Prej tre ditësh Bulqiza po përballet me një betejë të vërtetë me flakët, ndërsa zjarri që ka përfshirë zonën e Vajkalit dhe Qafë-Helmës vijon të jetë aktiv.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me pyje, shkurre dhe dëllinja, ndërsa situata është rënduar nga terreni i vështirë malor, që e bën ndërhyrjen nga toka jashtëzakonisht të vështirë. Raportohet se janë djegur qindra hektarë sipërfaqe, ndërsa frontet e zjarrit janë afruar në drejtim të Vajkalit 1 dhe Vajkalit 2, duke shtuar shqetësimin e banorëve.
Tymi i dendur ka mbuluar edhe zonat e banuara të Bulqizës, ndërsa banorët kanë ngritur shqetësimin për përhapjen e flakëve dhe vështirësitë në frymëmarrje. Një ditë më parë, pas rreth 35 orësh përballje me zjarrin, situata raportohej ende jashtë kontrollit në disa zona.
Për shuarjen e zjarrit është kërkuar ndërhyrja nga ajri, pasi terreni shkëmbor dhe mungesa e rrugëve e vështirësojnë ndjeshëm depërtimin e mjeteve zjarrfikëse.
Në Vajkal janë angazhuar rreth 30 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me zjarrfikësit, shërbimet pyjore dhe vullnetarët, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga një helikopter.
Por pavarësisht ndërhyrjes së forcave në terren dhe nga ajri, flakët vijojnë të jenë aktive.

