Mbyllja e Kapitullit 20 të negociatave me Bashkimin Europian pritet të krijojë më shumë mundësi për bizneset shqiptare, duke u lehtësuar aksesin në tregun europian, financimin dhe investimet në teknologji e inovacion. Nga Luksemburgu, ku sot zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi përmbylljen e këtij kapitulli një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian dhe një moment të rëndësishëm për sipërmarrjen shqiptare. LEXO edhe...Rama feston mbylljen e Kapitullit 20 me delegacionin shqiptar: Pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu, nuk i ndahemi kësaj pune (VIDEO) Kapitulli 20 bën pjesë në grupkapitullin "Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse" dhe lidhet me politikat për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe industrisë. Sipas Ibrahimajt, gjatë vitit të fundit puna është përqendruar në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me këtë kapitull, përmes miratimit të projektligjit për pagesat e vonuara, rishikimit të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit, përfshirjes së politikës industriale dhe hartimit të masave për Strategjinë e Eksporteve. "Është një kapitull që i dedikohet ndërmarrjeve dhe politikës industriale shqiptare. Një arritje që shënon progresin e reformave të ndërmarra dhe hap një etapë të re për zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare", u shpreh ministrja. Sipas saj, synimi është që bizneset shqiptare të kenë më shumë akses në tregun e përbashkët europian, të përfitojnë më shumë financim dhe të rrisin investimet në kërkim-zhvillim dhe inovacion, duke përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Ibrahimaj theksoi se sfida e radhës mbetet zbatimi i reformave, me qëllim krijimin e një ekonomie më konkurruese, ku bizneset të investojnë më shumë në teknologji dhe të integrohen më lehtë në tregun europian. Në kuadër të këtij procesi, Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit i janë shtuar 13 masa të reja, të përqendruara në pesë drejtime kryesore. Sipas ministres, ato synojnë rritjen e produktivitetit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, zgjerimin e mundësive të financimit dhe orientimin e ndërmarrjeve drejt aktiviteteve me vlerë të shtuar. Një tjetër objektiv është forcimi i eksporteve shqiptare përmes kontratave të qëndrueshme me tregjet europiane, si edhe përmirësimi i klimës së biznesit përmes zhvillimit të kapitalit njerëzor të kualifikuar. Kapitulli 20 përfshin një sërë politikash që lidhen me zhvillimin e ndërmarrjeve, klimën e biznesit dhe rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare. Përafrimi me standardet e Bashkimit Europian synon t'i ndihmojë bizneset shqiptare të operojnë më lehtë në tregun e përbashkët, të rrisin besueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të tyre dhe të krijojnë më shumë mundësi për eksporte, investime dhe bashkëpunim ekonomik. U.D/ReportTv.al Delina Ibrahimaj Luksemburg Komento Komente Sondazhi i ditës: Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet? Po 25.6% Jo 70.1% Nuk e di 4.3% Vota total: 1574 Sondazhi i ditës: Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet?
