Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur këtë të hënë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 33 vatra zjarri në të gjithë vendin, prej të cilave 6 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 10 të tjera mbahen nën mbikëqyrje. Për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në terren janë edhe Forcat e Armatosura me 60 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator të rëndë me zinxhir, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Operacionet vijojnë në disa qarqe, ndërsa fokusi kryesor është në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës. Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja për shuarjen e vatrave ende aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun, në Bashkinë Pukë, operacionet janë zhvilluar me forca vendore dhe të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës së sotme janë dislokuar edhe 40 efektivë të FA-së dhe një helikopter për mbështetje nga ajri. Situata është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Ndërkohë, vatra në Prozhëm vijon të jetë aktive, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin e saj. Në qarkun Dibër vijojnë aktive zjarret në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa vatra në Bërshi mbahet nën mbikëqyrje. Në Mirditë, vatra në Shtuf vijon aktive. Ndërkohë, zjarret në Lufaj dhe Tenë janë izoluar dhe po monitorohen. Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet në terren, me prioritet izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe parandalimin e riaktivizimeve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
