Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, organizon më 4–5 nëntor 2026, në Tiranë, konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël. Aktiviteti, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka mbledhur 260 përfaqësues nga 85 vende të botës, përfshirë banka qendrore, institucione financiare dhe aktorë të industrisë së pagesave. Në hapje të konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi progresin e vendit në modernizimin e sistemit të pagesave. Sipas tij, pagesat digjitale për frymë kanë arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 një dekadë më parë, ndërsa kartat bankare në qarkullim kanë kapur shifrën 1.6 milionë. Për herë të parë, gjatë vitit 2025, kartat u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje cash. Sejko veçoi gjithashtu përfitimet nga anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, ku transfertat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse kushtojnë deri në 20 herë më pak, me kursime të pritshme për ekonominë mbi 71 milionë euro në vit. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është projekti rajonal TIPS Clone, i cili synon mundësimin e transfertave të menjëhershme, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, me funksionalizim të parashikuar brenda vitit 2026. Në kuadër të konferencës, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, ku u diskutua mbi bashkëpunimin për modernizimin e infrastrukturës së pagesave, mbikëqyrjen bankare dhe thellimin e integrimit financiar evropian. Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë në fushën e pagesave dhe reformat e ndërmarra, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv për transformimin e sektorit financiar në rajon. Konferenca synon të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e sistemeve të pagesave më të shpejta, të sigurta, efikase dhe gjithëpërfshirëse.
