Vetëm dy muaj pasi ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, u arrestua dhe u la në burg nën dyshimin se përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pagesat e pensioneve, bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, është promovuar në një pozicion drejtues në Bashkinë e Durrësit. Sipas burimeve të cituara nga Shqiptarja.com, Mataj, i cili prej vitesh punonte në sektorin komunal të qytetit, është emëruar së fundmi Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.
Emërimi i tij vjen pak kohë pas skandalit në Postën e Durrësit, ku bashkëshortja e tij po hetohet për përvetësimin e një shume të konsiderueshme parash. Sipas hetimeve, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana dyshohet se kanë përvetësuar rreth 700 mijë euro, të cilat ishin destinuar për pensionet në Krujë dhe Shijak. Kamerat e sigurisë thuhet se kanë dokumentuar 11 raste kur thasët me para dërgoheshin në zyrën e ish-drejtoreshës, ndërsa në sistem fondet figuronin si të transferuara drejt dy degëve postare.
Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet për të zbardhur të gjithë skemën dhe destinacionin e parave të përvetësuara. Një nga pistat që po verifikohet është edhe dyshimi se një pjesë e shumës mund të jetë shpenzuar në kazino. Promovimi i bashkëshortit të ish-drejtoreshës në një pozicion drejtues në bashki, vetëm pak javë pas arrestimit të saj, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe kriteret e këtij emërimi.

