Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, gruaja e moshuar spanjolle që u bë simbol i krizës së strehimit në vend pas dëbimit nga apartamenti ku kishte jetuar për më shumë se 70 vjet, ka ndërruar jetë. Lajmi u bë i ditur nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, e cila tha se Abascal ndërroi jetë pasi situata e saj kishte shkaktuar reagime të forta publike dhe protesta në të gjithë Spanjën.
Më 23 shtator, 87-vjeçarja u nxor me forcë nga banesa e saj mbi një barelë, pasi nuk ishte më në gjendje të përballonte rritjen e qirasë.
Një problem ligjor i kishte mundësuar pronarit të banesës që qiranë ta rriste nga 500 euro në 2,650 euro në muaj. Më pas, shuma u ul në 1,650 euro, por edhe kjo ishte rreth 300 euro më shumë se pensioni mujor i gruas.
Pas dëbimit, kompania që zotëronte apartamentin ofroi që Abascal të rikthehej me një qira më të ulët. Por marrëveshja nuk mundi të firmosej, pasi 87-vjeçarja ishte shtruar në spital.
“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot”, deklaroi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, duke e cilësuar rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.
Rasti shkaktoi zemërim të madh dhe u shndërrua në një nga simbolet e krizës së strehimit në Spanjë. Protestat ushtruan presion mbi qeverinë e koalicionit të kryeministrit Pedro Sánchez për miratimin e masave emergjente për strehimin, por projektligjet u rrëzuan më vonë në Kongres.
Dhjetëra mijëra persona dolën në rrugët e qyteteve spanjolle pas rrëzimit të këtyre masave, duke kërkuar ndërhyrje për rritjen e kostove të banesave dhe mbrojtjen e qiramarrësve.
Sindikata e Madridit tha se marrëveshja që do t’i mundësonte Abascal të rikthehej në shtëpinë e saj erdhi shumë vonë.
“Një situatë krejtësisht e shmangshme pas një procesi torturues”, u shpreh organizata, duke shtuar se çmimi i paguar për të arritur deri në këtë pikë “ishte shumë i lartë”.
Pas lajmit për vdekjen e saj, protestues u mblodhën në Puerta del Sol, një prej shesheve kryesore të Madridit, i cili prej ditësh është kthyer në një pikë grumbullimi për protestat e lidhura me krizën e strehimit.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për familjen e 87-vjeçares. Top Channel

