Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Brukseli se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Europian në fund të vitit 2027, progresraporti i Komisionit Europian nxjerr në pah probleme serioze në funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
Një nga kritikat më të forta lidhet me refuzimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e pandehur nga SPAK. Sipas KE-së, ky vendim ngre shqetësime për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë para ligjit. Raporti kritikon gjithashtu mbikëqyrjen e dobët parlamentare ndaj qeverisë dhe refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Mes deklaratave optimiste të Ramës për anëtarësimin brenda vitit 2027 dhe kritikave të Brukselit për standardet demokratike, Shqipëria përballet me një kontrast të fortë, synon të bëhet pjesë e BE-së, por vijon të marrë kritika për mënyrën se si funksionojnë institucionet, kontrolli mbi pushtetin dhe barazia para ligjit.

