Një debat i tensionuar në Komisionin e Ligjeve mes kryetarit Ulsi Manja dhe kreut të Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha. Përplasja nisi teksa Hoxha kërkoi që Unioni të shprehej edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Manja i kërkoi të fokusohej te projektligji që po shqyrtohej nga komisioni.
Situata u tensionua më tej kur Hoxha këmbënguli se duhej t’i jepej mundësia të shprehte qëndrimin e Unionit pa u orientuar se çfarë duhej të diskutonte. Në një moment, pas replikave mes tyre, Manja urdhëroi fikjen e mikrofonit të Hoxhës.
“Ju nuk mund të interpretoni fjalët e mia”, u shpreh Manja, duke i kërkuar kreut të Unionit të Gjyqtarëve të vijonte me qëndrimin e tij.
Debati-
Manja: Zoti Hoxha e ka fjalën, për të dhënë edhe ai, në emër të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, qëndrimin në lidhje me, të bëjmë një saktësim, me projektligjin, jo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i saj e ka thënë çfarë ka për të thënë vetë, ne duam një qëndrim tuajin me projektligjin që diskutuam sot.
Hoxha: Tani nëse na keni thirrur këtu, do na respektoni dhe do ta dëgjoni çfarë do të themi.
Manja: Jo jo, ju thoni çfarë të doni
Hoxha: Në qoftë se do të më orientosh se si do diskutoj, më vjen keq, por nuk është kjo. Ne iu respektuam të gjithëve ju, ftesa erdhi 15 minuta përpara, nuk ishte aspak serioze, por për të respektuar Kuvendin, popullin shqiptar, magjistratët dhe Kushtetuesen, ne erdhëm sot këtu për të dhënë mendimet tona. Se çfarë do të diskutojmë në, brenda kuadrit ligjor, atë e dimë ne, kështu që do t’iu lutesha të na dëgjoni. Do flasim për vendimin e Kushtetuese, ku është zanafilla. Nuk mund të shkojmë të flasim për degët, kur kemi prerë pemën. Nëse e pret pemën, degët bien në tokë, kështu që, ju lutem, na lini të flasim.
Manja: Zoti Hoxha, t’i ndajmë gjërat, ky është Kuvendi i Shqipërisë dhe është sovrani .
Hoxha: Po patjetër!
Manja: Ne kemi shumë respekt për pushtetin që ju përfaqësoni.
Hoxha: Na respektoni se na keni ftuar si miq.
Manja: Të lutem, të lutem, fikeni mikrofonin, nuk regjistron. Ne kemi shumë respekt për ju. Edhe nuk i’ua kufizojmë të drejtat, shumë faleminderit që keni ardhur, do iu dëgjojmë me shumë vëmendje, fol cfarë të duash, shpreh opinionin në emër të Unionit të Gjyqtarëve, por jo me këtë gjuhë me sovranin, të lutem.
Hoxha: Gjuha ishte me shumë edukatë, në të njëjtin intonacion si ju
Manja: Shiko, ju nuk mund të interpretoni fjalët e mija, unë kam gjatë durimin sot, edhe si kryetar komisioni, por edhe kolegët e mijë deputet, t’iu dëgjojmë deri në fund. Ju jepni opinionin tuaj se unë nuk orientoj çfarë do të thoni. Unë sot ju kam thirrur për projektligjin, për këtë ishte ndërhyrja ime, ju mund të thoni çfarë të doni, kështu që merrni fjalën, keni të gjithë kohën në dispozicion. Top Channel

