“S’mundem më, kam nevojë për psikolog!”. Kjo është thirrja e dëshpëruar e një 34-vjeçareje nga Fieri, e cila pretendon se është përdhunuar dhe dhunuar nga një 52-vjeçar, i identifikuar si Bledar Bakaj, të cilin e cilëson si dajën e deputetes socialiste Zegjine Çaushi. Sipas dëshmisë së saj, ngjarja ka nisur në muajin maj të këtij viti, kur 52-vjeçari dyshohet se e ka marrë me mashtrim në banesën e tij, duke i premtuar ndihmë për punësim dhe trajtim mjekësor. 34-vjeçarja pretendon se ka qëndruar për 45 ditë në banesën e tij dhe se gjatë kësaj kohe është përballur me dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme. “Kam përjetuar gjëra të tmerrshme... Më ka dhunuar, më ka kërcënuar, më ka dhunuar nga të gjitha anët, nuk mundem më. Dua psikolog!”, është shprehur ajo në kushtet e anonimatit.
E reja pretendon se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka mundur të largohej nga banesa, pasi sipas saj ka qenë nën kërcënime të vazhdueshme për jetën. “Nuk lëvizja dot, s’kisha shanse. Vetëm isha nën kërcënime, në dhunë. Çdo minutë, çdo minutë, më thoshte: ‘Do të vras, do të vras!’”, ka rrëfyer ajo me lot në sy. Babai i saj, 67 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Fierit pasi mbeti i plagosur në përplasjen e fundit me 52-vjeçarin, tregon se familja jeton në kushte të vështira ekonomike. Ai thotë se kishte kërkuar punë për vajzën, pasi familja përballet me detyrime dhe të ardhura të pamjaftueshme, ndërsa tre djemtë i ka në emigrim. Sipas tij, Bakaj e kishte marrë fillimisht pranë spitalit për një vizitë, duke i premtuar se do ta ndihmonte për kurim në Tiranë, por më pas dyshohet se e ka çuar në banesën e tij dhe se gjatë rrugës, në zonën e kodrave të Vlorës, ka ndodhur përdhunimi i pretenduar.
Pas rreth 45 ditësh, 34-vjeçarja ka mundur të rikthehet te prindërit dhe ka bërë denoncim në polici. Sipas familjes, në muajin gusht gjykata kishte vendosur edhe një urdhër-mbrojtjeje ndaj 52-vjeçarit. Megjithatë, mbrëmjen e 13 shtatorit, ai dyshohet se ka shkuar në banesën e familjes me qëllim për ta marrë sërish 34-vjeçaren. Babai i saj tregon se ka ndërhyrë për ta mbrojtur vajzën dhe gjatë konfliktit është goditur me drapër në këmbë, duke pësuar një plagë që i shkaktoi humbje të konsiderueshme gjaku. 67-vjeçari pretendon se 52-vjeçari kishte edhe një sëpatë me vete dhe se gjatë përplasjes ka rënë në një pus me ujë rreth 5 metra të thellë. “Erdhi sepse donte të merrte çupën, siç e mori herën e parë. Donte ta merrte për herë të dytë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se i dyshuari ka dalë nga pusi përmes tubit të pompës dhe më pas është arrestuar nga policia. Sipas tij, në pus mund të kenë mbetur edhe drapëri dhe telefoni i 52-vjeçarit.
Aktualisht, 52-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Përballë akuzave të 34-vjeçares dhe familjes së saj, ai ka mohuar se e ka përdhunuar dhe, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, ka pretenduar se mes tyre ka pasur bashkëjetesë. Edhe policia është shprehur se 34-vjeçarja ka qenë bashkëjetuese me 52-vjeçarin, pretendim që kundërshtohet prerazi nga babai i saj. “Është marrë me forcë, jo për bashkëjetesë!”, ka deklaruar 67-vjeçari. Tashmë pritet që hetimet, dëshmitë, provat materiale dhe vendimi i gjykatës të përcaktojnë rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

