Lajme Zone
“Call Centerat shqiptarë po mashtrojnë grekët”, ministri paralajmëron arrestime
PolitikëJOQ Albania

“Call Centerat shqiptarë po mashtrojnë grekët”, ministri paralajmëron arrestime

Mashtrimet përmes telefonit po kthehen në një problem gjithnjë e më serioz në Greqi. Pas skemave që synojnë kryesisht të moshuarit fshihen grupe të organizuara kriminale, të cilat kanë ngritur qendra të posaçme telefonike dhe po e shtrijnë aktivitetin e tyre edhe jashtë territorit grek.

Mashtrimet përmes telefonit po kthehen në një problem gjithnjë e më serioz në Greqi. Pas skemave që synojnë kryesisht të moshuarit fshihen grupe të organizuara kriminale, të cilat kanë ngritur qendra të posaçme telefonike dhe po e shtrijnë aktivitetin e tyre edhe jashtë territorit grek.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, e cilësoi fenomenin si një “epidemi” dhe njoftoi se autoritetet po punojnë për krijimin e një strukture të përhershme që do të merret posaçërisht me këto raste.

Duke folur për televizionin Mega, Chrysochoidis tha se mashtruesit kanë arritur të marrin në mënyrë të lehtë pasuritë e viktimave, duke e cilësuar këtë si një situatë “tragjike” dhe “dramatike”.

Sipas tij, problemi nuk kufizohet më vetëm brenda Greqisë. Grupet kriminale kanë krijuar pika operimi në vende të tjera të rajonit, duke ndërtuar një rrjet ndërkufitar.

“Ka një qendër thirrjesh në Shqipëri, për shembull, një në Shkup dhe një në Sofje”, deklaroi ministri, duke theksuar se bëhet fjalë për grupe transnacionale që bashkëpunojnë për realizimin e mashtrimeve.

Autoritetet greke kanë zhvilluar deri tani disa operacione të mëdha, të shoqëruara me arrestime dhe hetime ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këto rrjete. Megjithatë, sipas Chrysochoidis, pas goditjes së një grupi, të tjerë shfaqen dhe aktiviteti kriminal vijon.

Fenomeni, ndërkohë, nuk ndalet vetëm te telefonatat. Ministri paralajmëroi se grupet janë përfshirë edhe në forma të mashtrimit elektronik, ku shumat e përfituara mund të jenë shumë më të mëdha.

Pikërisht për këtë arsye, autoritetet greke synojnë një qasje më të organizuar dhe afatgjatë, duke e konsideruar problemin si një çështje që kërkon bashkëpunim përtej kufijve kombëtarë.

Chrysochoidis u shpreh i vendosur se lufta ndaj këtyre rrjeteve do të vazhdojë deri në shkatërrimin e tyre.

“Ne do t’i arrestojmë të gjithë. Na duhet vetëm një strukturë e përhershme dhe një politikë operative e përhershme për t’i dhënë fund kësaj gjëje”, deklaroi ai.