Lajme Zone
Çfarë parashikon projektligji për Specialen/ Dënimi maksimal 15 vjet dhe burgu të kryhet në Kosovë. Të dënuarit mund të falen nga Presidenti
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Çfarë parashikon projektligji për Specialen/ Dënimi maksimal 15 vjet dhe burgu të kryhet në Kosovë. Të dënuarit mund të falen nga Presidenti

Natën e së premtes, Qeveria e Kosovës konstatoi se nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk paraqet pengesa ligjore për procedim në Kuvend.

Natën e së premtes, Qeveria e Kosovës konstatoi se nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk paraqet pengesa ligjore për procedim në Kuvend. Kësisoj, u hap rruga që këto ndryshime të jetësohen në rast të miratimit të tyre nga deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Cilat janë ndryshimet që parashihen me këtë projektligj?

Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i siguruar nga Top Channel, parasheh ndryshimin e nenit 1 të ligjit në përcaktimin e qëllimit të Gjykatës Speciale, duke e kufizuar veprimtarinë vetëm në pretendimet mbi të cilat u ngrit kjo gjykatë.

“Qëllimi i këtij ligji është: të sigurojë përputhshmëri të plotë me qëllimin për të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe Shkëmbimin e Letrave të datës 14 prill 2014, duke kufizuar veprimtarinë e tyre gjyqësore në pretendimet specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462”, thuhet në projektligj.

Pika e tjetër që ndryshohet në nenin 1 ka të bëjë me “parandalimin e degradimit institucional të Dhomave të Specializuara në një gjykatë të jashtëzakonshme, gjë që ndalohet sipas nenit 103(7) të Kushtetutës”.

Projektligji synon të “riafirmojë epërsinë institucionale të gjykatave vendore në gjykimin e krimeve të tjera të luftës të kryera brenda territorit të Kosovës”.

Krahas kësaj, projektligji i proceduar tashmë në Kuvend synon edhe transferimin në Kosovë të lëndëve dhe personave të gjykuar nga Gjykata Speciale, në rastet që nuk kualifikohen sipas mandatit të saj.

“Të rregullojë transferimin e rregullt dhe të ligjshëm të rasteve që nuk kualifikohen, provave materiale, kornizave të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe personave të ndaluar tek gjykatat e rregullta dhe autoritetet korrektuese të Republikës së Kosovës, duke ruajtur të drejtat për një gjykim të drejtë, vazhdimësinë gjyqësore dhe ligjshmërinë procedurale”, thuhet në projektligj.

Përmes ndryshimit të paragrafit 1 të nenit 6 të ligjit për Dhomat e Specializuara, tashmë me projektligj synohet që të përcaktohen veprat mbi të cilat ka juridiksion gjykata për të gjykuar.

“1. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion mbi krimet e përcaktuara në nenet 12–16 vetëm në masën sa këto krime përbëhen ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt nga: Nxjerrja, heqja dhe trafikimi i paligjshëm i organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohet dhe pretendohet specifikisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462; ose

Vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor dhe çnjerëzor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462, kur akte të tilla janë kryer drejtpërdrejt ose në lidhje të menjëhershme me veprimet e marrjes së organeve të përshkruara në nënparagrafin (a)”, thuhet në projektligj. Nenit 10A i shtohet edhe neni 10B, që përcakton kushtet e transferimit të personave të privuar nga liria.

“Kur procedura ndaj një personi të privuar nga liria përfn para Dhomave për shkak të mungesës së juridiksionit, transferimi i tij në Republikën e Kosovës realizohet në zbatim të këtij ligji, Ligjit Nr. 04/L-274 dhe marrëveshjeve me shtetin pranues”, thuhet në projektligj.

Ky nen po ashtu përcakton se deri në dorëzimin fizik të personave të privuar nga liria, vlejnë vendimet në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, me t’u pranuar në kujdestari nga autoritetet e Kosovës, atëherë do të vlejë juridiksioni sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe, brenda 48 orësh pas transferimit të personit fizik, i njëjti paraqitet para gjyqtarit kompetent në Republikën e Kosovës.

Neni 15 i projektligjit po ashtu synon të përcaktojë edhe dënimin maksimal të shqiptuar nga Gjykata Speciale.

“Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, në përputhje me parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm (lex mitior)”, thuhet në projektligj.

Me nenin 16 kërkohet që edhe vuajtja e dënimit të bëhet në Kosovë.

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar”, thuhet në projektligj.

Përmes nenit 17 mundësohet që personat e dënuar të jenë subjekt i faljes nga Presidenti.

“Pavarësisht dispozitave të Ligjit nr. 03/L-101 për Faljen, personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 03/L-101 për Faljen zbatohen edhe për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në projektligj.

Projektligji, mes tjerash, bën ndryshime edhe sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve, ruajtjes së arkivës, bashkëpunimit të gjykatave dhe e autorizon Kuvendin e Kosovës të angazhojë organizata ndërkombëtare në mbikëqyrje të punës së Gjykatës Speciale. Top Channel