Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre pikëpyetje të mëdha mbi një veprim të dyshimtë në det, fare pranë plazhit të Kallmit në Durrës.
Sipas pushuesit që ka filmuar pamjet pasditen e djeshme, anija ka qëndruar për afro një orë në afërsi të bregut, ndërsa në video shihet një rrjedhë e një lënde të panjohur që derdhet direkt në ujë nga pjesa e përparme e mjetit lundrues.
Nga verifikimi përmes sistemit të gjurmimit detar, mjeti lundrues rezulton të jetë anija e mallrave SZCZECIN (Bulk Carrier), e cila lundron nën flamurin e Bahamas dhe, sipas të dhënave të gjurmimit, ishte nisur në drejtim të portit të Varnës në Bullgari.
Në pamje dallohet qartë rrjedha që përfn në det, por pa një analizë të lëndës apo një konfirmim zyrtar, nuk mund të përcaktohet se për çfarë substance bëhet fjalë. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ujëra balasti, ujëra të ndotura apo ndonjë lloj tjetër shkarkimi të lejuar ose të palejuar.
“Përshëndetje JOQ, dje kjo anije afër plazhit të Kallmit në Durrës qëndroi gati 1 orë në det dhe hidhte mbeturina. E shikoni edhe në video, edhe në hartë,” shkruan pushuesi në mesazhin drejtuar JOQ Albania.
Pamjet ngrenë shqetësimin se çfarë po derdhej në det, veçanërisht për faktin se ngjarja është filmuar në afërsi të një zone ku ndodhen pushues.
Deri në këto momente nuk ka një informacion apo reagim zyrtar nga Kapitaneria e Portit të Durrësit apo Autoriteti Kombëtar i Mjedisit për të sqaruar se çfarë ka derdhur anija në det dhe nëse është konstatuar ndonjë shkelje e normave mjedisore.
Pyetja që çdokush me të drejtë do të ngrinte është: Çfarë ishte lënda që u derdh në det pranë plazhit të Kallmit?

