Dashuria në kohët e sotme merr forma nga më të çuditshmet, por në Shkozet të Durrësit çifti i radhës e ka çuar nocionin "deri sa vdekja të na ndajë" në një nivel krejt tjetër.
Pasditen e kësaj të enjteje, një sherr në familje ka degraduar në një raund të mirëfilltë "skermë" shtëpiake, ku burrë e grua kanë vendosur të zgjidhin mosmarrëveshjet jo me fjalë, por duke qëlluar njëri-tjetrin me thikë. Rezultati? Një barazim i pastër ku të dy kanë mbetur të plagosur rëndë.
Pas përplasjes së armëve në kuzhinë, në vendngjarje kanë mbërritur me nxitim policia dhe ambulanca, të cilat, në vend që të arrestonin njërin, u detyruan t'i marrin të dy me një rrugë për në spital.
Tashmë çifti i "dashuruar" po merr ndihmën e nevojshme mjekësore krah për krah në dhomat e spitalit, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore mbetet ende nën monitorim. Motivet se pse vendosën të bënin këtë "shkëmbim dhuratash" me tehe të mprehta nuk dihen ende, por duket se pasionin nuk e kanë kursyer fare.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon me përkushtim për të zbardhur dinamikën e këtij "dueli" familjar dhe për të kuptuar se kush e hëngri thikën e parë e kush ia ktheu kusurin.

