Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
Vendimi vjen pas konsultimeve të zhvilluara nga kreu i shtetit me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Ndërkohë, Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës nuk iu përgjigjën ftesës së Presidentit për të marrë pjesë në konsultime.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Presidenca bën me dije se Presidenti Begaj u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të marrin pjesë në zgjedhje me kandidatët dhe alternativat e tyre, duke kontribuar në zhvillimin e një procesi të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike.
Sipas Presidencës, në konsultimet për përcaktimin e datës morën pjesë vetëm Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjektet e tjera parlamentare nuk morën pjesë dhe nuk paraqitën një propozim alternativ për datën e zgjedhjeve.
Kodi Zgjedhor përcakton se zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen brenda periudhës 15 prill – 15 maj. Në këtë kuadër, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi datën 9 maj 2027, duke argumentuar se ky afat u krijon institucioneve përgjegjëse më shumë kohë për përgatitjen dhe zbatimin e masave të nevojshme për administrimin e procesit zgjedhor.
Të njëjtën datë mbështeti edhe Partia Socialdemokrate, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Socialiste, sipas njoftimit të Presidencës, u shprehën të hapur ndaj alternativave të mundshme.
Në argumentimin e dekretit, Presidenti Begaj thekson se përzgjedhja e datës 9 maj 2027 nuk është bërë mbi bazën e ndonjë preference për favorizimin e forcave të caktuara politike. Sipas tij, kjo datë nuk krijon asnjë ndikim potencialisht të dëmshëm mbi ushtrimin e lirë të vullnetit të zgjedhësve.

