Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në, duke akuzuar Kreun e Shtetit se ka hequr dorë nga roli i tij kushtetues. Sipas Bardhit, shpallja e ligjit, për të cilin ai pretendon se është miratuar me shkelje të Kushtetutës, tregon se janë dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve në vend. Deputeti demokrat shprehet se Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues të verifikojë nëse ligjet janë miratuar në përputhje me procedurat kushtetuese dhe në rast shkeljesh, t’i kthejë ato për rishqyrtim në Kuvend. LEXO EDHE:Presidenti Begaj dekreton hyrjen në fuqi të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në Bardhi akuzon Presidentin se me përjashtim të një rasti që sipas tij lidhej me interesin personal të Kreut të Shtetit, Bajram Begaj nuk ka kthyer asnjë ligj për rishqyrtim, edhe në raste kur, sipas opozitës, janë konstatuar probleme të rënda kushtetuese. Sipas tij, kjo sjellje e ka kthyer Presidentin në një "noter të akteve të mazhorancës socialiste", duke cenuar rolin e institucionit si garant i Kushtetutës dhe i ekuilibrit institucional. Në reagimin e tij, Bardhi paralajmëron se përqendrimi i pushtetit dhe dobësimi i institucioneve përbëjnë rrezik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndërsa dënon dekretimin e ligjit për huanë si një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues. Reagimi i plotë i Gazment Bardhit: "Shpallja nga Presidenti i Republikës, më 30 korrik, e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, pavarësisht shkeljes flagrante të Kushtetutës gjatë procedurës së miratimit të tij, është një provë e qartë se në Shqipëri Edi Rama ka çmontuar çdo mekanizëm kushtetues të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve. Në një shtet demokratik, Presidenti i Republikës nuk është noter i vendimeve të qeverisë. Kushtetuta i ka dhënë atij detyrën të verifikojë nëse ligjet janë miratuar në përputhje me procedurat kushtetuese dhe, kur konstaton shkelje, të ushtrojë kompetencën për t'i kthyer ato për rishqyrtim. Ky është një mekanizëm themelor i kontrollit dhe balancës së pushteteve, jo një formalitet protokollar. Që nga marrja e detyrës nga Bajram Begaj, ky mekanizëm është bërë praktikisht inekzistent. Me përjashtim të një rasti që prekte interesin e tij personal, Presidenti nuk ka kthyer asnjë ligj për rishqyrtim në Kuvend, edhe kur bëhej fjalë për akte me probleme të rënda kushtetuese, të cilat më pas janë konfirmuar si të tilla nga Gjykata Kushtetuese. Ky nuk është më ushtrim i funksionit kushtetues të Presidentit. Ky është dorëzim i rolit të Kreut të Shtetit përballë vullnetit të qeverisë. Bajram Begaj ka zgjedhur të jetë noter i akteve të mazhorancës socialiste, në vend që të jetë garant i Kushtetutës dhe mbrojtës i ekuilibrit institucional. Kur Presidenti heq dorë nga kompetencat e tij, Kuvendi funksionon si zgjatim i qeverisë dhe institucionet e pavarura dobësohen ose nënshtrohen, atëherë pushteti nuk ndahet më, por përqendrohet. Dhe përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm është kërcënimi më i madh për çdo demokraci. Demokracia nuk rrëzohet gjithmonë me një akt të vetëm. Ajo gërryhet çdo ditë nga heshtja e institucioneve, nga braktisja e detyrimeve kushtetuese dhe nga pranimi i arbitraritetit si mënyrë qeverisjeje. Akti i Presidentit të Republikës për të shpallur këtë ligj, pavarësisht shkeljes së dukshme të Kushtetutës në procedurën e miratimit, përbën një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës. Ai dëshmon se institucioni që duhet të ishte garancia e fundit e Kushtetutës ka zgjedhur të mos e ushtrojë këtë përgjegjësi. E dënoj me forcë këtë akt dhe rolin që Presidenti i Republikës po luan në dobësimin e kushtetutshmërisë, të ndarjes së pushteteve dhe të demokracisë në Shqipëri. Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si një pengesë formale përballë abuzimeve me pushtetin." R.Xh/Shqiptarja.com TAG: dekreti marreveshja me SHBA Bajram Begaj gazment bardhi Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.2% 100 bashki (PD) 16% 61 bashki (si sot) 27.9% Vota total: 2897 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?
