Lajme Zone
“Burrat e familjes Trump janë narcistë”, mesazhet sekrete të Kimberly Guilfoyle; skandalet po tronditin familjen presidenciale
PolitikëPamfleti

“Burrat e familjes Trump janë narcistë”, mesazhet sekrete të Kimberly Guilfoyle; skandalet po tronditin familjen presidenciale

Daily Mail ka publikuar mesazhe private mes Guilfoyle dhe avokatit republikan Eric Deters, një donator i Partisë Republikane nga Kentucky, i cili për vite me radhë kishte organizuar aktivitete politike ku merrnin pjesë edhe anëtarë të familjes Trump.

Trump dhe Guilfoyle Kimberly Guilfoyle, ambasadorja amerikane në Greqi dhe ish-partnerja e Donald Trump Jr., është përfshirë në një tjetër skandal pas publikimit të mesazheve private që zbulojnë prapaskenat e ndarjes së saj nga djali i presidentit amerikan. Mesazhet tregojnë konfliktet brenda çiftit, ndërsa akuzat për sjelljen e saj dhe shpenzimet gjatë detyrës diplomatike kanë vënë në pozitë të vështirë edhe administratën Trump... Kimberly Guilfoyle, gruaja që Donald Trump e emëroi ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Greqi pasi përfi lidhjen me djalin e tij, Donald Trump Jr., është rikthyer në qendër të një skandali që përfshin marrëdhëniet personale, paratë dhe ndikimin politik të familjes presidenciale.

Daily Mail ka publikuar mesazhe private mes Guilfoyle dhe avokatit republikan Eric Deters, një donator i Partisë Republikane nga Kentucky, i cili për vite me radhë kishte organizuar aktivitete politike ku merrnin pjesë edhe anëtarë të familjes Trump. Mesazhet dhe dëshmitë e Deters tregojnë se marrëdhënia mes Guilfoyle dhe Donald Trump Jr. kishte hyrë në krizë përpara se ndarja të bëhej publike. Por ajo që e bën më interesante këtë histori është mënyra se si ish-partnerja e djalit të presidentit përpiqej të mohonte konfliktin, ndërkohë që njerëzit pranë çiftit, sipas Deters, kishin vënë re se ata pothuajse nuk komunikonin. Ngjarjet lidhen me festivalin Patriot's Day Freedom Fest, të organizuar më 14 shtator 2024 nga Eric Deters. Vetëm një muaj më parë, më 6 gusht, Guilfoyle i kishte dërguar organizatorit një mesazh urimi për ditëlindjen, në emër të saj dhe Donald Trump Jr.

Por në shtator situata kishte ndryshuar.

Sipas dëshmisë që Deters ka dhënë për Daily Mail, djali i presidentit refuzonte të ulej pranë Guilfoyle dhe të komunikonte me të gjatë udhëtimeve me makinë, si edhe në ambientet VIP të aktivitetit. Sjellja e tyre kishte tërhequr vëmendjen e stafit dhe të pjesëmarrësve.

Deters pretendon se Guilfoyle kishte kërkuar ndihmën e bashkëshortes së tij dhe të një mikeshe për t'i siguruar fshehurazi alkool, pasi nuk dëshironte që Donald Trump Jr. ta shihte duke pirë. Sipas tij, ajo sillej si një gjimnaziste që përpiqej të fshihte alkoolin nga prindërit.

Madje, në përfundim të aktivitetit, Guilfoyle i kishte kërkuar Deters që ta lavdëronte përpara Donald Trump Jr., me shpresën se do të rifitonte simpatinë e tij. Këto janë pretendime të Deters, të cilat Daily Mail i ka publikuar duke iu referuar dëshmisë së tij.

Historia mori një tjetër drejtim më 15 shtator 2024, kur Daily Mail publikoi fotografi të Donald Trump Jr. me Bettina Anderson, gjatë një takimi në Palm Beach. Fotografitë, të realizuara më 17 gusht, shoqëroheshin me dëshmi se ata ishin puthur disa herë.

Dy ditë pas publikimit, më 17 shtator, Eric Deters i shkroi Guilfoyle për ta pyetur nëse ishte mirë.

“Pashë raportimin e Daily Mail. E kuptova të shtunën se ti po vuaje. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet. Më intereson për ty”, shkruante ai.

Përgjigjja e Guilfoyle ishte e menjëhershme dhe agresive.

“Çfarë? Janë lajme të rreme. Ti, nga të gjithë njerëzit, duhet ta dish këtë. Më shqetëson edhe më shumë fakti që ti u beson gënjeshtrave. Unë nuk po vuaja, çfarë dreqin?”, i shkroi ajo.

Në një tjetër komunikim, të cilit Daily Mail nuk i përcakton datën, Guilfoyle sulmonte Bettina Anderson, gruan me të cilën Donald Trump Jr. nisi më pas një marrëdhënie. Ajo e përshkruante Anderson si një person që kërkonte vëmendje publike dhe pretendonte se kishte ndikuar vetë në publikimin e historisë nga gazeta britanike.

Guilfoyle përmendte gjithashtu lidhjen e Anderson me Vanessa Trump, ish-bashkëshorten e Donald Trump Jr., me të cilën ai ka pesë fëmijë.

Por një burim pranë Donald Trump Jr. dhe Bettina Anderson i ka hedhur poshtë këto pretendime për Daily Mail, duke deklaruar se Anderson nuk kishte asnjë rol në publikimin e fotografive.

Në fakt, përplasja e zbuluar nga mesazhet tregon se ndarja nuk ishte një zhvillim i papritur. Marrëdhënia që kishte nisur gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump dhe ishte kurorëzuar me fejesë në vitin 2020, përfi katër vite më vonë.

Megjithatë, fundi i lidhjes personale nuk solli edhe largimin e Guilfoyle nga rrethi politik i Trump. Në dhjetor 2024, presidenti amerikan e propozoi atë për ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Greqi.

Ky vendim i dha ish-partneres së djalit të tij një post të rëndësishëm diplomatik, pavarësisht përfundimit të marrëdhënies me familjen presidenciale.

Por tani çështja nuk kufizohet më te historia personale e Guilfoyle.

Sipas një tjetër raportimi të Daily Mail, Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur të shqyrtojë ankesa për mënyrën se si ajo drejton ambasadën në Athinë. Akuzat përfshijnë sjellje autoritare ndaj stafit, përfitime të pretenduara nga kompani private dhe një stil jetese me shpenzime luksoze.

Ndërkohë, Wall Street Journal ka raportuar për mesazhe mes Guilfoyle dhe Eric Deters që lidhen me një kërkesë për pagesën e 100 mijë dollarëve të një detyrimi në kartën American Express. Këto raportime kanë krijuar një problem politik për administratën amerikane, pasi ambasadorja nuk është një diplomate karriere, por një person i lidhur drejtpërdrejt me familjen e presidentit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përball me pyetje për çështjen gjatë një vizite zyrtare në Greqi.

Rubio kundërshtoi mënyrën se si gazetarët po i trajtonin pretendimet, duke deklaruar se nuk e dinte cilat prej tyre ishin të vërteta.

“Ju mendoni se, vetëm sepse një burim ju ka thënë diçka dhe ju e keni raportuar, ajo është e vërteta absolute. Nuk është kështu”, deklaroi ai, sipas Daily Mail.

Edhe zëvendëspresidenti JD Vance u pyet për shpenzimet dhe sjelljen e pretenduar të ambasadores. Ai tha se nuk i pëlqenin ato që po raportoheshin, por sqaroi se nuk kishte informacion të plotë për rastin.

Në këtë histori del edhe një tjetër element politik.

Eric Deters ka deklaruar për Daily Mail se, gjatë festivalit të shtatorit 2024, Donald Trump Jr. i kishte thënë se kishte përdorur të gjithë kapitalin e tij politik për të siguruar përzgjedhjen e JD Vance si kandidat për zëvendëspresident.

Sipas Deters, djali i Trump e shihte këtë vendim edhe si një investim për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, me Vance në krye të kandidaturës republikane.

Kjo dëshmi, nëse konfirmohet, tregon se Donald Trump Jr. kishte një rol aktiv në konfigurimin e trashëgimisë politike të lëvizjes së babait të tij.

Por pjesa më e rëndë e dëshmisë së Deters lidhet me atë që Guilfoyle thuhet se ka deklaruar privatisht për familjen Trump. Sipas tij, gjatë aktivitetit ajo i kishte cilësuar burrat e familjes Trump si narcistë, duke përdorur edhe një shprehje fyese.

Daily Mail raporton gjithashtu se Guilfoyle dhe asistentja e saj kishin përjetuar një udhëtim të rrezikshëm me makinë, pasi Deters kishte humbur një dalje rrugore dhe kishte përfunduar në një pjerrësi me bar. Gjatë incidentit, sipas tij, Guilfoyle kishte bërtitur se mund t'i dëmtoheshin implantet e gjoksit.

Të gjitha këto episode përbëjnë dëshmi të Deters dhe jo fakte të verifikuara në mënyrë të pavarur nga gazeta. Megjithatë, mesazhet e publikuara tregojnë një kontrast mes qëndrimit publik të Guilfoyle dhe marrëdhënieve të saj private me njerëzit e rrethit Trump.

Në njërën anë, ajo mbronte familjen presidenciale dhe mohonte çdo problem me Donald Trump Jr. Në anën tjetër, sipas dëshmisë së Deters, ankohej privatisht për sjelljen e anëtarëve të saj. Departamenti amerikan i Shtetit dhe avokati i Guilfoyle nuk iu përgjigjën kërkesave të Daily Mail për koment. Çështja që mbetet për t'u sqaruar nuk është më ndarja e saj nga Donald Trump Jr., por nëse ankesat dhe pretendimet financiare ndaj ambasadores amerikane në Athinë do të prodhojnë pasoja institucionale.

Deri tani, raportimet e Daily Mail dhe Wall Street Journal kanë nxjerrë në publik mesazhe, dëshmi dhe akuza. Por për pretendimet që lidhen me ushtrimin e detyrës diplomatike, përgjigjja përfundimtare varet nga verifikimet e Departamentit amerikan të Shtetit dhe nga dokumentet që mund të publikohen gjatë këtij procesi. /Përshtati Pamfleti nga Daily Mail/ guilfoyle trump shba mesazhe screenshot 14 screenshot 4 screenshot 5 screenshot 6 screenshot 7 screenshot 8 screenshot 9 screenshot 10 screenshot 11 screenshot 12 1 Komente F Feti Dema 12 Tetor 2026, 18:35 Hetimet që kanë filluar, me siguri do çojnë në shkarkimin e ambasadores Amerikane në Greqi. Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota “Putini nuk do të tërhiqet”, Ashton paralajmëron: Në javët e ardhshme diçka do të ndryshojë rrjedhën e luftës 12 Tetor 2026, 18:1218:12Rajoni dhe Bota Ukraina nën sulme/ Trump shpall armëpushimin, Putin përgjigjet me raketa 12 Tetor 2026, 17:5917:59Rajoni dhe Bota Kurdët kanë në dorë mandatin e ri të Erdoganit? Pazari i madh që mund të ndryshojë Turqinë 12 Tetor 2026, 17:2017:20Rajoni dhe Bota “Ëndrra europiane” braktiset nga serbët, BE-ja pothuajse jashtë fushatës zgjedhore në Serbi 12 Tetor 2026, 17:0017:00Rajoni dhe Bota “Lufta e heshtur” për Azinë, Kina shtrin rrjetin e bazave ushtarake për të sfiduar SHBA-në 12 Tetor 2026, 16:5916:59Rajoni dhe Bota Kievi përballë dimrit të Putinit, strategjia e re e Rusisë për të gjunjëzuar qytetin që nuk e pushtoi dot 12 Tetor 2026, 16:4716:47Rajoni dhe Bota