Lajme Zone
Denoncimi në JOQ për dhunën në Gramsh, procedohet penalisht Almir Çekrezi
BotëJOQ Albania

Denoncimi në JOQ për dhunën në Gramsh, procedohet penalisht Almir Çekrezi

Pas denoncimit të publikuar dy ditë më parë në JOQ Albania, ku një 40-vjeçar pretendonte se ishte goditur me levë në Gramsh dhe shprehte shqetësimin se personi që akuzonte për dhunën ishte lënë i lirë, ka reaguar zyrtarisht Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Pas denoncimit të publikuar dy ditë më parë në JOQ Albania, ku një 40-vjeçar pretendonte se ishte goditur me levë në Gramsh dhe shprehte shqetësimin se personi që akuzonte për dhunën ishte lënë i lirë, ka reaguar zyrtarisht Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Në reagimin e saj, policia sqaron se më 2 shtator 2026, rreth orës 21:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Gramsh një 40-vjeçar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 ishte goditur me një send të fortë, konkretisht hekur, nga një 44-vjeçar, për motive të dobëta.

Sipas policisë, pas veprimeve të kryera nga specialistët e Komisariatit të Policisë Gramsh, 44-vjeçari është lënë fillimisht i lirë. Megjithatë, në vijim të hetimeve dhe veprimeve procedurale për dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave, materialet i janë referuar Prokurorisë.

Policia bën me dije se ndaj 44-vjeçarit ka nisur procedimi penal për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, ndërsa materialet janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Rasti u publikua fillimisht nga JOQ Albania më 4 shtator, pas denoncimit të 40-vjeçarit, i cili pretendonte se ishte goditur me levë nga Almir Çekrezi, pas një konflikti të mëparshëm.

Disa orë më vonë, në redaksi mbërritën reagime nga persona që pretendonin se njihnin të dyja palët dhe paraqitën një tjetër version të ngjarjes. Sipas këtij versioni, konflikti mes dy të rriturve lidhej me një episod të mëparshëm, ku pretendohej se djali i mitur i 44-vjeçarit ishte plagosur me thikë. Në redaksi u dërgua edhe një fotografi e një plage të qepur, ndërsa personat që reaguan pretenduan se ajo lidhej me episodin e përmendur.

Në publikimin e dytë, JOQ Albania i paraqiti të dyja versionet, duke theksuar se bëhej fjalë për pretendime të palëve dhe personave që reaguan pas denoncimit të parë dhe se rrethanat e sakta dhe përgjegjësia për ngjarjet mbeteshin për t’u përcaktuar nga organet kompetente.

Tashmë, reagimi zyrtar i Policisë së Elbasanit konfirmon se për ngjarjen e 2 shtatorit është kryer procedimi penal ndaj 44-vjeçarit dhe se çështja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Reagimi i plotë i Policisë së Elbasanit:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me një postim të publikuar në portalin “JOQ”, ku paraqiten pretendime për një rast dhune të ndodhur në qytetin e Gramshit, sqarojmë se:

Më datë 02.09.2026, rreth orës 21:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Gramsh, për të bërë kallëzim, shtetasi A. Ç., 40 vjeç, i cili ka deklaruar se, rreth orës 20:00, shtetasi A. Ç., 44 vjeç, e kishte goditur me send të fortë (hekur), për motive të dobëta. Pas veprimeve të kryera nga specialistët e Komisariatit të Policisë Gramsh, shtetasi A. Ç., 44 vjeç, është lënë i lirë.

Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, specialistët e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave.

Në vijim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Ç., 44 vjeç, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan garanton se çdo kallëzim apo denoncim trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me ligjin, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shtetasi që rezulton përgjegjës.