Prej më shumë se tre dekadash, banorët e fshatit Çërrilë në Bashkinë Mallakastër përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Një problem i zgjatur ndër vite, që sipas tyre ka ndikuar jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në largimin masiv të familjeve nga zona. Dikur me rreth 300 familje, sot në Çërrilë kanë mbetur vetëm 25 familje. Banorët thonë se mungesa e investimeve në infrastrukturën bazë ka qenë një nga arsyet kryesore që ka çuar në zbrazjen e fshatit.Lexo edhe:Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç dhe kremton Meshën e Shenjtë: Të mos harrojmë të shkuarën Për të siguruar ujin e nevojshëm për konsum dhe përdorime të tjera, shumë prej tyre janë detyruar të hapin puse private ose të marrin ujë nga burime të largëta. Sipas banorëve, rrjeti ekzistues i ujësjellësit nuk garanton furnizim të rregullt dhe cilësor me ujë të pijshëm, ndërsa kërkesat e vazhdueshme drejtuar institucioneve nuk kanë sjellë një zgjidhje konkrete. “Jeta është bërë gjithnjë e më e vështirë. Një nevojë bazë si uji mungon prej vitesh dhe askush nuk ka ndërhyrë për ta zgjidhur problemin”, shprehen banorët. Krahas mungesës së ujit, një tjetër shqetësim serioz për komunitetin është gjendja e rrugës që lidh Çërrilën me zonat përreth. Segmenti rrugor është i amortizuar dhe me dëmtime të shumta, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve, transportin dhe ndërhyrjen e shërbimeve në raste emergjente. Banorët thonë se prej vitesh dëgjojnë premtime për ndërhyrje, por ende presin investime konkrete. Ata kërkojnë zgjidhje për furnizimin me ujë dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me qëllim që fshati të mos vazhdojë të humbasë banorët e tij. Mes mungesës së kushteve bazë dhe degradimit të infrastrukturës, Çërrila rrezikon të mbetet një tjetër zonë e braktisur, ndërsa familjet që largohen shtohen nga viti në vit.
