Një video e re nga protesta e sotme në Tiranë tregon një moment të rëndë gjatë përplasjes mes gazetarit Bledi Mane dhe protestuesve.
Në pamje, Mane, i veshur me të zeza, shihet përballë një fëmije, i cili ndodhet mes protestuesve. Gjatë debatit me të, gazetari i drejton duart në mënyrë të përsëritur drejt zonës së organeve gjenitale, në një gjest që ka shkaktuar reagime të forta nga personat përreth.
Më pas, Mane largohet për disa çaste, ndërsa videoja vijon me përballjen e tij me protestuesit.
Pak më vonë, situata përshkallëzohet dhe një protestues i afrohet gazetarit duke i thyer një vezë në kokë. Mane më pas përballet me disa prej protestuesve, duke debatuar dhe kapur disa prej tyre me duar, ndërsa situata rrezikon të kalojë në përplasje fizike.
Aktivistët që kanë publikuar videon e kanë shoqëruar atë me mbishkrimin: “Kur provokatorët përballen me realitetin”, ndërsa e kanë cilësuar Manen si “servil të Ramës”.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së sotme në Tiranë, e cila është shoqëruar me tensione dhe incidente të tjera.

