Pjesëmarrjen e ulët në protestën e parë kombëtare të thirrur pas disa muajve që sheshi i është lënë të ashtuquajturit “revolucioni flamingo”, Sali Berisha, tentoi ta përmirësojë pasdite. Pasi dhjetëra militantë u shpërndanë gjatë ditës rreth orës 14.30, PD ftoi anëtarët e saj që të forconin aksionin në orët e pasdites, në 18.00, duke kërkuar të bashkohen edhe kush nuk pati mundësi paradite për shkak të punës. Por para selisë blu në atë orar, nuk ishte asnjë person, ndërsa disa minuta më vonë, thirrjes së Berishës iu përgjigjën 15-20 mbështetës. Ata qëndruan në trotuar, rrethuar nga forcat e policisë që nuk lejuan bllokimin e qarkullimit të makinave, siç kishte ndodhur paradite. Pjesëmarrje e ulët u vu re edhe në protestën e “Revolucionit Flamingo”, ku vetëm një grup i vogël qytetarësh vijoi të qëndronte pranë godinës së Toptanëve. LEXO edhe...'Territorialja'/ Blushi me tone të forta në Kuvend: Rama po hakmerret për Esat Toptanin, prandaj po shkrin bashkinë e Libohovës, vendlindjen e Avni Rustemit Paradite, protesta në rrugën “Xhorxh W. Bush” u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë. Tentativës së 'Flamingove' për të çarë bllokadën e policisë që t’i afroheshin sa më afër godinës së parlamentit, policia iu përgjigj me spray djegës. Protestuesit, disa prej të cilëve mbetën të lënduar, u larguan nga mundën. Episode të vazhdueshme tensionesh, një kosh i djegur dhe pllaka të shkulura. Një burrë u qëllua me sende të forta e për pasojë mbeti i plagosur dhe u dërgua me ambulancë për në spital. Disa gurë protestuesit i mbanin në gatishmëri për aksion. Më tej, pranë Xhamisë së Namazgjasë ishin mblodhur protestuesit e PD-së. Ndonëse kishte kërkuar një protestë kombëtare, vetëm disa dhjetëra mbështetës iu përgjigjën thirrjes së Sali Berishës. Atyre iu bashkuan dhe drejtuesit demokratë të bashkive që shkrihen. Albert Malaj u përfshi në përplasje me policinë thuajse që në nisje Të orientuar nga deputeti Klevis Balliu, dhe me mbështetjen edhe të disa deputetëve të tjerë, protestuesit tentuan të shkaktojnë tensione. "Hapni rrugën! Nuk e kanë me ju! Mos e bëni personale me njerëzit! Sa drejtorë policie duhet të futen në burg? Shkoni fliteni me shefin! Perimetrin që duhet të bllokoni, bllokojeni! Dilni jashtë, nga ana tjetër, ku keni perimetrin! Protestuesve duhet t’u garantoni sigurinë, siç ua garantoni atyre, siç na e garantoni neve!”, tha Balliu. Pjesë e përplasjeve u bë edhe ish-truproja i Berishës, Sali Lusha. Deputetët akuzuan policinë për dhunë.Në protestën e PD-së morën pjesë edhe kryebashkiakë dhe banorë të bashkive që shkrihen. “Është shkaktuar një dhunë e egër nga forcat e policisë, e paprovokuar. Të vetmit të dëmtuar janë qytetarët shqiptarë, me spray, me gaz lotsjellës, dhunë fizike, shkopa gome e shqelma”, tha Besard Xhaferri. “Kanë vënë një perimetër kafshërie për t’i pritur njerëzit dhe për të hedhur spray me piper. I keni parë ambulancat që kanë marrë protestues të djegur. Gjithë kohën na janë hequr sikur janë dëmtuar, po sot ç’patën?”, tha Korreshi. Për përplasjet në 2 protestat paralele policia shoqëroi 8 persona. Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit thotë se protestuesit shtynë dhe goditën me vezë, domate, gurë dhe sende të forta efektivët në terren, dhe se nuk u tërhoqën as përballë thirrjeve që efektivët i bënë me megafon për të ndalur sulmin, për të mos iu afruar Kuvendit e për të mos bllokuar rrugën. Share Ora 19:36 20 militantët e Berishës mbyllin protestën brenda një ore, ikin dhe ulen në kafe Rreth 20 militantët që iu përgjigjën thirrjes së PD për të protestuar sërish pasdite, nuk e zgjatën ‘protestën’ më shumë se një orë. Ata e harruan rezistencën kundër reformës territoriale që ende po diskutohet në Kuvend dhe shkuan u ulën në kafe. Share Ora 19:24 Protesta e PD-së kundër 'Territoriales' Balla publikon videon: I riu thirri 'Berisha n'burg', militanti i PD e qëllon me shuplakë! Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar sot në rrjetet sociale një video, përmes së cilës pretendon se tregohet një episod dhune ndaj një të riu i cili gjatë protestës së Partisë Demokratike para Kuvendit, kundër Reformës Territoriale, sipas Ballës, thirri me zë të lartë 'Berisha n'burg'Sipas Ballës, pikërisht për këtë arsye i riu është sulmuar nga protestues të PD-së. Në pamjet e publikuara prej deputetit socialist shihet djali që është rrethuar nga një grup personash, ndërsa njëri prej tyre i afrohet nga anash dhe e godet me shuplakw në fytyrë. Pas goditjes, i riu arrin të largohet nga turma.Për Ballën, këto pamje mjaftojnë për të kuptuar më shumë rreth protestës së të enjtes. Video u publikua në një ditë kur Sali Berisha nuk arriti të mobilizojë një numër të madh mbështetësish në protestën që kishte shpallur si kombëtare kundër Reformës Territoriale. Paradite protestës iu bashkuan rreth 100 persona, ndërsa thirrjes së dytë të PD-së për t'u mbledhur para Kuvendit në orën 18:00 iu përgjigjën më pak se 20, duke konfirmuar kështu se pavarësisht skandaleve të fundit Berisha e ka të vështirë në mos të pamundur ta përkthejë pakënaqësinë ndaj mazhorancës në mobilizim qytetar. Share Ora 18:58 Sulmet me vezë e gurë ndaj policëve, 8 protestues të shoqëruar Tetë protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit deri në orën 17:30 pas sulmeve me vezë, domate e gurë ndaj efektivëve. Policia thotë se ata nuk i janë bindur thirrjes që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe kanë vijuar me veprimet e dhunshme ndaj policëve.“Në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit hartoi planin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë, si dhe të rendit e sigurisë gjatë tubimit të paralajmëruar nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, që u mbajt para Kuvendit të Shqipërisë ditën e sotme. Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim.Punonjësit e Policisë, në zbatim të ligjit për tubimet, u kanë bërë thirrje, nëpërmjet megafonit, këtyre shtetasve që të mos vijonin veprimet e kundërligjshme ndaj punonjësve të Policisë dhe të zbatonin urdhrat e ligjshëm të Policisë, që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bllokonin rrugën. Këto urdhra nuk janë zbatuar nga disa prej pjesëmarrësve në tubim.Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme.Shërbimet e Policisë po kryejnë detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm, për të garantuar rendin, sigurinë dhe ushtrimin e së drejtës së çdo qytetari për të protestuar paqësisht.Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për pjesëmarrësit në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, pasi çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin”, njofton Policia. Share Ora 18:35 Dështon protesta kombëtare e Berishës, nuk i bashkohen as më shumë se 20 militantë pasdite! Vetëm një grup i ‘flamingove’ pranë Kuvendit (VIDEO) Pasi nuk arriti të mbledhë më shumë se 100 vetë në protestën e paradites për të kundërshtuar reformën territoriale, Partia Demokratike i thirri sërish në protestë militantët e saj. Në një mesazh që PD u kishte shpërndarë strukturave kërkonte prani më të madhe të demokratëve në protestë pasdite, por duket se militantët nuk i janë përgjigjur thirrjes. Siç shuhet edhe në pamjet që sjell Report Tv, as më shumë se 20 veta nuk kanë dalë në protestë pasdite, ndërsa Kuvendi vijon ende punimet dhe diskutimet për territorialen. Ato pak militantë policia i ka zhvendosur në trotuar që mos të bllokojnë rrugën te Unaza.E njëjta situatë paraqitet edhe te protesta e “Revolucionit Flamingo”. Vetëm një grup qytetarësh vijojnë të jenë të mbledhur pranë godinës së Toptanit. Share Ora 16:38 Protesta kombëtare mblodhi 100 veta, PD mesazh strukturave: Aksioni sot ishte shumë i fortë, sërish pasdite para Kuvendit Ndonëse protesta e sotme kombëtare u katandis duke mbledhur rreth 100 protestues, PD duket se është e kënaqur me aksionin para Kuvendit. Në një mesazh drejtuar strukturave PD iu thotë se aksioni ishte shumë i fortë dhe u bëjnë thirrje militantëve që të mblidhen sërish në protestë para Kuvendin në orën 18:00.“Aksioni i sotëm ishte shumë i mirë dhe i fortë. Duhet ta vazhdojmë edhe pasdite, duke e mbajtur të njëjtën energji. Ju lutem, ka shumë rëndësi që pasditen e sotme të jemi përsëri të pranishëm në protestë. Kemi mundësi më të mira edhe për sa i përket orarit.Gjithashtu, për personat e shoqëruar nga policia, kemi dërguar avokatë për t’i asistuar dhe për të ndjekur situatën e tyre. Ju lutem, njoftoni sa më shumë njerëz që nuk patën mundësi të ishin paradite për shkak të punës, që sot në orën 18:00 të jenë te Parlamenti. Të jemi të gjithë bashkë”, thuhet në mesazh. Share Ora 14:55 ‘Ec!’ Kryebashkiaku i Memaliajt përleshet me policinë, shtyhen mes njëri-tjetrit Ky është momenti kur kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, përplaset me efektivët e policisë pranë Xhamisë së Namazgjasë. Malaj, bashkë me një tjetër, shtyhen disa herë me policët.Dy policë të tjerë e shtyjnë mbrapsht Malajn duke i bërtitur ‘ec!’, moment që kthehet në një përleshje fizike mes tyre, kurse efektivë të tjerë ndërhyjnë për t’i ndarë. Share Ora 14:51 Tjetër incident në protestë, polici shkelmon protestuesin (VIDEO) Një tjetër situatë është regjistruar në protestë mes policisë dhe protestuesve. Një protestues, i cili nuk dallohet pasi ndodhet brenda një makine policie, goditet vazhdimisht nga një efektiv.Polici e gjuan me shkelm disa herë, pranë shkon një tjetër për ta ndalur. Në këtë valë, policët neutralizojnë edhe një protestues tjetër. Share Ora 14:12 Demokratët e harrojnë protestën, rehatohen në kafene Ndërsa demokratët janë thirrur t’i bashkohen protestës së PD kundër reformës territoriale, një pjesë e mirë prej tyre ndodhen në kafenenë e selisë blu. Share Ora 13:55 Protesta e PD, shoqërohet një protestues (VIDEO) Policia ka shoqëruar një protestues të PD, grupit që ndodhet te Xhamia e Namazgjasë. Nga pamjet shihen një grup efektivësh që kanë kapur protestuesin, i cili përpiqet të bëjë rezistencë.Nuk dihet ende cila është arsyeja e shoqërimit. Share Ora 13:10 Protesta e PD, Korreshi: Perimetër kafshërie, njerëzit janë sulmuar me spray me piper(VIDEO) Nga protesta e PD pranë Xhamisë së Namazgjasë, Saimir Korreshi tha se kordoni i sigurisë i vendosur nga policia është “perimetër kafshërie.” Ai i akuzon për sulme ndaj protestuesve, ndërsa ironizoi edhe kryepolicin Skënder Hita.“Kanë vënë një perimetër kafshërie pëër t’i pritur njerëzit dhe për të hedhur spray me piper. I keni parë ambulancat që kanë marrë protestues të djegur. Gjithë kohën na janë hequr sikur janë dëmtuar, po sot ç’patën? Kush i fryu të godisnin protestuesit? Të mbani mend këta gangot që shajnë protestuesit, të mbrojtur nga shoku Skënder, kryepilici. Këta janë Policia e Shtetit”, tha Korreshi. Share Ora 13:04 Protesta e PD, Xhaferri: Është spostuar në drejtime të ndryshme! Akuza policisë: Jemi dhunuar! Thirrje deputetëve: Mos votoni ‘Territorialen’ (VIDEO) Besart Xhaferri, drejtuesi i Forumit Rinor të PD, tha nga protesta e lokalizuar te Xhamia e Namazgjasë se qytetarët e vetë ai janë dhunuar nga policia. Ai pranoi se protesta kombëtare që thirri Sali Berisha përpara parlamentit, është “e spostuar në drejtime të ndryshme.” Në fakt, bëhet fjalë për një grup qytetarësh para parlamentit dhe rreth 100 të tjerë te Xhamia që janë militantë të Berishës.Thirrja e Xhaferrit ishte për deputetët në Kuvend që të mos votojnë reformën territoriale e cila nuk i përfaqëson qytetarët.“Qytetarët sot kanë thirrur një protestë që duhet të ishte jashtë parlamentit, është spostuar në drejtime të ndryshme. Është shkaktuar një dhunë e egër nga forcat e policisë, e paprovokuar. Të vetmit të dëmtuar janë qytetarët shqiptarë, me spray, me gaz lotsjellës, dhunë fizike, shkopa gome e shqelma. Si qytetarët, u dhunova edhe unë, jo për t’u viktimizuar se e kemi marrë parasysh dhunën që policia e narko-shtetit dhe Gys Agasit që këta i njohin me emër Berti, u bëjnë edhe eskortimin. Sot kemi një shef të ri komisariati. Para disa muajsh jam përballur me ish-shefin e komisariatit 1. Ai shef komisariati dhunoi vetë në mes të rrugës. Këta me uniformë mhen të tregojnë forcën e tyre. Qytetarët shqiptarë nuk do të intimidohen. Mos ta votojnë këtë reformë sepse ata deputetë janë aty për të përfaqësuar qytetarët, votuesit dhe jo interesat e PS”, tha Xhaferri. Share Ora 12:53 Incident në protestë, policët tërheqin mes tyre një protestues, një efektiv e dhunon (VIDEO) Një Incident është shënuar në protestën e qytetarëve përpara parlamentit. Mes protestuesve e policëve ka pasur përplasje dhe efektivët kanë hedhur spray me piper.Disa protestues shihen duke tërhequr diçka nga duart e policëve, kurse këta të fundit marrin me forcë një protestuesit dhe e fusin mes tyre. Më pas, një polic shihet duke i qëlluar vazhdimisht protestuesit.Ndërkohë, e shtrirë në tokë shihet edhe një grua, e lënduar nga spray me piper. Share Ora 12:45 Protesta e PD, shtyrje mes Balliut e efektivëve, pason hedhja e spray-t me piper Këto janë momentet e përplasjes që ndodhën më herët në protestën e PD, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Sipas thirrjeve, Klevis Balliu nuk është lejuar nga efektivët që të kalojë. Më pas ai shtyhet me policët, të cilët reagojnë mbrapsht.Edhe protestuesit shtyjnë gjithashtu, ndërsa më pas efektivët kanë hedhur spray-n me piper. Në këtë moment, të gjithë rendin për t’u larguar. Share Ora 12:29 ‘Territorialja’, kryebashkiaku i Memaliajt thirrje nga protesta: Deputetët të mos votojnë reformën shpopulluese Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, që ndodhet mes protestuesve para Kuvendit që janë kundër reformës territoriale, u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë.“Qytetarët e këtyre 15 bashkive kanë gati 2 muaj që protestojnë në qytetet e tyre. U bëj thirrje sot jo vetëm deputetëve të Gjirokastrës, por të gjithë deputetëve të parlamentit: të mos e votojnë këtë reformë shpopulluese, këtë reformë e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Është një reformë në kundërshtim me kartën e BE. Kjo nuk sjell asnjë zhvillim, veçse shpopullim. Harta e propozuar nga PD ripopullon Shqipërinë”, tha Malaj.Sipas projektit të socialistëve, Memaliaj do t’i bashkohet Tepelenës. Më herët, Malaj pati edhe një përplasje me efektivët e policisë. Share Ora 12:17 Protestuesit e PD tentojnë të kalojnë kordonin, policia u hedh spray me piper (VIDEO) Një tjetër situatë është krijuar në protestë, këtë herë në anën e Xhamisë së Namazgjasë ku ndodhen protestuesit e PD, të cilët janë të paktë në numër. Protestuesit janë shtyrë me efektivët dhe këta të fundit kanë hedhur spray me piper.Disa protestues nuk janë ndier mirë. Pranë policëve janë Klevis Balliu e Besart Xhaferri që po përpiqen të komunikojnë me ta. Share Ora 12:15 Protestuesi shkul pllakat në rrugë, i përplas në asfalt për t’i thyer (VIDEO) Janë nxehur sërish gjakrat në protestën e flamingove. Një protestues ka shkulur pllakat dhe po kap copa të tyre duke i përplasur sërish në asfalt për t’i thyer. Herë pas here i ngre edhe lart, gati duke kërcënuar policët, por një tjetër i shkon pranë për ta qetësuar. Share Ora 12:05 ‘Territorialja, Fisnik Qosja i bashkohet protestës para Kuvendit (VIDEO) Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, merr pjesë gjithashtu në protestën kundër reformës territoriale, e cila po debatohet në Kuvend.Vetë Kavaja nuk preket si bashki, por asaj do t’i bashkohet Rrogozhina. Share Ora 12:01 Flamingot përplasen fizikisht me policinë, spërkaten nga spray me piper! Një i moshuar goditet me send të fortë (VIDEO) Flamingot që ndodhen pranë qendrës tregtare te parlamenti po përplasen fizikisht me efektivët e policisë. Nga protestuesit janë hedhur edhe shishe uji. Efektivët janë kundërpërgjigjur me spray me piper.Një i moshuar është lënduar nga goditjet me sende të forta. Share Ora 11:44 Asllan Dogjani hyn mes flamingove me megafon në dorë, ‘tendoset’ situata (VIDEO) Ish-deputeti Asllan Dogjani, u përzie në protestën e flamingove duke marrë një megafon në dorë çka si pasojë krijoi tension. Një protestues bëri gjeste në dukje duke i bërë shenjë të largohej, por deputeti vijoi njësoj. Share Ora 11:39 Protestuesit djegin koshat e mbeturinave, efektivët shuajnë flakët (VIDEO) Protestuesit i kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave pranë qendrës tregtare krah parlamentit, por janë fikur nga efektivët. Share Ora 11:33 ‘Territorialja’, kryetari i Fushë-Arrëzit: Shkrirja e bashkive prek 300 mijë qytetarë! Mbështetet nga kryebashkiaku i Memaliajt e Korreshi (VIDEO) Hilë Curri, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, është mes protestuesve që kundërshtojnë reformën territoriale. Ai thotë se nga 15 bashkitë që do të shkrihen, preken 300 mijë protestues. Fushë-Arrëzi është bashki që do të bashkohet me Pukën.“Një nga ato 15 kryetarët që preket nga reforma klienteliste e grupit që ka bërë hartën territoriale që s’ka lidhje me hartën e ekspertëve të BE. 300 mijë banorë preken nga ajo reformë. Si shpëtoi Konispoli, Delvina? Kjo është një reformë që Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia! Çuni më i keq që ka njohur Tirana, do të marrë në qafë 300 mijë shqiptarë. Harta nuk i përshtatet komunitetit europian, nuk i afron shërbimet, shkatërron bashkitë që kanë histori, identitet, krahinë. Këta s’kanë shanse të na ndalojnë në rrugën e drejtë e të shenjtë që kemi. Jemi këtu derisa ata të parlamentit të mos votojnë. Ne do të rezistojmë!”, tha Curri.Krah tij, ndodhej edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, si dhe deputeti demokrat i Lushnjes, Saimir Korreshi. Share Ora 11:20 Situatë e tensionuar te flamingot, policia hedh spray me piper! Lëndohet një protestues (VIDEO) Tensionohet edhe më tepër situata përpara parlamentit, aty ku ndodhen flamingot. Policia ka përdorur spray me piper ndaj tyre. Një protestues është lënduar pasi spray i ka rënë në sy. Pranë tij shihen disa të tjerë duke u përpjekur ta ndihmojnë duke i hedhur ujë e solucion.“Mos u sillni si fashistë”, dëgjohen thirrjet drejt policisë. Share Ora 10:56 Policia ndan me kordon sigurie protestuesit e PD dhe flamingove! Përdoret spray me piper te militantët e Berishës (VIDEO) Policia po shtyn protestuesit që tentojnë të kalojnë kordonin e sigurisë te Xhamia e Namazgjasë. Efektivët po përdorin edhe spray me piper. Vihet re se kordoni i policisë është vendosur në mënyrë të tillë që të ndajë protestuesit e PD nga ata të flamingove.Ndërkohë te parlamenti, protestuesit kanë hedhur vezë e flakadanë ndaj policisë. Flamingot bëjnë edhe thirrjen “dorëheqje.” Share Ora 10:50 Balliu i kërkon policisë t’u lirojë rrugën protestuesve! Thirrje nga turma drejt efektivëve: O serb, ke mësuar shqip (VIDEO) Klevis Balliu i ka kërkuar efektivëve të largohen dhe të lirojnë rrugën që protestuesit të vijojnë lirisht, pa u penguar.Klevis Balliu: Hapni rrugën! Nuk e kanë me ju! Mos e bëni personale me njerëzit! Sa drejtorë policie duhet të futen në burg? Shkoni fliteni me shefin! Perimetrin që duhet të bllokoni, bllokojeni! Dilni jashtë, nga ana tjetër, ku keni perimetrin! Protestuesve duhet t’u garantoni sigurinë, siç ua garantoni atyre, siç na e garantoni neve!Protestuesit-Policëve: O serb, ke mësuar shqip?Klevis Balliu: Ku e kemi vendin, sipas ligjit, do të protestojmë!Policia: Lironi rrugën!Klevis Balliu: Kush ta lirojë rrugën? Share Ora 10:50 Bardh Spahia lë seancën plenare dhe shkon në protestë, përpiqet të çajë kordonin e efektivëve (VIDEO) Bardh Spahia dhe një tjetër zyrtar po përpiqen të çajnë kordonin e efektivëve pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku ndodhen protestuesit e PD. Në Kuvend vijon seanca, por disa deputetë e kanë braktisur për të shkuar pranë protestuesve.Veç Spahisë, janë edhe Klevis Balliu, Besart Xhaferri e Saimir Korreshi. Share Ora 10:32 Protestuesit bllokojnë rrugën, përplasen me drejtuesit e mjeteve (VIDEO) Një përplasje ka ndodhur mes qytetarëve dhe protestuesve të grumbulluar te Xhamia e Namazgjasë.Këta të fundit kanë bllokuar kryqëzimin te “Rruga e Elbasanit” që shkon drejt Xhamisë së Namazgjasë. Një drejtuese mjeti kërkon të kalojë, por protestuesit e dëbojnë. Share Ora 10:29 Sali Lushaj në krye të protestuesve të PD, përplaset me policinë (VIDEO) Tensione regjistrohen në protestë, pranë Xhamisë së Namazgjasë. I pranishëm mes protestuesve të PD është edhe Sali Lushaj, i cili po përplaset me policinë. Share Ora 10:25 Protestuesit sjellin pulë, shpendi ‘struket’ pas policëve! Thirrjet: Deputetë frikacakë, keni frikë nga veza (VIDEO) Protestuesit e flamingove kanë lëshuar një pulë në rrugën para parlamentit, e cila është strukur pas efektivëve.“Keni frikë nga veza! Keni frikë nga pula! Deputetë frikacakë!”, thërrasin ata. Share Ora 10:06 Protestuesit e PD nisen nga selia, ‘harrojnë’ Berishën në banderolë: Rama n’burg, Belinda n’burg Protestuesit e mbledhur në selinë e Partisë Demokratike janë nisur drejt parlamentit. Ndryshe nga ç’tha Sali Berisha se do të jetë një nga protestat më të fuqishme, numri i pjesëmarrësve është i ulët.Slogani i tyre është “Rama n’burg, Belinda n’burg”, një version i ndryshuar i thirrjes që flamingot bëjnë prej muajsh, “Rama n’burg, Berisha n’burg.” Share Ora 08:54 Protesta para Kuvendit, policia bllokon hyrjen, në gatishmëri edhe autoboti (VIDEO) Efektivë të shumtë dhe automjete policie kanë bllokuar hyrjen e parlamentit. Pranë ndodhet edhe një autobot, në gatishmëri për neutralizimin e protestuesve. Share Ora 08:50 Protesta kundër ‘Territoriales’, forca të shumta policie në terren (VIDEO) Kuvendi do të nisë pas pak dhe policia ka marrë masat në terren për shkak të protestës së paralajmëruar. Përveç flamingove, edhe PD ka lajmëruar se do të kundërshtojë brenda e jashtë Kuvendit votimin e reformës së re territoriale që e redukton numrin e bashkive nga 61 në 46.Efektivët e policisë janë pozicionuar te Xhamia e Namazgjasë deri te Ministria e Brendshme, por rruga nuk është bllokuar momentalisht. Share P.J/SI.E./ReportTv.al protestat kunder qeverise kuvend 8 tetor 2026 reforma territoriale Komento Komente Arta: 08/10/2026 10:42 E shkreta pule cfare faji ka ajo qe e kan sjelle ne proteste,zoti e ndeshkofte ate qe e solli,kuptohet ka frike e shkreta,prandaj eshte struk tek policet se ndihet me e mbrojtur Përgjigju Sondazhi i ditës: Territorialja për votim në Kuvend, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 61.6% Jo 32.3% Nuk e di 6% Vota total: 1144 Sondazhi i ditës: Territorialja për votim në Kuvend, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?

