Tregu i shumicës në Korçë nis të gjallërohet që në orët e para të mëngjesit, por për blerësit, mbushja e qeseve është bërë gjithnjë e më e vështirë. Mes klientëve të rregullt janë pensionistët, të cilët thonë se të ardhurat e tyre nuk përballojnë çmimet e ushqimeve, frutave dhe perimeve. Një prej tyre, e cila jeton në Greqi dhe ndodhet në Korçë për pushime, thotë se ka vënë re një diferencë të madhe mes çmimeve në Shqipëri dhe atyre në Greqi. “Të ndryshme, çfarë të gjej. Shumë të shtrenjta. Unë jetoj në Greqi. Në krahasim me të Greqisë janë shumë të shtrenjta dhe me rrogën që marrin, janë shumë të shtrenjta. Bleva se jam e detyruar se më duhen. Pa ngrënë do rri?” thotë një pensionist. Edhe pensionistë të tjerë thonë se detyrohen të blejnë vetëm produktet më të lira, pasi të ardhurat mujore nuk u lejojnë më shumë. “Ku i blejmë me këto pensione të pakta që janë? Ku e arrijmë dot? Vijmë, marrim ndonjë gjë, ndonjë domate të lirë. Ku i përballojnë dot, dihet ajo”, shprehet një tjetër. Por vështirësitë nuk janë vetëm për konsumatorët. Edhe tregtarët flasin për një rënie të ndjeshme të blerjeve, ndërsa kostot e prodhimit, çmimi i inputeve bujqësore dhe mungesa e mbështetjes, sipas tyre, e rëndojnë situatën. Në tregun e Korçës shqetësimi është i dyfishtë. Pensionistët thonë se nuk përballojnë dot çmimet, ndërsa tregtarët përballen me rënien e blerjeve dhe kostot e larta. Një realitet që tregon se për familjet me të ardhura të ulëta, shporta e përditshme po bëhet gjithnjë e më e rëndë.
