Lajme Zone
Borxhi botëror po rritet, sa pranë është kriza e re ekonomike?
EkonomiPamfleti

Borxhi botëror po rritet, sa pranë është kriza e re ekonomike?

Javët e fundit kanë ndodhur disa zhvillime, që e kanë shtuar shqetësimin për gjendjen e financave publike në botë. Borxhi publik i Shteteve të Bashkuara, ka arritur rekordin historik prej 40 mijë miliardë dollarësh, një shifër që sipas parashikimeve të mëparshme, pritej të arrihej vetëm pas disa muajsh.

Borxhi publik ka arritur nivele rekord dhe kostot e interesave po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi ekonomitë e mëdha. Problemi nuk është vetëm shuma e borxhit, por pyetja nëse shtetet do të kenë nesër mjaftueshëm rritje ekonomike për ta përballuar atë... Javët e fundit kanë ndodhur disa zhvillime, që e kanë shtuar shqetësimin për gjendjen e financave publike në botë. Borxhi publik i Shteteve të Bashkuara, ka arritur rekordin historik prej 40 mijë miliardë dollarësh, një shifër që sipas parashikimeve të mëparshme, pritej të arrihej vetëm pas disa muajsh.

Rritja e shpejtë e borxhit, lidhet edhe me shpenzimet e jashtëzakonshme për luftën kundër Iranit dhe me rimbursimin e tarifave doganore. Për të mbuluar boshllëqet në buxhet, qeverisë amerikane i është dashur të marrë borxhe të reja dhe rekordi është kapur shumë më herët nga sa pritej.

Edhe tregu amerikan i obligacioneve po tregon shenja nervozizmi. Rendimenti i titujve shtetërorë me maturim dhjetëvjeçar është rritur ndjeshëm. Në fillim të vitit, ishte nën 4 për qind, ndërsa tani ka arritur në 4.6 për qind.

“Për vendet me borxh të lartë publik, rritja e normave reale të interesit është një problem serioz”, thotë ekonomisti amerikan Kenneth Rogoff. “Dhe Shtetet e Bashkuara janë debitori më i madh. Me një borxh prej 40 mijë miliardë dollarësh dhe norma të larta interesi, kostot bëhen shumë të larta”.

Por nuk janë vetëm amerikanët, ata që jetojnë me borxhe. Raporti i borxhit publik global ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është rritur vazhdimisht. Dhjetë vjet më parë ishte 82 për qind, ndërsa sot ka arritur në 94 për qind.

“Në vetvete, borxhi nuk është as i mirë dhe as i keq”, thotë Tobias Hentze, ekspert i ekonomisë dhe financave në Institutin Gjerman për Ekonominë. “Por situata po bëhet dalëngadalë kritike”- shton ai. Kush po e rrit borxhin publik global dhe pse sot ai është më i rrezikshëm se 20 vjet më parë?

Në vendet e pasura, historia ndryshon nga një ekonomi te tjetra. Greqia e arriti nivelin më të lartë të borxhit gjatë krizës së vitit 2010, kur raporti ndaj PBB-së kaloi 170 për qind. Në Japoni, borxhi u rrit ndjeshëm në vitet ’90, pas shpërthimit të flluskës spekulative në tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë financiar.

Ndërkohë, deri në krizën e borxhit të vitit 2010, Shtetet e Bashkuara kishin pasur një periudhë relativisht të qëndrueshme në menaxhimin e financave publike, duke e mbajtur raportin borxh/PBB rreth 60 për qind.

Por, pavarësisht këtyre dallimeve, këto ekonomi kanë një gjë të përbashkët: janë vendet që mbajnë pjesën më të madhe të borxhit publik botëror. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2026 vendet e pasura kanë një raport borxh/PBB prej 108 për qind, ndërsa vendet e varfra rreth 48 për qind.

Arsyeja është e thjeshtë. Për të marrë borxh, një shtet duhet të ketë besimin e tregjeve financiare. “Borxhi i lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht se një ekonomi është e dobët”, shpjegon Hentze.

Për shembull, SHBA-ja kishte në fund të vitit 2024 një raport borxh/PBB prej 120 për qind, ndërsa Japonia arrinte në 230 për qind. Franca, Kanadaja, Spanja dhe Britania kishin gjithashtu borxhe publike afërsisht sa madhësia e ekonomive të tyre. Megjithatë, të gjitha këto janë ndër ekonomitë më të fuqishme të botës.

Një parametër politik

Me kriteret e Mastrihtit, Bashkimi Evropian përcaktoi se borxhi publik nuk duhet të kalojë 60 për qind të PBB-së. Por kjo nuk do të thotë se ekziston një vijë e qartë përtej së cilës borxhi kthehet automatikisht në problem.

“Është një parametër kryesisht politik”, thotë Hentze. “Nga pikëpamja ekonomike, nuk është domosdoshmërisht kufiri i duhur”. Mesatarja e vendeve evropiane është tashmë mes 80 dhe 85 për qind.

Por për të kuptuar nëse një vend mund ta përballojë borxhin, duhet parë edhe ritmi i rritjes ekonomike, kostoja e interesave dhe afatet kur duhet të shlyhen ose rifinancohen borxhet ekzistuese. Nëse ekonomia rritet më shpejt se sa rriten interesat, edhe një borxh i lartë mund të mbahet nën kontroll.

Situata ndryshon kur ekonomia ngadalësohet, huamarrja shtrenjtohet dhe shteti detyrohet të rifinancojë borxhet gjithnjë e më shpesh. Rëndësi ka edhe monedha në të cilën merret borxhi.

Një vend që merr borxh në monedhën e vet dhe ka një treg të fuqishëm financiar brenda vendit, ka zakonisht më shumë hapësirë për të manovruar sesa një shtet që duhet të marrë borxh në valutë të huaj dhe t’u ofrojë investitorëve interesa më të larta.

Kjo do të thotë se një borxh prej 50 për qind të PBB-së mund të jetë shumë më i vështirë për t’u përballuar nga një vend i varfër sesa një borxh mbi 100 për qind në një ekonomi të pasur.

Por, sipas Hentze, ka diçka edhe më të rëndësishme se madhësia e ekonomisë sot: sa mund të rritet ajo nesër.

Kjo përcakton nëse një shtet do të ketë të ardhura të mjaftueshme për të paguar interesat dhe për të shlyer borxhet. Borxhi mund të jetë i dobishëm kur përdoret për investime që e bëjnë ekonominë më produktive, si arsimi, infrastruktura apo dixhitalizimi.

Nëse paratë shkojnë kryesisht për konsum, është shumë më e vështirë që ato të sjellin rritje të qëndrueshme në vitet që vijnë. Sot një pjesë e madhe e borxhit publik në botë, përfshirë Gjermaninë, po përdoret për riarmatimin.

Në mars 2025, Bundestagu gjerman ndryshoi edhe Kushtetutën për të pezulluar të ashtuquajturin “frenim të borxhit” për shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë mbi një nivel të caktuar të PBB-së. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka krijuar një fond të posaçëm prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën dhe neutralitetin klimatik, i financuar përmes borxhit publik.

Riarmatimi mund të krijojë vende pune dhe të nxisë zhvillimin teknologjik. Por, ndryshe nga investimet në arsim, infrastrukturë dhe digjitalizim, ai nuk sjell automatikisht rritje të kapacitetit prodhues të ekonomisë civile. Ndërkohë, mundësitë për rritje ekonomike janë sot më të kufizuara se 10 apo 20 vjet më parë.

Popullsia po plaket, të ardhurat e shtetit rriten më ngadalë dhe shpenzimet për pensionet, shëndetësinë dhe pjesën tjetër të shtetit social vazhdojnë të shtohen. Pikërisht këtu qëndron një nga rreziqet kryesore. Kur ekonomia nuk rritet mjaftueshëm, borxhi bëhet më i vështirë për t’u përballuar.

Problemi janë interesat

Borxhi bëhet vërtet problematik kur interesat fillojnë t’i marrin qeverisë hapësirën për të bërë politika të tjera. Shtetet e Bashkuara paguajnë tashmë më shumë se 1 mijë miliardë dollarë interesa çdo vit, rreth dyfishin e shumës së 10 viteve më parë.

Rritja e borxhit është një nga arsyet, por jo e vetmja. Një tjetër është pasiguria rreth normave të interesit të vendosura nga banka qendrore, vendime mbi të cilat qeveria nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë.

Japonia arriti ta mbajë për një kohë të gjatë një borxh shumë të lartë edhe falë inflacionit të ulët. Normat e interesit ishin të ulëta dhe kjo e mbante koston e borxhit nën kontroll. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2024 Japonia shpenzoi për interesat e borxhit publik rreth 1.5 për qind të PBB-së.

Ishte një nivel i ngjashëm me Gjermaninë, e cila kishte një raport borxh/PBB pak mbi 60 për qind. Në SHBA, situata është krejt tjetër. Shpenzimet për interesat e borxhit kanë kaluar tashmë shpenzimet ushtarake. E njëjta gjë po ndodh edhe në Kanada dhe Spanjë.

“Sa më shumë para të shkojnë për pagesën e interesave, aq më pak mbeten për investime”, thotë Hentze. Dhe pikërisht këtu fillon rrethi vicioz. Më pak investime do të thotë më pak rritje ekonomike, ndërsa rritja më e dobët e bën edhe më të vështirë përballimin e borxhit. Në fund, qeveritë mund të detyrohen të shkurtojnë shpenzimet ose të rrisin taksat, duke e frenuar edhe më shumë ekonominë. Por sipas ekspertëve, zgjidhja nuk është thjesht të ndalohet marrja e borxheve.

Më e rëndësishme është që borxhi të përdoret aty ku mund të sjellë rritje, ndërsa qeveritë të kenë një plan financiar të besueshëm për vitet e ardhshme dhe afate sa më të gjata për shlyerjen e detyrimeve. Në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm sa borxh ka bota, por sa kushton ai borxh dhe nëse ekonomitë do të jenë në gjendje ta përballojnë faturën nesër./Pamfleti nga “Die Zeit”borxhi botëror kriza e re ekonomike Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Euro bie në 91 lekë, mësoni me sa shiten e blihen paundi e dollari sot 3 Shtator 2026, 07:3207:32Ekonomi Sa na kushton krimi i organizuar? 2 Shtator 2026, 14:2614:26Ekonomi Mars-korrik, shqiptarët shpenzuan 80 milionë euro më shumë për të blerë naftë, për konsum të njëjtë 2 Shtator 2026, 07:3307:33Ekonomi Këmbimi valutor 2 Shtator 2026! Mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 2 Shtator 2026, 07:1707:17Ekonomi Turizmi ngadalëson ritmin, Shqipëria zbret në vendin e tretë në Europë 1 Shtator 2026, 19:0819:08Ekonomi Zbehet turizmi, Shqipëria humb kurorën për kryesimin e net-qëndrimeve në Europë 1 Shtator 2026, 12:5112:51Ekonomi