Ervin Demo është betuar këtë të premte si ministër i Punëve të Brendshme, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Presidencë. Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar, ndërsa më pas u lexua dekreti i Presidentit për emërimin e Demos në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Z. Ervin Demo emërohet ministër i Punëve të Brendshme. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin presidencial. Pas leximit të formulës së betimit, me dorën mbi Kushtetutë, Ervin Demo u betua përpara Presidentit dhe më pas nënshkroi aktin e betimit. Me përfundimin e ceremonisë, Demo nis zyrtarisht detyrën në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas dekretimit të tij nga Presidenti.
