Një denoncim vjen nga punonjësit e Çerdhes Nr. 17 në Tiranë, një institucion shtetëror, të cilët thonë se janë detyruar të paguajnë nga 10 mijë lekë të vjetra secili për blerjen e një lavatriçeje për çerdhen.
Sipas stafit, përgjegjësja e institucionit u ka kërkuar punonjësve të kontribuojnë financiarisht për blerjen e lavatriçes, e cila nevojitet për larjen e çarçafëve dhe batanijeve që përdoren në çerdhe.
Punonjësit shprehen se pagesa nuk është bërë me dëshirë, por nën presionin dhe kërcënimin për vendin e punës. Ata thonë se janë ndier të kërcënuar dhe se kanë dhënë paratë nga frika e pasojave në marrëdhënien e tyre të punës.
Por, sipas denoncimit, situata nuk përfn këtu. Tani përgjegjësja po u kërkon punonjësve të firmosin një deklaratë ku të konfirmojnë se paratë janë dhënë vullnetarisht.
Pyetja që shtrohet është: Si është e mundur që në një institucion shtetëror, blerja e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e çerdhes të rëndojë mbi xhepat e punonjësve? Dhe pse stafit po i kërkohet të firmosë se ka kontribuar me dëshirë, kur sipas tyre pagesa është bërë nën presion?
Punonjësit kërkojnë që rasti të bëhet publik dhe institucionet përgjegjëse të verifikojnë këtë ngjarje.

