Lajme Zone
Cirku i së premtes në orën pesë!
PolitikëPamfleti

Cirku i së premtes në orën pesë!

Një pushtet që kontrollon gjithçka dhe një parti që zotëron rrjetin më të madh të njerëzve dhe burimeve në vend, nxorën si përgjigje ndaj popullit në revoltë takimin e së premtes në orën pesë.

Karikatura Pamfleti / Qytetarët kërkojnë përgjigje për Kadastrën, shëndetësinë, arsimin, kullat dhe bregdetin, ndërsa Edi Rama u ofron një takim propagandistik me deputetët… “Reflektimi” i Edi Ramës, pasi heshti për dy muaj dhe premtoi një përgjigje ndaj protestave, tregoi se mazhoranca jo vetëm është stërlodhur, por është atrofizuar plotësisht.

Një pushtet që kontrollon gjithçka dhe një parti që zotëron rrjetin më të madh të njerëzve dhe burimeve në vend, nxorën si përgjigje ndaj popullit në revoltë takimin e së premtes në orën pesë.

Një nocion krejt jashtë realitetit, që mund të prodhojë hipokrizi pa fund, por jo një përgjigje politike ndaj kërkesave të qytetarëve.

Takimi i së premtes në orën pesë nuk është gjë tjetër veçse një cirk butaforik për të mbushur kohën e atyre që mund të gënjehen ende nga propaganda.

I ngjan pak a shumë ritit të faljes së xhumasë, ku praktikantët që nuk i respektojnë rregullisht detyrimet fetare nuk e humbasin kurrë faljen e së premtes, sepse i shohin të gjithë. Pas ritit pinë kafe dhe duken sikur kanë shkuar më shumë për t’u shfaqur në publik.

Edhe sikur ky artific i Edi Ramës të shtojë mundësinë që njerëzit të takojnë deputetët dhe t’u qajnë hallet, ai mbetet një akt hipokrit në kuptimin e plotë të fjalës.

Përgjigjja politike nis me distancimin real nga strukturat kriminale. Ajo kërkon largimin e zyrtarëve të njohur për abuzime dhe zëvendësimin e tyre me njerëz që kanë një të kaluar të pastër penale dhe administrative.

Mazhoranca jep përgjigje politike kur bën ndryshimet e nevojshme në kupolën drejtuese dhe në qeveri, për të krijuar një moment të ri politik. Qytetarët votojnë një mazhorancë për të marrë vendime politike, jo për të organizuar ‘falje xhumaje’ të stisura dhe për t’i transmetuar më pas në rrjetet sociale.

Qytetarët revoltohen me qeverinë sepse nuk marrin dot një dokument kadastral për një veprim krejt rutinor. Ata protestojnë sepse Kadastra nuk u përgjigjet, edhe pse kërkesat në “e-Albania” nuk reshtin. Kadastra i detyron të zhvillojnë takime informale, pas të cilave shfaqen sekserë dhe matrapazë që kërkojnë t’ua blejnë pronën.

Nëse qytetarët nuk e pranojnë këtë lojë, prona mbetet e bllokuar dhe njerëzit, të shtyrë nga halli, bien viktima të mafies.

Qytetarët revoltohen me shërbimet shëndetësore dhe me sistemin arsimor, ku prindërit mhen çdo ditë për t’i çuar dhe marrë fëmijët nga shkolla. Ata harxhojnë qimet e kokës për të paguar shërbimin “after school”, i cili shpesh funksionon si një kopsht zhvatës për mbajtjen e fëmijëve pas mësimit.

Një mazhorancë përgjigjet duke përmirësuar qeverisjen dhe duke treguar empati reale ndaj njerëzve që trokasin në dyert e shtetit. Qytetarët e votojnë pikërisht për këtë.

Ata kërkojnë përgjigje për abuzimin me territorin, ndërsa kullat mbushin qytetet, u zënë frymën banorëve dhe ngrihen pa i pyetur, përmes vendimeve arrogante.

Betonieret, matrapikët dhe saldimet ua kanë bërë të padurueshme jetën e përditshme.

Qytetarët kërkojnë përgjigje politike për copëtimin dhe degradimin e bregdetit, të cilin pushteti e trajton si mall belik për oligarkët dhe baronët e krimit të organizuar.

Këta e kanë kthyer natyrën dhe pasurinë kombëtare në një masakër urbane dhe ekologjike.

Qytetarët kërkojnë ndryshimin e mënyrës se si qeveria jep lejet e ndërtimit dhe tenderët publikë, sepse ata i financojnë këto projekte me taksat e tyre.

Qytetarët duan një shtet me fytyrë njerëzore, jo një shtet me botoksin e eskortave të baronëve të krimit dhe me vështrimet cinike të shërbëtorëve të tyre në administratë.

Cirku i së premtes tregoi se edhe Edi Rama, i cili e ka paraqitur veten si njeri me ide krijuese, është lodhur plotësisht. Çdo neuron i tij politik duket se ka vdekur përfundimisht.../Pamfleticirku i së premtes në orën pesë gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kur Kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë 3 Shtator 2026, 13:2913:29Editorial Identikiti i një lideri që rrëzon Edi Ramën 2 Shtator 2026, 11:1911:19Editorial Misteri i vdekjes së Allison Guerrieros dhe Kryeministri ynë 1 Shtator 2026, 11:0911:09Editorial Të gjithë në pritje të gjeneralit 31 Gusht 2026, 12:1012:10Editorial Kush po luan në Podgoricë me emrin e Shqipërisë? 30 Gusht 2026, 11:5311:53Editorial Misteri i Shqipërisë në alarmin e Milojko Spajiçit 29 Gusht 2026, 14:0814:08Editorial