Me zemër, të martën të gjithë do të jenë në kishën 'Sant’Ambrogio' në Milano, por fizikisht asnjë nga futbollistët e ekipit të parë të Milanit, që ndodhen në turne në Australi, nuk do të mund të marrë pjesë në funeralin e Franco Baresit. Mundësia që kuqezinjtë të ktheheshin në Milano për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kapitenit nuk është marrë asnjëherë seriozisht në konsideratë. Jo sepse lojtarët dhe anëtarët e delegacionit në Perth nuk dëshironin të ishin të pranishëm, përkundrazi, por sepse, nga pikëpamja logjistike dhe për shkak të angazhimeve të marra, kjo ishte pothuajse e pamundur. LEXO edhe...Capello: Baresi ishte i jashtëzakonshëm, le t'i jepet 'Topi i Artë' pas vdekjes! Prapaskenat e një kalimi te Juventusi Pengesa më e madhe është distanca. Për të qenë në Milano të martën në mëngjes, skuadra do të duhej të përballonte një udhëtim prej më shumë se 20 orësh, me të paktën një ndalesë. Organizimi i një udhëtimi të tillë vetëm për lojtarët dhe stafin teknik do të kërkonte sigurimin e 40-50 vendeve në të njëjtin fluturim, diçka shumë e vështirë në fillim të muajit gusht. Po aq e ndërlikuar do të ishte edhe organizimi brenda pak orësh i një fluturimi çarter ndërkontinental. Gjithçka duke pasur parasysh se Milani do të duhej të bënte menjëherë udhëtimin e kthimit drejt Perthit për të zhvilluar derbin ndaj Interit, të planifikuar për të mërkurën në orën 13:00 me orën italiane (19:00 me orën lokale). Një skenar praktikisht i pamundur. Cardinale do të jetë i pranishëm Alternativa tjetër do të ishte anulimi i pjesës së mbetur të turneut, por kjo do të kishte shkaktuar probleme të mëdha, sidomos për tifozët. Prej kohësh janë shitur të gjitha biletat, rreth 60 mijë, në Optus Stadium për derbin me Interin, ndërsa pritet stadium i mbushur edhe në ndeshjen e 8 gushtit në Xhakartë kundër Chelseat. Për më tepër, klubi ka kontrata të nënshkruara me organizatorët e turneut, ndaj anulimi do të sillte pasoja edhe në aspektin organizativ. Në funeralin e së martës, Milani do të përfaqësohet nga pronari Gerry Cardinale, presidenti Paolo Scaroni, drejtues të tjerë të klubit dhe shumë punonjës të 'Casa Milan'. Ekziston mundësia që të marrin pjesë edhe Christian Pulisic dhe Santiago Giménez, të cilët këto ditë po stërviten në Milanello për shkak të dëmtimeve. Ndërkohë, në Perth pritet të organizohet një moment i veçantë përkujtimor, në të njëjtën kohë me ceremoninë mortore. Sepse, edhe pse larg fizikisht, zemra e të gjithë kuqezinjve do të jetë pranë Franco Baresit. S.Dh/ReportTv.al Milan Australi itali gerry Cardinale Franco Baresi Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.2% 100 bashki (PD) 15.9% 61 bashki (si sot) 27.9% Vota total: 1526 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

