Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin, ku një grua 30-vjeçare dhe vëllai i saj kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa i dyshuari për vrasjen e dyfishtë është vetëdorëzuar në polici.
Ngjarja ndodhi të premten, në fshatin Livoç i Ulët, ku Policia e Kosovës u njoftua për të shtëna me armë zjarri rreth orës 14:25.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, bëri të ditur se njësitet policore mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe konstatuan se bëhej fjalë për një vrasje të dyfishtë dhe një plagosje të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga KosovaPress, i dyshuari dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, ndërsa personi i plagosur është xhaxhai i gruas.
Sipas policisë, personi i dyshuar u paraqit në Stacionin Policor në Gjilan pak kohë pas ngjarjes së rëndë. Ai është intervistuar nga hetuesit rajonalë në prani të avokatit mbrojtës, në përputhje me procedurat ligjore.
Deri më tani, motivi i ngjarjes mbetet i paqartë. Në vendin e krimit kanë dalë hetuesit, njësitë e forenzikës dhe prokurori i shtetit, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Personi i plagosur fillimisht u dërgua në Spitalin e Gjilanit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u transferua për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.
Sipas mjekut Suat Haliti, i plagosuri ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për mbështetje me transfuzione gjaku përpara transferimit.
Ndërkohë, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se pas ekzaminimeve, pacienti u dërgua në sallën operative për trajtim nga ekipet e kirurgjisë abdominale, urologjisë dhe anestezionit. Pas ndërhyrjes, ishte parashikuar transferimi i tij në mjekimin intensiv qendror. Top Channel

