Kundërshtime të forta ka pasur nga opozita për konsultimin publik të nisur nga Bashkia e Elbasanit për reformën e re administrative-territoriale. Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, e cilësoi procesin të pamjaftueshëm, duke argumentuar se një reformë e tillë duhet të konsultohet gjerësisht me qytetarët dhe, sipas tij, edhe përmes referendumit. Alizoti kritikoi nivelin e organizimit të dëgjesës dhe tha se decentralizimi dhe ndarja e pushteteve janë elementë thelbësorë të demokracisë. Në projekt-draftin e reformës territoriale parashikohet që Bashkisë së Elbasanit t’i bashkohen bashkitë e Cërrikut dhe Belshit. Kjo është kundërshtuar edhe më herët nga banorë të këtyre zonave. Tomor Alizoti: Kjo vetëm dëgjesë publike nuk ishte. Ishte e para që unë dëgjova dhe unë u mblodha bashkë me zotin Himçi, me zotin Turku, me zotin Muzhaqi, me njerëz që e njohin shumë mirë qytetin, e kuptojnë dhe reformën. Është fatkeqësi që në 2022-shin Shqipëria, populli shqiptar, qeveria shqiptare edhe bashkitë në Shqipëri janë në këtë nivel. Pra kjo mund të ngjajë në vitet ’50-’60 kur bërtisnin të gjithë ‘Enver Hoxha rroftë sa malet’, ‘Enver Hoxha të ngjatë jetën’, se ju jeni vajza të reja dhe s’e dini atë kohë. Një turp, një turp për një vend që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dy fjalë për qytetarët. Reforma territoriale është reforma më e rëndësishme për një vend, se njerëzit jetojnë në territore dhe të bësh një reformë të tillë duhet t’i pyesësh njerëzit, duhet të mbash një referendum. Demokracia ku ne duam të shkojmë, Bashkimi Europian, ka një element thelbësor që quhet demokraci, që është decentralizimi i pushtetit, është ndarja e pushteteve. Kur pushteti shkon në një dorë, atëherë kemi autokraci. Ne duam të ikim në demokraci, që është ndarja e pushteteve. Dhe më vjen keq kur dëgjoj dhe një kryetar bashkie totalisht injorant! Totalisht injorant! Është tragjike. E di që një i marrë si Edi Rama që ia ka bërë Shqipërisë nuk ia ka bërë kush. Pra është situata më tragjike, unë preferoja të dëgjoja kolegët dhe të shikoja situatën. Foli dhe artikuloi shumë bukur mbi situatën politike zoti Himçi, po ashtu dhe një profesionist i nderuar si zoti Turku dhe zoti Muzhaqi. Por nëse ne si shqiptarë edhe si Parti Demokratike nuk çohemi, nuk mobilizohemi, Shqipëria do bëhet keq e më keq sepse injoranca dhe idiotesia e ka pushtuar këtë vend. Ju faleminderit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

