Enkelejda Ziu, vajza e Ismete dhe Agim Ziut, të cilët humbën jetën pasi banesa e tyre në Shkozë të Tiranës u përfshi nga flakët, ka rrëfyer detaje të rënda për ngjarjen. Sipas dëshmisë së saj, zjarri dyshohet se u vendos nga partneri i saj, Astriti, pas një konflikti mes tyre, pasi ajo nuk iu përgjigj telefonatave të tij. Ajo tregoi se partneri e kishte akuzuar për biseda me një person tjetër dhe kishte vijuar ta shqetësonte gjatë natës.
“Plasi zjarri në shtëpi, nisa të bërtas me të madhe. Babi e mami dhe djali ishin në dhomën tjetër. Dëgjoja ulërimat e babit e mamit që thoshin: ‘Ndihmë, po digjemi’”, rrëfeu Enkelejda, duke shtuar se prindërit e saj ishin kapur për dore para se të ndërronin jetë. Ajo deklaroi se nuk kishte mundësi t’i shuante flakët, pasi sipas saj, në derën e banesës ishte hedhur benzinë. Gjithashtu, tregoi se djali i saj 20-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe se kishte parë gjithçka që ndodhi.
Enkelejda rrëfeu gjithashtu se partneri i saj i kishte telefonuar gjatë zjarrit, duke i thënë fjalë kërcënuese, ndërsa ajo i ishte përgjigjur se i kishte djegur prindërit. Ajo pretendoi se familja kishte përjetuar edhe më herët episode xhelozie dhe kërcënimesh, por nuk i kishte denoncuar. Sipas saj, zjarrfikësit u vonuan rreth 40 minuta për të mbërritur në vendngjarje. E tronditur nga humbja e prindërve dhe gjendja e të birit, Enkelejda deklaroi se nuk dëshiron të ketë më kontakte me familjarët e partnerit të saj.

