Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë në rrjetin social X, duke iu përgjigjur “Demokratëve Europianë” lidhur me protestat dhe incidentet e shënuara gjatë tyre. Rama i është referuar një shprehjeje të vjetër latine, të cilën thotë se ia ka mësuar gjyshja e tij: “Errare humanum est, perseverare diabolicum” – “Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në të njëjtin gabim është djallëzore”. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt “Demokratëve Europianë”, Rama shkruan se reagimi i tyre e bën të pyesë veten nëse pikërisht politikanë të tillë kanë frymëzuar pjesën e dytë të kësaj shprehjeje. Sipas kryeministrit, ata e dënuan dhunën ndaj përfaqësuesve të zgjedhur vetëm pasi ai publikoi pamjet e incidenteve, ndërsa më pas, sipas tij, e minimizuan situatën duke e cilësuar atë si “akte të izoluara”. Rama thekson se protesta është zhvilluar prej 101 ditësh në bulevard, pa probleme sa i përket të drejtës për t’u tubuar, për të folur dhe për të kritikuar. Megjithatë, ai e cilëson si dhunë pengimin fizik të deputetëve për të hyrë në Parlament dhe incidentin ndaj një deputeteje, e cila, sipas tij, po përpiqej të shkonte në vendin e saj të punës. Në reagimin e tij, kryeministri sjell edhe një tjetër incident, duke pretenduar se protestuesit kanë bllokuar një kryqëzim, kanë rrethuar automjetin e një qytetari dhe e kanë goditur atë. “Për çfarë është fajtor ai, saktësisht? Sepse po përpiqet të vazhdojë rrugën e tij?”, shkruan Rama, ndërsa u kërkon “Demokratëve Europianë” që ta dënojnë qartë edhe këtë rast, “pa asnjë justifikim”. Në fund të reagimit, Rama thekson se nuk po e përdor dhunën e disa protestuesve për të diskredituar të gjithë protestuesit. “Jeni ju që po përdorni sjelljen paqësore të shumëkujt për të minimizuar dhunën e të tjerëve”, shprehet ai. Kryeministri e mbyll reagimin me një apel të drejtpërdrejtë: “Hajde, tregohuni të guximshëm dhe thuajeni: Ky nuk është kundërshtim. Është dhunë.”
