Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me forca të Policisë së Shtetit, kryesisht të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar. Një autobot ujëhedhës po përparon në drejtim të turmës së protestuesve të mbledhur pranë lulishtes në sheshin “Skënderbej”. Policia po përdor ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa në bulevard shihen gurët e hedhur gjatë përplasjeve dhe bombolat e gazit lotsjellës të përdorura nga efektivët.
Përballë forcave të FNSH-së janë pozicionuar disa protestues të maskuar, ndërsa kanë nisur hedhjet e gurëve në drejtim të policisë. Ndërkohë, kazanët e mbeturinave vijojnë të digjen në disa zona.
Pjesa më e madhe e protestuesve është zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, ku po qëndron në distancë nga retë e tymit dhe forcat e policisë të vendosura përgjatë bulevardit. Efektivët kanë krijuar kordonë përpara ministrive, ndërsa një pjesë e forcave është pozicionuar pranë Ministrisë së Brendshme, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.
Disa të rinj në sheshin “Skënderbej” po thyejnë stolat e vendosur si instalacion në shesh, për të siguruar gurë dhe sende të forta, të cilat po i përdorin për të qëlluar në drejtim të forcave të policisë. Top Channel

