Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka reaguar ashpër për bllokimin e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar situatën si “të paimagjinueshme” dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionet e pushtetit gjyqësor. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Lapaj deklaroi se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën, sipas tij, një shkelje serioze dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë. “Është situatë e paimagjinueshme. Kjo që po ndodh është ndërhyrje e qartë në funksionet e një pushteti tjetër, që është gjyqësori”, u shpreh Lapaj. Ai iu referua pikës 110 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se institucioneve u ishte lënë afat deri më 31 korrik 2026 për të kryer ndryshimet ligjore. Sipas tij, në mungesë të këtyre ndryshimeve, llogaritja e pagave duhet të bëhet sipas referencës së përcaktuar në vendimin e Gjykatës. Lapaj shkoi edhe më tej me akuzat, duke deklaruar se çështja nuk duhet të trajtohet vetëm përmes kallëzimeve, por përmes përgjegjësive konkrete të zyrtarëve që, sipas tij, nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Duhej të ishin arrestuar drejtorët e Thesarit, që nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai, duke shtuar se situata mund të përbëjë, sipas vlerësimit të tij, “vepër penale të shpërdorimit të detyrës”.
Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet e drejtoi përgjegjësinë politike edhe nga mazhoranca, duke deklaruar se zgjidhja ligjore është në dorën e Kuvendit. Megjithatë, sipas tij, përgjegjësia për të garantuar zbatimin e ligjit i takon edhe Prokurorisë.
“Është situatë e paimagjinueshme. Kjo që po ndodh është ndërhyrje e qartë në funksionet e një pushteti tjetër, që është gjyqësori. Në pikën 110 të vendimit thuhet: ndërkohë, nëse nuk bëhen ndryshimet ligjore deri në 31/7/2026, llogaritja e pagave do të bëhet sipas referencës së analizuar të vendimeve të kësaj Gjykate. Gjykata ka lënë afat 31 korrikun, ose do të funksionojë si me funksionarët e lartë publikë. Deri më këtë datë parlamenti nuk e ka ushtruar këtë detyrë. Nuk bëhet kjo çështje me kallëzime, por me arrestime në flagrancë, të gjithë shefat e Thesarit, deri te kryeministri. Kjo kështu bëhet me arrestim në flagrancë, që të kthehet në model në të ardhmen që askush nuk duhet të guxojë. Jam trishtuar.
Nëse këta ia bëjnë këtë autoritetit më të lartë që ligji i ka dhënë fuqi, imagjino çfarë bëhet me nëpunësin e thjeshtë. Këtu ka vepër penale të shpërdorimit të detyrës në flagrancë. Duhej të ishin arrestuar drejtorët e Thesarit, që nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E ka në dorë Edi Rama në Kuvend, se ai i ka numrat. Por zgjidhja mendoj se është në dorë të Prokurorisë. Nuk duhet askush që të ndërhyjë në punët e drejtësisë. Ata që më dëgjojnë, të bëjnë reflektimin dhe të zbatojnë ligjin.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Adriatik Lapaj
