Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku rikonfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk duhet parë si një qëndrim kundër shqiptarëve, por si një lëvizje e diktuar nga interesat strategjike të Kievit. Kështu u shpreh analisti i çështjeve të rajonit, Sadri Ramabaja, i ftuar në Report TV, teksa analizoi zhvillimet e fundit mes Ukrainës, Serbisë dhe Kosovës. Sipas Ramabajës, vizita e Zelenskyt në Serbi lidhet edhe me interesin që Ukraina ka për industrinë ushtarake serbe, ndërsa në planin afatgjatë mund ta detyrojë vetë Beogradin të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit. “Kemi të bëjmë më shumë me një shikim të interesit të pastër strategjik të çastit nga ana e Zelensky-t dhe duhet të kemi parasysh interesin që Ukraina ka për armët që prodhohen në Serbi dhe u dërgohen ushtarëve ukrainas. Kjo vizitë mund t'i kushtojë Vuçiçit në raportet e tij me Rusinë dhe pozicionimin mes Rusisë dhe BE, Rusisë dhe Perëndimit dhe Kinës dhe Perëndimit. Vuçiç do të jetë më i shtyrë drejt heqjes dorë nga pozicionimi me të gjithë dhe kundër të gjithëve. Do të ketë ripozicionim gjeopolitik kur të detyrohet të marrë një pozicion. Sigurisht që deklarata e Zelensky-t do të jetë një kontribut për pozicionimin strategjik të Serbisë. Shihet si kundër shqiptarëve, por mund ta detyrojë Serbinë të ripozicionohet në të ardhmen e afërt.” LEXO EDHE:Bardhi reagon pas deklaratës së Zelensky-t për Kosovën: I shërben Vuçiçit dhe interesave të Rusisë Deklaratat e Ramabajës vijnë pasi Zelensky, gjatë vizitës në Beograd, konfirmoi se Kievi nuk do ta ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Qeveria shqiptare reagoi duke theksuar se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa edhe Prishtina shprehu keqardhje për qëndrimin e presidentit ukrainas. Analisti u ndal edhe te deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili paralajmëroi se Serbia po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, një projekt që sipas tij mund të ndikojë edhe në liqenin e Ujmanit. Për Ramabajën, kjo nuk është një deklaratë e zakonshme, por një sinjal që duhet lexuar në kontekstin e strategjisë së re të Beogradit. “Kjo çështje është serioze. Prek pozicionimin e ri të Serbisë në këtë hapësirë, nga Ujmani tek Sanxhaku. Serbia ka hequr dorë nga pushtimi klasik i shteteve fqinje por përmes doktrinës së botës serbe dhe aplikimit të gjeopolitikës së varësisë, pretendon që të paralajmërojë mundësitë e një rreshtimi të ri gjeopolitik të Serbisë. Vëmendja e politikës shqiptare duhet të jetë më e zgjuar dhe pres reagim më të fortë nga Tirana zyrtare.” Ramabaja vlerësoi se zbatimi i një projekti të tillë do të përballej me pengesa të shumta juridike dhe teknike, por paralajmëroi se dimensioni politik i kësaj nisme nuk duhet nënvlerësuar, sepse vjen në kontekstin e asaj që e ai e quajti 'krijimi i botës serbe." “Në rrafshin teknik është e vështirë të realizohet se ka pengesa nga marrëveshjet ndërkombëtare por kemi të bëjmë me një Serbi që pretendon të pozicionohet me mbështetjen e Perëndimit dhe SHBA. Siguria kombëtare nuk mund të konceptohet vetëm në terma ushtarakë. Uji, energjia, ushqimi, infrastruktura, Serbia po rishikon doktrinën që shpie drejt krijimit të botës serbe. Reagimi i koordinuar i Tiranës dhe Prishtinës, pse jo me Podgoricën do krijonte hapësirë të veçantë që të stopohet procesi i krijimit të botës serbe.” U.D/Shqiptarja.com TAG: Volodymyr Zelensky beograd kosove serbi ukraine sadri ramabaja Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
9 Gusht, 17:40
A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 46% Jo 46.1% I/e dyzuar 7.9% Vota total: 1266 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 9 Gusht, 17:40 A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?
