Autoriteti i Konkurrencës çerdhe abuzimesh Raporti përfundimtar i KLSH-së ngre probleme serioze mbi drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës: audituesve nuk iu vu në dispozicion dokumentacioni për vendimet me gjobë, mungonte monitorimi i vendimeve dhe ndjekja në kohë reale e gjobave, ndërsa një pagesë ndaj përmbaruesit privat i ka shkaktuar, sipas raportit, 2.93 milionë lekë dëm Buxhetit të Shtetit. Në disa prej gjetjeve KLSH ngarkon shprehimisht me përgjegjësi titullarin e institucionit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një seri çështjesh të rënda mbi mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të Autoritetit të Konkurrencës, duke e vendosur përgjegjësinë në disa raste drejtpërdrejt te drejtuesi i institucionit.
Raporti përfundimtar është veçanërisht kritik, pasi KLSH arrin deri në “refuzim për dhënien e opinionit” mbi auditimin e përputhshmërisë. Arsyeja e deklaruar është se vetë subjekti i audituar kufizoi fushëveprimin e kontrollit duke mos lejuar aksesin në informacion dhe dokumentacion. Auditimi për vendimmarrjen e Autoritetit mbulonte periudhën 2021-2025, ndërsa për veprimtarinë buxhetore, menaxhimin financiar dhe kontrollin periudhën 2024-2025.
Një prej konstatimeve më të forta gjendet pikërisht në pjesën që lidhet me kontrollin e vendimmarrjes së Autoritetit të Konkurrencës.
KLSH kishte kërkuar ndër të tjera praktikat e plota të vendimmarrjes për vendimet që kishin rezultuar me gjoba gjatë viteve 2021-2025, përfshirë dokumentet e punës, relacionet dhe komunikimet që kishin çuar deri në marrjen e vendimit. Audituesit kërkuan gjithashtu listën e vendimeve dhe listën e gjobave me efekte financiare të mbartura nga vitet e mëparshme.
Por dokumentacioni nuk iu dorëzua KLSH-së. Raporti konstaton se Autoriteti nuk paraqiti “asnjë praktikë” për vendimet me gjobë gjatë periudhës së audituar. Edhe më e rëndësishme për përgjegjësinë drejtuese është përfundimi i audituesve: “Për mosvënien në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar për auditimin e drejtimit 2 të programit të auditimit mban përgjegjësi Titullari i Institucionit.”
Sipas raportit, kjo situatë kufizoi fushëveprimin e auditimit dhe nuk mundësoi zbatimin e plotë të programit të kontrollit.
Pra, problemi nuk është vetëm një mangësi procedurale. KLSH thotë se nuk ka mundur të auditojë plotësisht një nga fushat kryesore të veprimtarisë së institucionit pikërisht sepse Autoriteti nuk i dha dokumentacionin e kërkuar.
Institucioni që monitoron tregjet, pa monitorim të vazhdueshëm të vendimeve të veta
Raporti evidenton një tjetër problem që prek drejtpërdrejt efektivitetin e Autoritetit të Konkurrencës.
KLSH konstatoi se nuk ekzistonte një proces i vazhdueshëm monitorimi për vendimet që përmbanin rekomandime ose kërkesa ndaj ndërmarrjeve dhe autoriteteve publike.
Sipas audituesve, mungesa e një sistemi të tillë, në formën e një mekanizmi ndjekjeje përmes inspektimeve tematike apo detyrimeve për raportim, e bën të pamundur vlerësimin e efektivitetit të vendimmarrjes së Autoritetit të Konkurrencës.
KLSH shkon më tej dhe përcakton se ndjekja dhe kontrolli i zbatimit të vendimeve është pjesë e përgjegjësisë së Autoritetit nëpërmjet Sekretariatit dhe se mangësitë e konstatuara bien në kundërshtim me nenin 28 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, si dhe me nenet 31 dhe 32 të rregullores së brendshme të AK-së.
Audituesit kërkojnë që titullari i Autoritetit, së bashku me strukturat përgjegjëse, të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për monitorimin e vendimeve dhe një sistem evidencash e raportimi që të tregojë nëse rekomandimet e Komisionit zbatohen realisht.
Gjobat: mungojnë të dhënat para vitit 2021
Problemet bëhen edhe më të ndjeshme kur auditimi kalon te gjobat e vendosura nga Komisioni i Konkurrencës.
KLSH konstaton se nuk ka pasur ndjekje në kohë reale të vendimeve për ekzekutimin e gjobave. Një tregues i kësaj situate është fakti se mungojnë të dhënat e gjobave përpara vitit 2021.
Por mangësitë nuk mbarojnë këtu. Audituesit evidentojnë se nuk ka koherencë nga njëri vit në tjetrin në listën e vendimeve gjyqësore që rezultojnë në proces ekzekutimi. Po kështu, ekzekutimet e vendimeve gjyqësore nuk janë pasqyruar në pasqyrat financiare të Autoritetit, në kundërshtim me udhëzimin përkatës të Ministrisë së Financave.
KLSH kërkon ngritjen e një sistemi të integruar dhe në kohë reale për administrimin, ndjekjen dhe raportimin e gjobave, me qëllim garantimin e plotësisë, saktësisë dhe transparencës së të dhënave.
Kjo gjetje ngre një pyetje thelbësore për efektivitetin e institucionit: çfarë vlere ka vendosja e një gjobe nga Autoriteti i Konkurrencës nëse institucioni nuk ka një sistem të plotë dhe në kohë reale për të ditur se çfarë është ekzekutuar dhe çfarë mbetet për t'u arkëtuar?
Rasti i 66 milionë lekëve: u ekzekutuan vetëm 5.57 milionë
Një nga episodet më të forta financiare të raportit lidhet me ekzekutimin e një vendimi të Autoritetit ndaj një operatori privat, të identifikuar në raport si “M.” sh.p.k.
Detyrimi total sipas vendimit nr. 874, datë 25 mars 2022, ishte 66,088,573 lekë. Por KLSH konstatoi se nga ky detyrim ishte ekzekutuar vetëm 5,571,497 lekë.
Megjithatë, drejt përmbaruesit privat ishin rikthyer 8,693,597 lekë. Diferenca mes shumës së arkëtuar dhe asaj të rikthyer ishte 3,122,100 lekë. Sipas dokumentit të përmbaruesit, nga 8.69 milionë lekët, 3,172,252 lekë konsideroheshin tarifë e shërbimit përmbarimor.
Audituesit konstatuan fillimisht se praktikës së pagesës nuk i ishte bashkëngjitur faturë që ta justifikonte këtë shumë. Pas kërkesës për informacion u paraqit një faturë e vitit 2022, por ajo ishte lëshuar nga përmbaruesi drejtuar operatorit privat “M.” sh.p.k., jo Autoritetit të Konkurrencës. Dhe këtu KLSH arrin në një konkluzion shumë më të rëndë.
KLSH: Autoriteti pagoi tarifën që i takonte privatit
Sipas auditimit, Autoriteti i Konkurrencës ka shlyer tarifa përmbarimore që ishin në ngarkim të operatorit privat. KLSH argumenton se vendimet gjyqësore nuk e ngarkonin Autoritetin e Konkurrencës me pagesën e tarifave të përmbarimit të faturuara ndaj operatorëve privatë.
Për më tepër, përmbaruesi kishte ekzekutuar vetëm 5.57 milionë lekë nga detyrimi total prej 66.09 milionësh. Sipas përllogaritjes së KLSH-së, tarifa e aplikueshme mbi shumën realisht të ekzekutuar duhej të ishte vetëm 183,859 lekë me TVSH.
Diferenca financiare nuk trajtohet nga KLSH thjesht si parregullsi. Raporti e cilëson shprehimisht: “Vlera 2,938,241 lekë e paguar më tepër ndaj përmbaruesit gjyqësor privat përbën dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit.”
Kjo është një nga gjetjet më të rënda të raportit, pasi KLSH nuk flet vetëm për dobësi administrative, por përcakton edhe një dëm ekonomik konkret prej afro 2.94 milionë lekësh.
Përgjegjësia e Denar Bibës
Edhe më e rëndësishme është se raporti përcakton përgjegjësitë për këtë rast. Për pagesën që rezultoi në dëmin ekonomik, KLSH rendit si përgjegjës, sipas kompetencave përkatëse, nëpunësin zbatues, nëpunësin autorizues, Drejtorin e Drejtorisë Juridike, Integrimit dhe Çështjeve Gjyqësore dhe Titullarin e Institucionit.
Raporti evidenton gjithashtu një tjetër element: mungonte Urdhri i Titullarit për kryerjen e pagesës së vendimit gjyqësor, në kundërshtim me Udhëzimin Standard të Zbatimit të Buxhetit.
Kështu, në këtë çështje raporti ndërthur tri elemente: një pagesë të konsideruar të tepërt, një dëm ekonomik të përllogaritur në 2.93 milionë lekë dhe mungesën e urdhrit të titullarit për pagesën.
Dokumenti bëhet edhe më konkret në pjesën e menaxhimit të buxhetit. Për vitin 2025, Autoriteti kishte një plan buxhetor të ndryshuar prej 138 milionë lekësh, ndërsa realizimi ishte 121.172 milionë lekë, ose rreth 87%. Mosrealizimi rezultoi 16.828 milionë lekë.
Audituesit konstatojnë gjithashtu se raportet e monitorimit të buxhetit nuk përmbanin analizë të hollësishme të treguesve kryesorë dhe nuk ndiqnin formatin e kërkuar nga udhëzimet e Ministrisë së Financave.
Pikërisht për këto problematika raporti shkruan se mbajnë përgjegjësi, ndër të tjerë, “Titullari, z. D. B.”, të cilin dokumenti e evidenton me funksion drejtues, krahas Nëpunësit Autorizues dhe funksionarëve të tjerë përgjegjës.
Pa plan të posaçëm për risqet e mesme dhe të larta
Mangësitë prekin edhe sistemin e kontrollit të brendshëm. KLSH konstaton se titullari i Autoritetit nuk kishte miratuar një plan të veçantë për menaxhimin e risqeve të nivelit të mesëm dhe të lartë, në kundërshtim me Manualin për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin.
Regjistri i Riskut, ndërkohë, nuk përmbante risqet e të gjitha drejtorive dhe nuk ishin hartuar planet e masave për menaxhimin e tyre.
Po kështu, Rregullorja e Brendshme e vitit 2018 nuk ishte rishikuar për t'iu përshtatur ndryshimeve të strukturës së miratuara nga Kuvendi në vitin 2024. Edhe 3.2 milionë lekë aktive pa gjurmën e nevojshme dokumentare
Auditimi nxjerr një tjetër problem financiar-administrativ. Për vitet 2022-2023 ishin propozuar për nxjerrje jashtë përdorimit aktive me vlerë totale 3,196,058 lekë. Por KLSH konstatoi se për to mungonte gjurma e nxjerrjes nga përdorimi dhe asgjësimit.
Për këtë arsye audituesit kërkuan që Autoriteti të analizojë këtë vlerë, e cila rezultonte pa dokumentacion justifikues, si dhe të përcaktojë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë ligjore e financiare.
Probleme edhe me prokurimet
KLSH ka evidentuar mangësi edhe në procedurat e prokurimit. Rekomandimet e raportit kërkojnë që titullari të sigurojë që kriteret e veçanta të kualifikimit të jenë proporcionale dhe të lidhura me objektin e kontratës dhe që, kur objekti nuk e justifikon, specifikimet teknike të mos përmbajnë referenca ndaj markave, burimeve specifike apo proceseve të veçanta.
Audituesit kërkojnë gjithashtu korrigjime në procedurat për blerjen e karburantit dhe në mënyrën e përgatitjes së procedurave për blerjen e biletave të avionit, me synim shmangien e kostove më të larta.
Një Autoritet që duhet të kontrollojë të tjerët, por KLSH nuk mundi ta kontrollonte plotësisht Tabloja që del nga raporti i KLSH-së është më e gjerë sesa një gabim financiar i izoluar. Auditimi evidenton 6 gjetje dhe 6 rekomandime kryesore në përmbledhjen e tij, ndërsa pjesët e detajuara trajtojnë edhe çështje të tjera të administrimit.
Në qendër qëndron një kontrast institucional: Autoriteti i Konkurrencës ka për detyrë të hetojë tregjet, të marrë vendime, të vendosë gjoba dhe të kërkojë zbatimin e tyre. Por KLSH konstatoi se institucioni nuk monitoronte në vazhdimësi një pjesë të vendimeve të veta, nuk kishte ndjekje në kohë reale të ekzekutimit të gjobave, kishte mangësi në evidencat financiare dhe, mbi të gjitha, nuk i dha audituesve dokumentacionin e plotë të kërkuar për kontrollin e vendimeve me gjobë.
Për këtë të fundit, raporti nuk e lë përgjegjësinë të paidentifikuar: KLSH ia ngarkon titullarit të institucionit.
Ndërsa në çështjen financiare më të fortë, audituesit konstatojnë 2,938,241 lekë dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit dhe përfshijnë sërish titullarin mes personave që mbajnë përgjegjësi sipas kompetencave përkatëse./Pamfletiklsh denar biba Dokumenta bashkëngjitur Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Flakët drejt izolimit/ Shuhet zjarri në Dukat, përmirësim i ndjeshëm në Pukë 22 Gusht 2026, 18:3118:31Aktualitet Një natë mes flakëve në Gojan, banorët: Zjarri ia kalon edhe luftës, u larguam për të shpëtuar familjet 22 Gusht 2026, 18:1618:16Aktualitet Plagosja e ushtarit në Mirditë, reagon Ministria: U dëmtua gjatë furnizimit me ujë, i riu jashtë rrezikut për jetën 22 Gusht 2026, 18:0518:05Aktualitet Zjarr i madh në Pishporo, flakët rrezikojnë masivin pyjor 22 Gusht 2026, 15:1215:12Aktualitet Zjarr pranë varrezave në Ersekë/ Era favorizon flakët, situata del jashtë kontrollit 22 Gusht 2026, 14:4414:44Aktualitet Flakët mbajnë në alarm Pukën, Mirditën dhe Dajtin; 4 vatra aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri 22 Gusht 2026, 14:2414:24Aktualitet

