Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresh Kryeziu-Hyseni, ka mirëpritur qëndrimin e LDK-së për të kontribuar në gjetjen e një emri konsensual për president të vendit.Në një intervistë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Kryeziu-Hyseni e ka cilësuar pozitiv qëndrimin e LDK-së dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit. “Prandaj, deklarata e kryetarit të LDK-së dje për qëndrimin që LDK-ja ka marrë sa i përket pozicionimit të saj në krejt situatën që është krijuar dhe fakti që po duan të kontribuojnë në një emër konsensual, mendojmë që është i mirëseardhur”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.Duke folur për situatën politike të krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ajo tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tashmë u ka dërguar partive politike ftesë për takim, në mënyrë që të diskutohet për çështjen e presidentit para se të vazhdohet me procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.Sipas Kryeziu-Hysenit, partitë duhet të arrijnë paraprakisht një marrëveshje për presidentin, pasi në të kundërtën vendi mund të përballet sërish me zgjedhje.“Duhet të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit. Çfarëdo iniciative tjetër do të jetë iniciativë që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe për këtë secila prej partive politike është e vetëdijshme”, ka deklaruar ajo.Kryeziu-Hyseni tha se qëllimi i takimit mes partive është që të arrihet një mirëkuptim për mënyrën se si do të procedohet me çështjen e presidentit përpara konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

