Gazetari Artan Hoxha ka komentuar protestën e studentëve dhe përplasjet me Policinë e Shtetit, gjatë një interviste në News24, ku foli për zhvillimin e protestave dhe reagimin e forcave të rendit. Hoxha e cilësoi protestën aktuale si një valë të dytë të revoltës qytetare, që sipas tij nisi nga studentët dhe u mbështet nga qytetarë të shumtë. Ai bëri një paralelizëm me protestat e nisura në fund të muajit maj, pas ngjarjes në Zvërnec, të cilat u njohën si “Revolucioni i Flamingove”. Sipas gazetarit, në atë periudhë qytetarët dolën në shesh si pasojë e pakënaqësisë së akumuluar ndaj qeverisjes dhe sjelljes së kryeministrit Edi Rama. Hoxha u ndal veçanërisht te reagimi i Policisë së Shtetit, duke e cilësuar dhunën gjatë protestës si të paprecedentë dhe përtej çdo parashikimi. Gazetari ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si u zhvilluan ndërhyrjet policore në sheshin “Skënderbej”, duke pretenduar se mes personave të ndaluar apo të kapur nga policia kishte edhe turistë. “Këtë radhë është një lloj tjetër proteste, nisi në fundin e majit, nisur nga rasti i Zvërnecit, u quajt revolucioni i Flamingove. Por dalja e Tiranës në shesh ishte sepse i kishte shkuar në majë të hundës me këtë pushtet dhe Rama ishte bërë një kryeministër që nuk dëgjonte më, por ishte dhe duke i tallur, provokuar. Ndaj qyteti doli në shesh dhe kjo gjë zgjati të paktën 10 ditë, me kalimin e kohës, dua të them se koha i jep mundësi pushtetit…Kjo ishte vala e parë. Vala e dytë ‘Revolta e Shqiponjave’ që nisi nga studentët dhe u mbështet nga gjithë qytetarët dhe u mbështet. Dhe dhuna ishte sepse policia përdori të gjitha asetet e saj. Tirana edhe për shkak të keqqeverisjes është kthyer në një labirint…Vala e dytë e protestës u shoqërua me dhunë të pashembullt nga policia, tej çdo parashikimi…Në sheshin Skënderbej kapnin dhe turistët”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
