nga një investitor portugez me lidhje me ish-regjimin e Viktor Orbanit në Hungari. Partia Progresiste Serbe (SNS) ka shndërruar ministritë dhe institucionet shtetërore në instrumente politike.
Sipas Raša Nedeljkov, nga Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie, “pothuajse është zhdukur vija ndarëse mes shtetit dhe partive”. Politika serbe ndryshoi pas shembjes së një çatie prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, dy vjet më parë, ku humbën jetën 16 persona.
Tragjedia nxori në pah pakënaqësinë e grumbulluar në shoqëri dhe nxiti një lëvizje masive studentore, e cila, pavarësisht frikësimit nga shteti, tashmë garon me një listë të plotë kandidatësh kundër SNS-së.
Lëvizja nuk ka një udhëheqës të vetëm dhe merr vendime në mbledhje të mëdha plenare, duke mbrojtur demokracinë e drejtpërdrejtë. Por për të fituar, studentët duhet të thyejnë kontrollin politik të Vuçiçit, veçanërisht në zonat rurale.
Një rezultat i ngushtë mund të shkaktojë trazira. SNS-ja akuzohet se ka përdorur grupe të dhunshme për të prishur tubimet e opozitës, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se do të dalin në rrugë për të mbrojtur fitoren që presin të arrijnë.
Izraeli, një demokraci me të drejta të pabarabarta
Demokracia izraelite ka qenë gjithmonë e pjesshme. Palestinezët në territoret e pushtuara nuk kanë të drejtë vote dhe u mohohen shumë të drejta të tjera, ndërsa kolonët izraelitë gëzojnë të drejta të plota dhe janë një mbështetje të rëndësishme për koalicionin e ekstremit të djathtë të Netanyahut.
Palestinezët me shtetësi izraelite, përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë, por mbeten të nënpërfaqësuar në Knesset. Pjesëmarrja e tyre në votime është më e ulët se ajo e hebrenjve izraelitë, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë sistemin politik përjashtues.
Ndërkohë, blloku kryesor opozitar përjashton një koalicion me partitë arabe, edhe nëse mbështetja e tyre mund të jetë vendimtare për sigurimin e shumicës. Gjatë mandatit aktual, Netanyahu është përpjekur të kufizojë pavarësinë e gjyqësorit në emër të reformës, ka ushtruar presion mbi mediat e pavarura dhe ka politizuar policinë, ushtrinë dhe shërbimin e sigurisë së brendshme, Shin Bet.
Blloku opozitar i drejtuar nga ish-gjenerali Gadi Eisenkot ndan shumë nga qëndrimet e Netanyahut për palestinezët, mbështet kryesisht luftën në Gaza dhe nuk pranon zgjidhjen me dy shtete. Megjithatë, ai premton t'i japë fund korrupsionit dhe teprimeve autoritare të qeverisë.
Opozita pritet të fitojë më shumë mandate se koalicioni qeverisës, por mund të mos sigurojë shumicën. Për këtë mund t’i duhet të bashkëpunojë me pakicën palestineze të Izraelit, të shpërfillur prej kohësh nga partitë kryesore.
SHBA-ja, frenimi i presidencës Trump
Në më pak se dy vjet të mandatit të dytë të Trumpit, SHBA-ja ka përjetuar një dobësim të shpejtë të institucioneve demokratike. Me Kongresin nën kontrollin e republikanëve besnikë dhe Gjykatën e Lartë kryesisht të prirur të mos e kundërshtojë, presidenti ka zgjeruar pushtetin ekzekutiv dhe ka përdorur institucionet shtetërore kundër kundërshtarëve politikë, prokurorëve të pavarur dhe gazetarëve.
Sipas kritikëve, politikat e administratës, brenda dhe jashtë vendit, kanë krijuar mundësi pasurimi për Trumpin, familjarët dhe aleatët e tij. Ndërkohë, Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE) është zgjeruar ndjeshëm dhe ka kryer operacione në mbarë vendin, duke cenuar të drejtat civile të personave të dyshuar si emigrantë pa dokumente, shumica prej tyre latinoamerikanë.
Rënia e mbështetjes për presidentin, u jep demokratëve shanse të mira për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa marrja e shumicës në Senat është më pak e mundshme. Edhe nëse fitojnë të dyja dhomat, demokratët do të përballen me pengesa të mëdha.
Trump mund të përdorë veton presidenciale, të cilën ata nuk do të kenë votat e nevojshme për ta rrëzuar, ndërsa në Senat nuk do të mund të kapërcejnë lehtësisht bllokimin procedural të republikanëve.
Kongresi mund të kushtëzojë financimin e agjencive qeveritare me zbatimin e reformave dhe të nisë hetime për korrupsionin e shkelje të tjera, duke thirrur zyrtarë të administratës për të dhënë shpjegime. Por administrata Trump mund të zgjedhë t'i shpërfillë kërkesat dhe të refuzojë bashkëpunimin.
Kështu, edhe një fitore e demokratëve mund të sjellë fillimisht një krizë kushtetuese të zgjatur, përpara se të bëhet i mundur rikthimi i normave demokratike. Katër palë zgjedhjet do të tregojnë nëse forcat autoritare do të konsolidojnë më tej pushtetin apo nëse kundërshtarët e tyre do të arrijnë të ndalin këtë prirje.
Rezultatet do të ndikojnë jo vetëm në të ardhmen e katër vendeve, por edhe në ekuilibrin më të gjerë mes demokracisë dhe autoritarizmit në botë./Pamfleti nga “The Guardian”dhjetë ditët që mund të tronditin botën Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Paketa ligjore për protestat, Bardhi-Ramës: Antikushtetuese, nuk do të realizohet 25 Tetor 2026, 12:0312:03Politike I kërkohet dorëheqja, Rama kërcënon protestuesit me paketën e masave ndëshkuese: Gjoba, burg dhe ‘libri i zi’ 25 Tetor 2026, 11:5411:54Politike Pas 12 ditësh protesta, Rama nuk "e vë ujin në zjarr": Kush kërkon dorëheqjen time gabon 25 Tetor 2026, 11:4411:44Politike “Kush thyen, paguan”/ Rama synon të frenojë protestat përmes gjobave, për të miturit paguajnë prindërit 25 Tetor 2026, 11:3211:32Politike Nga molotovët te gjobat deri në 500 mijë lekë, Rama i delegon policisë më shumë pushtet mbi protestat 25 Tetor 2026, 11:3011:30Politike Protestuesit i kërkojnë dorëheqjen, Rama fajëson sërish PD-në: Ekstremistë 'Antifa' dhe duar të huaja 25 Tetor 2026, 11:2511:25Politike

