Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

Buxheti/ Berisha: Do të paraqesim amendamentet tona për rritjen e pagave dhe vendosjen e minimumit jetik 200 euro


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të paraqesë amendamentet e saj për buxhetin dhe paketën fiskale, duke kërkuar rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik në 200 euro dhe një sistem rritjeje pensionesh që synon dyfishimin e tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të paraqesë amendamentet e saj për buxhetin dhe paketën fiskale, duke kërkuar rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik në 200 euro dhe një sistem rritjeje pensionesh që synon dyfishimin e tyre. Në një deklaratë për mediat, Berisha iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Partia Demokratike do të paraqesë amendamente për buxhetin, i cili të enjten pritet të kalojë në Kuvend nen për nen, së bashku me paketën fiskale. Kreu i PD-së kritikoi paketën fiskale, duke e cilësuar si një goditje të rëndë për qytetarët, bizneset e vogla, profesionet e lira dhe investitorët. Sipas tij, taksimi i profesioneve të lira, përfshirja e më shumë se 17,500 bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së dhe dyfishimi i taksës mbi dividentin do të sjellin pasoja negative për ekonominë. Berisha u shpreh se ulja e TVSH-së për ushqimet është shoqëruar me vendosjen e TVSH-së për njësitë tregtare që i shesin ato, ndërsa shtoi se ndryshimet fiskale do të ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve të shërbimeve për qytetarët. “Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm”, deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe abuzime me fondet e buxhetit.

Ai u ndal te shpenzimet operative, të cilat sipas tij janë rritur ndjeshëm, duke i krahasuar me nivelin e vitit 2013. Berisha pretendoi se nga 300 milionë euro në atë periudhë, shpenzimet operative kanë arritur sot në 930 milionë euro, duke i cilësuar rreth 500 milionë euro si shpenzime abuzive.

Kreu i opozitës kritikoi gjithashtu fondet e parashikuara për investime, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e tyre përfjnë në korrupsion. Sipas tij, nga 2.2 miliardë euro të parashikuara për investime, të paktën 1.8 miliardë euro janë në rrezik të shpërdorohen.

Berisha theksoi se amendamentet e Partisë Demokratike do të përfshijnë rritjen e pagës minimale me 50%, rritjen e pagës mesatare me 30% dhe vendosjen e minimumit jetik në 200 euro.

“Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre”, u shpreh ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se PD do të kërkojë uljen e fondeve për investime në 700-800 milionë euro, duke u shprehur se me këto para mund të realizohen më shumë projekte sesa ato që, sipas tij, ka kryer qeveria gjatë katër viteve të fundit.

Ai akuzoi shumicën parlamentare se nuk u jep hapësirë deputetëve për të diskutuar dhe argumentuar qëndrimet e tyre në Kuvend, duke theksuar se opozita do të vijojë të paraqesë propozimet e saj përpara qytetarëve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: amendamente Berisha buxheti