Qeveria britanike po synon të ashpërsojë politikat e emigracionit përmes një sërë ndryshimesh të propozuara në Projektligjin për Imigracionin dhe Azilin. Reformat e parashikuara synojnë të kufizojnë abuzimet me procedurat ligjore, të ulin kostot e sistemit të azilit dhe të përshpejtojnë largimin e personave që nuk plotësojnë kushtet për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Një ndër pikat kryesore të projektligjit lidhet me mënyrën se si gjykatat do të zbatojnë Nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbron të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Sipas propozimeve, në shqyrtimin e çështjeve të emigracionit do t'i kushtohet më shumë rëndësi marrëdhënieve reale mes prindërve dhe fëmijëve, duke marrë parasysh shpeshtësinë e kontakteve dhe kohëzgjatjen e tyre.
Synimi i autoriteteve është që lidhjet familjare të mos përdoren si argument vetëm për të penguar dëbimin, pa u vlerësuar më parë rrethanat konkrete. Në këtë kuadër, do të shqyrtohen edhe rastet kur një person rikthehet në banesën familjare pak para se të paraqesë një kërkesë për të qëndruar në vend. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet gjithashtu kohës kur dorëzohen provat dhe shpjegimeve për çdo vonesë, faktorë që mund të ndikojnë në vlerësimin e besueshmërisë së kërkesës.
Ndryshimet e propozuara mund të kenë pasoja edhe për shtetasit shqiptarë që qëndrojnë pa dokumentacion të rregullt në Britani, veçanërisht për ata që kundërshtojnë largimin duke iu referuar kërkesave për azil apo lidhjeve familjare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo person pa leje qëndrimi do të largohet automatikisht. Vendimet do të varen nga rrethanat dhe provat e paraqitura në secilin rast.
Një tjetër pjesë e reformës parashikon ngritjen e Autoritetit të Pavarur për Apelimet në Çështjet e Imigracionit (IIAA). Ky mekanizëm synon të përshpejtojë shqyrtimin e ankesave dhe të kufizojë përdorimin e apelimeve të përsëritura, kur ato shërbejnë për të zvarritur procedurat e emigracionit.
Projektligji prek edhe mbështetjen financiare për azilkërkuesit. Sipas skemës së propozuar, personat që përfitojnë strehim ose ndihmë financiare nga fondet publike mund të detyrohen të kontribuojnë në mbulimin e këtyre shpenzimeve, nëse kanë mundësi ekonomike. Pagesat do të përcaktohen përmes një sistemi të administruar nga autoritetet përkatëse.
Në kuadër të reformës parashikohet edhe unifikimi i trajtimit të kërkesave për mbrojtje, duke ndërthurur statusin e refugjatit me mbrojtjen humanitare në një kuadër të përbashkët. Qeveria argumenton se ky ndryshim do të thjeshtojë procesin e shqyrtimit të aplikimeve dhe procedurat e apelimit.
Sipas ekzekutivit britanik, këto masa synojnë të krijojnë një sistem më të kontrolluar dhe më efikas, të reduktojnë barrën financiare të azilit dhe të bëjnë më të shpejta procedurat për largimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.
Projektligji pritet të vijojë shqyrtimin në Parlamentin britanik. Dispozitat e propozuara mund të pësojnë ndryshime gjatë debatit parlamentar përpara se të përcaktohet forma përfundimtare e reformës.

