Përfundimi i Bypass-it të Vlorës nuk ka sjellë vetëm një alternativë të re për lëvizjen e automjeteve drejt jugut dhe lehtësimin e trafikut, veçanërisht gjatë sezonit turistik, por edhe një pikë të re panoramike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.
Një prej pikave më të frekuentuara ndodhet përgjatë aksit në drejtim të Orikumit, pranë fshatit Kaninë. Pozicioni i saj ofron një pamje spektakolare mbi qytetin dhe Gjirin e Vlorës, duke u shndërruar në një lloj “ballkoni” panoramik për qytetarët dhe turistët.
Pushues vendas dhe të huaj ndalojnë në këtë pikë për të fotografuar dhe filmuar panoramën, duke marrë me vete kujtime nga qëndrimi i tyre në Vlorë. Vizitorët e përshkruajnë pamjen si një nga më të bukurat që kanë parë, ndërsa numri i personave që zgjedhin të ndalojnë në këtë hapësirë është në rritje.
Mes tyre ka edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe turistë nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët e kanë kthyer këtë pikë në një ndalesë të veçantë gjatë udhëtimit të tyre.
Kështu, Bypass-i i Vlorës po shërben jo vetëm si një aks i rëndësishëm për qarkullimin drejt jugut, por edhe si një pikë e re nga ku vizitorët mund të shijojnë panoramën e qytetit, detit dhe Gjirit të Vlorës. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet Bypass-i i Vlorës

