Pas më shumë se tre vitesh në kërkim ndërkombëtar, Jasin Kala alias Jasin Avdyli, i njohur si “Cinja” i Shijakut, është arrestuar në Belgjikë. 58-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” më 4 prill 2023.
Kala akuzohet për prodhim dhe shitje narkotikësh, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe shitjen e tyre në disa shtete.
Po ashtu, dyshohet se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në dy pasuri të paluajtshme, të përdorura si lokale në Shijak.
Tashmë pritet vijimi i procedurave për ekstradimin e 58-vjeçarit drejt Shqipërisë.
