Lajme Zone
Deti me grekët në Hagë, Ramës nuk i intereson që të marrë hakun që na takon!
PolitikëPamfleti

Deti me grekët në Hagë, Ramës nuk i intereson që të marrë hakun që na takon!

Të nderuar anëtarë të projektuar,

Letër e hapur drejtuar anëtarëve të ardhshëm të grupit negociator për marrëveshjen speciale me Greqinë drejt Hagës Të nderuar anëtarë të projektuar,

Unë nuk e di se kush do të jeni. Me shumë mundësi, disa prej jush mund t’i njoh edhe personalisht. Por, në pamundësi për ta dhënë opinionin tim zyrtarisht, për arsye që mund t’jua shpjegoj më pas, do t’ju rekomandoja që gjatë negociimit të jeni të kujdesshëm, profesionistë, me integritet dhe patriotë.

Çdo vendim i Gjykatës së Hagës do të jetë përfundimtar, i paankimueshëm, i detyrueshëm dhe i përjetshëm. Vendimi juaj nesër do të ketë të njëjtën peshë me atë të dy protokolleve për kufijtë tokësorë të Shqipërisë të viteve 1925 dhe 1926.

Rekomandimi im për ju është që të studioni dosjen, shënimet, bisedimet, raportet dhe gjithçka që është arritur gjatë negociatave të papërfunduara të vitit 2018, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, si dhe dosjen e MEPJ-së për këto negociata.

Në grupin tuaj mund të ketë edhe anëtarë të negociatave të vitit 2018. Ata do të jenë një aset për ju. Negociatat e vitit 2018 u ndërprenë për shkak të mungesës së përgjegjësisë së kryeministrit Rama, i cili sot nuk i përmend në asnjë rast.

Edhe pse unë vazhdoj të besoj se vijimi i negociatave dypalëshe me grekët do të ishte rruga më e mirë, kjo tashmë do të varet nga vendimi i Presidentit.

Më 20 tetor 2020, kryeministri Rama ka rënë dakord me ministrin e Jashtëm të Greqisë, në Tiranë, për ta çuar çështjen e detit në Hagë. Dakordësia përfshin dërgimin e të gjithë çështjes, duke përjashtuar dakordësitë e arritura gjatë vitit 2018. Pra, sipas marrëveshjes politike të vitit 2020, në vitin 2018 nuk ka pasur as negociata dhe as dakordësi.

Duke rënë dakord për dërgimin e të gjithë çështjes në Hagë, kryeministri Rama ka marrë kompetencat tuaja, si grup negociator. Ai ka vendosur jo vetëm vajtjen në Hagë, por edhe termat mbi të cilët do të shkohet, pra marrëveshjen speciale. Kështu që ju do të jeni të detyruar të përballeni me presionin e tij, nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Por çfarë do të ndodhë nëse ju bini dakord me palën greke për një marrëveshje speciale, sipas dakordësisë politike të kryeministrit Rama me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2010, që shpalli antikushtetuese draftmarrëveshjen e vitit 2009, mbështetet në të drejtën ndërkombëtare të detit dhe në vendimet e mëparshme të Gjykatës së Hagës. Por një vendim i Hagës i kësaj natyre nuk përfshin një marrëveshje tekstuale, por vetëm vijën delimituese.

Çdo vendim i Hagës, sipas dakordësisë së tetorit 2020, do të rezultonte, në vija të përgjithshme, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por jo në interes të Shqipërisë. Ai do të ishte shumë pranë vijës delimituese të vitit 2009, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe shumë larg pretendimeve të palës shqiptare të vitit 2018.

Njëkohësisht, një vendim i Hagës sipas dakordësisë së vitit 2020 do të zhbënte dy dakordësi të arritura në vitin 2018:

Së pari, humbjen e vijës së drejtë bazë. Kjo do të shkaktonte humbjen e një sipërfaqeje prej 40 kilometrash katrorë.

Vija e drejtë bazë e Shqipërisë është shpallur në vitin 1976 dhe është depozituar në OKB në vitin 1993. Ajo është njohur nga pala greke gjatë negociatave të vitit 2018, si dhe në Parlamentin e Greqisë.

Për shkak të metodologjisë së ndërtimit të saj, përpara hyrjes në fuqi të UNCLOS-it të vitit 1982, gjykata, me siguri të lartë, duke iu referuar edhe rastit Kenia-Somali, do ta rrëzonte atë dhe, automatikisht, Shqipëria do të humbiste 40 kilometra katrorë.

Shqipëria e shfuqizoi këtë vijë, në rrethana enigmatike dhe të dyshimta, me vendim të Parlamentit, në vitin 2008, ndërsa vijonin negociatat, por ajo u rikthye në vitin 2012. Duke qenë se Greqia e njohu vijën e drejtë bazë të Shqipërisë në vitin 2018, ajo ka mundësi ta rrëzojë atë vetëm në një gjykatë.

Së dyti, Haga do të rrëzonte njohjen e Protokollit të Firences të vitit 1925 nga Greqia.

Gjatë negociatave të vitit 2018 me palën greke u ra dakord që, në preambulën e drafttekstit të marrëveshjes, tashmë të dakordësuar, të përfshihej Protokolli i Firences i 27 janarit 1925 për kufijtë tokësorë me Greqinë.

Greqia e ka firmosur këtë protokoll, por nuk e ka ratifikuar, ndërsa Shqipëria e ka ratifikuar.

Fakti që Haga, në vendim, nuk paraqet një drafttekst marrëveshjeje, por vetëm vijën delimituese, bën që ky dakordësim të humbasë. Përfshirja e Protokollit të Firences në drafttekstin e dakordësuar nuk nënkupton ratifikimin e tij, por njohjen nga ana e Greqisë.

Shkurtimisht, nëse ju nuk do të negocioni një marrëveshje speciale me Greqinë për në Hagë, por do të noterizoni dakordësinë e kryeministrit Rama, nuk do të bëni gjë tjetër veçse do t’i jepni mundësinë Greqisë që, nëpërmjet Gjykatës së Hagës, të arrijë një marrëveshje pranë asaj të vitit 2009, domethënë krejtësisht të pafavorshme për Shqipërinë.

Në vitin 2018 u ra dakord për një sipërfaqe plus 40 kilometra katrorë, krahasuar me vijën delimituese të vitit 2009, për efekt të vijës së drejtë bazë. Nëse negociatat nuk do të ishin ndërprerë, Shqipëria do të fitonte edhe një sipërfaqe shtesë për shkak të efektit të barazisë së shkëmbinjve në detin territorial dhe të ishujve në shelfin kontinental dhe në zonën ekonomike ekskluzive.

Prandaj, unë vazhdoj t’i qëndroj idesë se vijimi i negociatave të zhvilluara në vitin 2018 është zgjidhja më e mirë. Vajtja në Hagë mund të bëhet vetëm për mosdakordësitë e negociatave të vitit 2018.

Varianti i tretë, ai sipas dakordësisë politike të 20 tetorit 2020, prioritar për Qeverinë Rama, është më i dëmshmi për Shqipërinë.

Drejtuesit tuaj politikë janë të kompromentuar në këtë proces. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do ta firmosë autorizimin për nisjen e negociatave, siç ia ka kërkuar MEPJ-ja për të gjithë çështjen, pasi ai nuk ka mundësi tjetër.

I kapur nga kryeministri Rama dhe nën hetim nga SPAK-u për disa prona të Forcave të Armatosura, ai nuk mund të dalë kundër kryeministrit Rama, edhe pse është këshilluar nga këshilltarët e tij që të mos e firmosë autorizimin.

Kryeministri Rama është ai që ndërpreu negociatat e vitit 2018 dhe ra dakord për marrëveshjen politike të 20 tetorit 2020. Për të, rëndësi ka që të ketë një vendim nga Gjykata e Hagës. Por nuk ka rëndësi rezultati.

Për të, mjafton që vendimi të jetë përfundimtar nga një gjykatë ndërkombëtare dhe të heqë pengesat e vendosura nga qeveria greke për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nuk duhet harruar se qeveria greke është po ajo me të cilën Qeveria Berisha negocioi në vitin 2009, në të njëjtat rrethana politike.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është personi që ka drejtuar grupin negociator të draftmarrëveshjes së detit me Greqinë të vitit 2009, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010.

Ai e ka humbur besueshmërinë për të drejtuar një proces të tillë. Për më tepër, pasi firmosi draftmarrëveshjen e vitit 2009, së bashku me anëtarët e grupit, ai e nxori informacionin në media, duke deklaruar se marrëveshja që kishte firmosur dhe drejtuar vetë disa ditë më parë “binte ndesh me interesat kombëtare”.

Veprimi i Hoxhës nuk ishte në dobi të interesave kombëtare, pasi ai firmën e kishte hedhur me vullnet, por synonte ta drejtonte median kundër anëtarëve të tjerë të grupit negociator. Ashtu siç edhe ndodhi.

Personalisht, kam dhënë kontributin tim, në rrugë zyrtare, për rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të draftmarrëveshjes së vitit 2009 dhe kam qenë pjesë e grupit negociator të vitit 2018.

Pasi kryeministri Rama bëri marrëveshjen politike të 20 tetorit 2020, më 23 janar 2021 më thirri, nëpërmjet ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, duke më propozuar pozicionin e këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare dhe marrjen e drejtimit të grupit negociator.

E pranova propozimin me kusht që të revokonte urdhrin e lirimit tim nga Forcat e Armatosura, premtim që e kishte bërë që më 14 shtator 2020, tri ditë pas lirimit tim.

Kryeministri Rama e pranoi kërkesën time dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili gjithashtu më thirri në takim, nisi procedurat.

Por procedura nuk vijoi, pasi ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, nuk pranoi ta niste procedurën, edhe pse ndërkohë kishte kaluar një muaj që kur kisha fituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të drejtën e rikthimit në Forcat e Armatosura.

Po ashtu, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e takoi kryeministrin Rama dhe i kërkoi me përulësi moskthimin tim në Forcat e Armatosura, duke pretenduar se marrëveshjen do ta bënte ajo. Kryeministri Rama ndërroi mendje.

Po në vitin 2021, MEPJ-ja kontraktoi kompaninë “Omnis Strategy” të zonjës Blair për 3 milionë euro, e cila, sipas informacioneve në raportin e saj përfundimtar, rekomandoi se, nëse Shqipëria do të shkonte në Hagë për të gjithë çështjen, rrezikonte të humbiste vijën e drejtë bazë.

Po ashtu, “Omnis Strategy” nuk pranoi ta këshillonte palën shqiptare në Hagë.

Që prej vitit 2021, nuk jam thirrur nga asnjë institucion shtetëror për konsultime mbi këtë çështje, por gjatë gjithë kësaj periudhe i kam bërë publike qëndrimet e mia në media.

Të nderuar anëtarë të projektuar,

Ju sot mbani peshën e negociatave me Greqinë për detin, negociata që nuk janë të lehta. Greqia ka institucione të konsoliduara dhe profesorë me famë ndërkombëtare në të drejtën e detit.

Keni mbi supe peshën e marrjes së një vendimi të rëndësishëm për fatin e Shqipërisë. Historia, padrejtësisht, e ka bërë Shqipërinë shumë të vogël dhe ajo nuk ka më territore për të humbur. Duhet të marrim atë që na takon.

Gjatë këtij procesi do të jeni nën presionin e kryeministrit Rama dhe të ministrit të Jashtëm, Hoxha. Duhet të tregoni integritet, profesionalizëm dhe patriotizëm.

Unë ju rekomandoj që të njiheni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dosjen e negociatave të vitit 2018, dokumentacionin që MEPJ-ja i ka dërguar Presidentit të Republikës për këto negociata, si dhe raportin e “Omnis Strategy”.

Në këto dokumente gjendet edhe vizioni i MEPJ-së mbi marrëveshjen speciale, i shprehur nëpërmjet një draftmarrëveshjeje provizore.

Gjithashtu, thirrni për konsultim sa më shumë njerëz të fushës, ndihma e të cilëve do të jetë e vlefshme për ju.

Duke ju uruar suksese në negociata, ju kujtoj se ky proces kërkon integritet, profesionalizëm dhe patriotizëm. Ai kërkon që të hiqni dorë nga interesat personale që lidhen me punën dhe karrierën.

Fëmijët dhe familja juaj duhet të krenohen nesër me ju dhe Shqipëria duhet të marrë atë që i takon nga ky proces.

Çështja e detit me Greqinë është një çështje thellësisht kombëtare. Ajo, ashtu si në 17 vitet e fundit, nuk do t’i shpëtojë gjykimit të opinionit publik kombëtar, pjesë e të cilit kam qenë dhe do të jem edhe unë.

Artur MeçollariKapiten i Rangut të Parë (Rez.), Dr.Ish-zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare, si dhe anëtar i grupit negociator të vitit 2018 për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Durrësi, prova se korrupsioni nuk fsheh më as gjurmët! 2 Gusht 2026, 14:0514:05Forum Pse zogjtë e bufit janë më të mirë se zogjtë e qyqes dhe se zogjtë e tu, Fejton 2 Gusht 2026, 08:3008:30Forum Protesta si shpresa e fundit në një vend të bllokuar! 1 Gusht 2026, 14:0414:04Forum Drejtësia e patronazhistëve në Sarandë thyen rekord: Avokatja caktohet kryesisht dhe çështja shkon në gjykim për 14 sekonda 31 Korrik 2026, 22:4322:43Forum Estetika e së keqes sipas Vuçiçit: Kur krimi bëhet vlerë shtetërore 31 Korrik 2026, 22:2922:29Forum Kungulleshka politike me numrin e bashkive 31 Korrik 2026, 21:0321:03Forum