Lajme Zone
Dita e gjashtë e gjyqit ndaj Lindsay Clancy/ Juria ende pa vendim, avokati sjell në gjykatë dhjetëra letra mbështetjeje
EkonomiTop Channel

Dita e gjashtë e gjyqit ndaj Lindsay Clancy/ Juria ende pa vendim, avokati sjell në gjykatë dhjetëra letra mbështetjeje

Seancat me 12 anëtarët e jurisë që po vendosin për fatin e Lindsay Clancy, nënës nga Massachusetts e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023, kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa juria ende nuk ka arritur një vendim unanim.

Seancat me 12 anëtarët e jurisë që po vendosin për fatin e Lindsay Clancy, nënës nga Massachusetts e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023, kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa juria ende nuk ka arritur një vendim unanim. Gjatë seancës së sotme, avokati mbrojtës Kevin Reddington i paraqiti gjykatës një kuti me letra mbështetjeje që, sipas tij, Clancy ka marrë nga njerëz në vende të ndryshme të botës.

“Ai i lexon të gjitha”, tha Reddington, ndërsa ua dorëzoi letrat prindërve të Clancy-t, të cilët ndodheshin në sallën e gjyqit.

Dhjetëra letra janë dërguar nga mbështetës të gruas, disa prej të cilëve kanë qenë të pranishëm edhe në seancat e fundit të gjyqit. Sipas CNN, disa prej tyre kanë treguar se i kanë shkruar personalisht Clancy-t dhe kanë diskutuar edhe për qëndrimin e saj në Spitalin Tewksbury, ku ajo mbahet aktualisht.

Çështja ka shkaktuar reagime të forta në SHBA, ndërsa në qendër të procesit gjyqësor është gjendja mendore e Clancy-t në momentin e vrasjeve. Prokuroria pretendon se nëna veproi “me qëllim, në mënyrë racionale dhe të shpejtë” kur vrau tre fëmijët e saj. Në të kundërt, mbrojtja argumenton se Clancy nuk duhet të mbajë përgjegjësi penale, pasi në atë periudhë vuante nga psikoza pas lindjes.

Juria, e përbërë nga nëntë gra dhe tre burra, i tha gjyqtarit William Sullivan të martën dhe të mërkurën, më 1 dhe 2 shtator, se nuk ishte në gjendje të arrinte një vendim unanim.

Sullivan u dha më pas anëtarëve të jurisë udhëzimin “Tuey-Rodriguez”, përmes të cilit u kërkohet të rishikojnë argumentet dhe provat e paraqitura gjatë procesit dhe të marrin në konsideratë arsyeshmërinë e qëndrimeve të ndryshme.

Nëse juria mbetet sërish e bllokuar dhe nuk arrin një marrëveshje, gjyqtari mund të shpallë gjyqin të pavlefshëm dhe çështja mund të shkojë drejt një rigjykimi.

Avokati Reddington tha se është i përgatitur edhe për një proces të ri gjyqësor.

“I kam dëshmitarët gati. Ne jemi gati. Kemi të gjitha provat. Dëshmitarët janë të disponueshëm. Pra, le të fillojmë”, deklaroi ai.

Lindsay Clancy akuzohet se në janar të vitit 2023 mbyti tre fëmijët e saj të vegjël. Rasti ka marrë vëmendje të gjerë në SHBA, veçanërisht për shkak të debatit mbi gjendjen e saj mendore pas lindjes dhe ndikimin që ajo mund të ketë pasur në veprimet e saj. Top Channel