Këto janë pamjet e kështjellës luksoze në Francë që rezulton në pronësi të biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri, një pronë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, e cila tashmë është përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Bëhet fjalë për Château d’Auteuil, një rezidencë historike e ndërtuar në shekullin XVI, e vendosur në komunën Berneuil-en-Bray, rreth një orë larg Parisit.
Kështjella shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1.200 metrash katrorë dhe është e rrethuar nga një park i gjerë. Ajo ruan elemente të fortifikimeve të epokës, ndërsa fasadat dhe çatitë e saj janë të klasifikuara si monument historik i mbrojtur nga shteti francez. Sipas regjistrave zyrtarë, prona është blerë më 30 dhjetor 2024 për shumën 2.612.200 euro, vlerë që përputhet me atë të bërë publike nga SPAK.
Sipas SPAK, kështjella është një nga pasuritë e identifikuara në kuadër të hetimeve ndaj Beqirit. Krahas saj, autoritetet shqiptare dhe franceze po verifikojnë edhe llogari bankare me mbi 2 milionë euro, apartamente, automjete dhe një avion turistik, ndërsa biznesmeni hetohet për dyshime që lidhen me korrupsionin, manipulimin e tenderëve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

