Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin për deklaratat e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës për vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave.
Në deklaratë thuhet se aludimet për lidhje politike të prokurorit me një vendimmarrje konkrete rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij “Urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit”, thuhet në ndër të tjera në deklaratë. Më tej, Shoqata e Prokurorëve i bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët.
Deklarata e plotë:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës.
Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.
Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjen e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik.
Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

